Korporatat shumëkombëshe po paguajnë më pak taksa se sa pjesa tjetër e popullsisë - Business Magazine Albania

Korporatat shumëkombëshe po paguajnë më pak taksa se sa pjesa tjetër e popullsisë

Më datën 5 qershor, ministrat e vendeve të G7-ës, njoftuan qëllimin e tyre për të vendosur një taksë minimale prej 15 për qind mbi fitimet e kompanive shumëkombësheve të zhvendosura në parajsat fiskale.

Le ta pranojmë që në krye të herës: nëse propozimi është vetëm ky, ai kufizohet duke iu dhënë leje zyrtare këtyre kompanive të mëdha për të shmangur taksat. Kompanitë e vogla dhe të mesme, si dhe shtresat e popullit të thjeshtë dhe ato të mesme, nuk kanë asnjë mundësi për të ngritur degë të tyre për të zhvendosur fitimet apo të ardhurat e tyre në vendet me një taksim të përballueshëm.

Këta taksapagues nuk kanë asnjë zgjidhje tjetër, përveçse të paguajnë nivele normale të taksave të vendosura. Por nëse kontributet shoqërore i shtohen tatimit mbi të ardhurat dhe fitimet, të punësuarit dhe të vetëpunësuar e vegjël dhe të mesëm në vendet e G7-ës, e shohin veten duke paguar norma shumë më të larta se sa 15 për qind: t2 paktën 20-30 për qind.

Njoftimi i G7-ës nuk mund të vinte në një kohë më të gabuar sesa kjo. Uebsajti i gazetarisë investigative “ProPublica”, sapo ka publikuar një investigim që konfirmon atë që studiuesit e kishin treguar tashmë: miliarderët amerikanë nuk paguajnë pothuajse asnjë taksë mbi të ardhurat, krahasuar me pjesën tjetër të popullsisë. Në praktikë, tatimi mbi fitimin është shpesh taksa përfundimtare e paguar nga më të pasurit (kur ata vendosin ta paguajnë atë). Fitimet grumbullohen në kompani ose struktura ad-hoc (fondacione, kompani mbajtëse), të cilat financojnë një pjesë të madhe të standardit të jetesës së këtyre njerëzve (avionë privatë, karta krediti etj), me gati asnjë lloj kontrolli.

Duke e pranuar që kompanitë shumëkombëshe do të jenë në gjendje të vazhdojnë të zhvendosin fitimet e tyre në parajsat fiskale, në këmbim të një takse të vetme në masën 15 për qind, G7 zyrtarizon ardhjen e një bote ku oligarkët do të paguajnë më pak taksa se sa pjesa tjetër e popullsisë.

Rregulla të reja

Po si dilet nga kjo situatë? Së pari duke vendosur një taksë minimale më të lartë se sa 15 për qind, të cilën mund ta bëjë menjëherë çdo vend. Siç e ka treguar Observatori Evropian i Taksave, Franca mund të vendosë një taksë minimale prej 25 përqindësh për shumëkombëshet, gjë që do t’i sillte asaj 26 miliardë euro në vit, ose gati 10 për qind të kostos kombëtare të kujdesit shëndetësor.

Me një taksë prej 15 për qind, pak më e lartë se sa ajo e vendosur nga Irlanda (12.5 për qind), masa do të ishte më pak efektive dhe do të jepte vetëm 4 miliardë euro. Një pjesë e shumës prej 26 miliardë eurosh mund të përdoret për të financuar spitalet, shkollat, dhe tranzicionin energjetik; dhe pjesë tjetër për të zvogëluar barrën tatimore mbi të vetëpunësuar dhe më pak të pasurit.

Është iluzioniste të presësh një unanimitet evropian për një vendim të tillë. Situatën mund ta zhbllokojë vetëm veprimi i njëanshëm, idealisht me mbështetjen e ndonjë vendi. Irlanda ose Luksemburgu ndoshta do ta apelojnë atë në Gjykatën e Drejtësisë të Bashkimit Evropian (CGUE), duke u mbështetur në faktin se parimet e lëvizjes së lirë të kapitalit (pa ndonjë kompensim fiskal, shoqëror ose mjedisor) të përcaktuara 30 vjet më parë nuk e lejojnë një lëvizje të tillë.

Është e vështirë të parashikosh se çfarë do të vendosë gjykata, por nëse është e nevojshme rregullat duhet të rishkruhen. Në teori, gjatë viteve të fundit vendet e pasura duhet të kishin krijuar sisteme për transmetimin automatik të informacionit bankar ndërkombëtar mbi pronësinë e kapitalit dhe mbi të ardhurat individuale financiare.

Atëherë pse të mos publikohen tregues të besueshëm, që mund të masin progresin e bërë në këtë drejtim? Vendet e G7-ës duhet të zbulojnë çdo vit informacione të hollësishme mbi taksat e paguara nga njerëzit më të pasur (me ata që kanë një pasuri midis 1-10 milionë euro,10-100 milionë euro, dhe 100 milionë-1 miliardë euro etj.)

Investigimi i “ProPublica”, zbuloi se të pasurit nuk paguajnë shumë taksa, dhe se vetëm një taksë progresive mbi pasurinë do të bënte që këta njerëz të taksoheshin ndjeshëm në raport me pasurinë e tyre. Në çdo rast, në vend se të presin zbulimet e radhës, të gjitha qeveritë duhet të bëjnë publike shumën e taksave të paguara nga miliarderët dhe milionerët e tyre, sidomos në Francë.

Së fundmi, ky diskutim duhet të nisë edhe për vendet në zhvillim. Mekanizmi i siguruar nga G7, sipas të cilit çdo vend ngarkohet të vendosë një taksë minimale mbi shumëkombëshet e tij, është i pranueshëm vetëm brenda një sistemi të përgjithshëm të rishpërndarjes së fitimeve. G7 ka përmendur mundësinë që një pjesë e fitimeve që e tejkalon një prag të caktuar kthimi (më shumë se 10 për qind të kapitalit të investuar në vit), të rishpërndahet sipas shitjeve në vende të ndryshme.

Por ky sistem do të mbulojë vetëm shuma tepër të ulëta, dhe do të kufizohet kryesisht tek një rishpërndarje midis ekonomive të përparuara. Nëse këta të fundit duan vërtet t’i bëjnë ballë sfidës kineze, të përmirësojnë imazhin e tyre dhe t’i japin Hemisferës Jugore një shans, është e nevojshme që vendet e varfra të kenë një pjesë të konsiderueshme të fitimeve të të gjitha shumëkombësheve dhe miliarderëve të planetit.

Internazionale

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #36 - Tetor 2024

Vjeshta solli rikthimin e aktiviteteve biznesore në ritmin e tyre të plotë, pas pushimeve të verës. Sipërmarrjet shqiptare, me dinamikat e tyre të pandalshme, janë aktualisht para një sfide dhe mundësie më të madhe. Proceset e përafrimit me BE-në krijojnë një mundësi për një treg më të madh, por kjo kërkon njëkohësisht përgatitjen të duhur për tregun.

Eventet e fundit, veçanërisht Future2Tech, tregoi se shumë kompani shqiptare, kryesisht në fushën e zhvillimit të Softwareve, po punojnë tashmë për tregun e huaj dhe janë kompani ndërkombëtare në kuptimin e plotë të fjalës. 

Në brendësi të këtij numri ne kemi sjellë histori brandesh dhe histori njerëzore; histori sipërmarrësish dhe profesionistësh, të cilët kanë investuar kohë dhe pasion në punët e tyre për të parë rezultatet që duken sot. Një prej brandeve për të cilin flasim sot, mbyll 3 dekada biznes në Shqipëri, diçka që vlen të marrë përgëzime nga të gjithë. 

Histori nga vendi dhe diaspora, rrugëtime në tregti, shërbim, apo edhe konsulencë, ky numër sjell një gamë të gjerë artikujsh, të shtrirë madje mes biznesit dhe artit, të cilat, kur ndërthuren, sjellin zhvillime shumë të bukura për shoqërinë.

Interesant është fakti se kushdo që …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0