INSTAT ka kryer për periudhën referuese 2018-2020 vrojtimin mbi aktivitetet e Inovacionit pranë ndërmarrjeve me 10 ose më shumë të punësuar. Ndërmarrje inovative quhet ajo ndërmarrje që gjatë periudhës referuese prezantoi një inovacion produkti/procesi biznesi, ose kishte aktivitete të braktisura apo të papërfunduara inovacioni.
Gjatë periudhës 2018-2020, 36.6 % e ndërmarrjeve të vrojtuara kryen një aktivitet Inovacioni. Aktiviteti i Inovacionit rezulton më i lartë në ndërmarrjet që operojnë në sektorin e shërbimeve me 41.0 %, krahasuar me ndërmarrjet në sektorin e Industrisë me 32.1 %. Krahasuar me të dhënat e vrojtimit të mëparshëm të inovacionit me periudhë referuese 2017-2019, aktiviteti i inovacionit u ul me 1.7 % (nga 38.3 % në 36.6 %). Kjo rënie u vu re në ndërmarrjet në sektorin e industrisë dhe në atë të shërbimeve me përkatësisht 2.0 % dhe 1.3 %. Aktitiveti i inovacionit rezultoi më i pranishëm në grupin e ndërmarrjeve të mëdha, me mbi 250 të punësuar me 68.2 %.
Gjatë periudhës 2018-2020, 63.4 % e ndërmarrjeve të vrojtuara nuk kryejnë aktivitete Inovacioni. 67.9 % e ndërmarrjeve që operojnë në sektorin e Industrisë nuk rezultojnë inovative, ndërsa ndërmarrjet në sektorin e shërbimeve rezultojnë 59.0 % jo aktive në Inovacion.
Përqindja më e lartë e ndërmarjeve që zhvilluan inovacione produktesh, inovacione procesesh dhe inovacione produktesh dhe procesesh së bashku, rezultuan në sektorin e Shërbimeve.
Në vitin 2020, shitjet neto të realizuara nga ndërmarrjet aktive në Inovacion përbënë 55.9 % të shitjeve neto gjithsej të ndërmarrjeve të vrojtuara ndërsa numri i të punësuarve në këto ndërmarrje rezultoi 51,9 %.
Gjatë periudhës 2018-2020, 23.6 % e të gjitha ndërmarrjeve të vrojtuara zhvilluan inovacione të produkteve (mallra ose shërbime të reja ose të përmirësuara), ndërsa 31.6 % zhvilluan procese biznesi të reja ose të përmirësuara.
Nga ndërmarrjet me inovacione të produkteve, 37.2 % e tyre zhvilluan mallra të reja ose të përmirësuara dhe 31.4 % e ndërmarrjeve zhvilluan shërbime të reja ose të përmirësuara. Ndërsa ndërmarrjet që zhvilluan së bashku mallra dhe shërbime të reja ose të përmirësuara rezultuan 31.4 %.
Gjatë periudhës 2018-2020, 42 % e ndërmarrjeve me Inovacione produktesh prezantuan mallra ose shërbime që ishin të reja jo vetëm për ndërmarrjen, por edhe për tregun (jo të ofruara më parë nga konkurrentët e tyre). Për të kryer aktivitetin e tyre të inovacionit, 25.9 % e ndërmarrjeve aktive në Inovacion ishin të përfshirë në bashkëpunim me ndërmarrje të tjera, organizata shkencore dhe partnerë të tjerë. Për ndërmarrjet me mbi 250 të punësuar, kjo përqindje rezultoi 38.1 %. Gjatë periudhës 2018-2020, 13.1 % e ndërmarrjeve të vrojtuara kanë blerë makineri, pajisje ose mjete programuese të bazuar në teknologji të re që nuk ishte përdorur më parë nga këto ndërmarrje. Gjatë periudhës 2018-2020, 3.6 % e ndërmarrjeve aktive në inovacion morën mbështetje financiare nga autoritetet publike, ndërsa 1.6 % ndërmarrjeve që nuk kryen ndonjë inovacion morën mbështetje financiare publike.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto