Start-Up City 3 po i afrohet fazës finale, ku 13 idetë më të mira të biznesit do të konkurrojnë për çmimin e parë prej 2500 euro, por edhe çmimet e tjera si Startup-i më i mirë në teknologji, Sipërmarrësi më i mirë apo Startup-i më inovator.
Në këtë edicion të tretë të Start-Up City, juria përbëhet nga ekspertë dhe emra të suksesshëm të botës së sipërmarrjes si Ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes z. Eduard Shalsi, znj. Jonila Janku, Drejtuese e Departamentit të Marketingut në OTP Bank Albania, z. Elvis Ponari, CEO i Fondit Sigal, z. Arjan Çukaj, President i Universitetit Metropolitan Tirana, znj. Ardita Seknaj, Sekretare e Përgjithshme e ICC Albania dhe znj. Ardiola Alikaj, menaxhere e projekteve në Partners Albania.
“Si universitet nuk mjaftohemi duke i mësuar studentëve sipërmarrjen gjatë orëve të leksionit, por duam të nxisim realisht tek ata aftësitë dhe dëshirën sipërmarrëse. Prandaj vazhdimisht organizojmë aktivitete dedikuar nxënësve, studentëve, të rinjve dhe Start-Up City, i quajtur me të drejtë si “festival i ideve”, është një prej tyre. Fakti që konkurruan 43 ide biznesi tregon jo vetëm që Start-Up City në vitin e tij të tretë është kthyer në një markë të besueshme ku të rinj ambiciozë duan të promovohen dhe të mbështeten për idetë e tyre. Gjithashtu është një mesazh i drejtpërdrejtë që tregon potencialin e fuqishëm që vjen nga të rinjtë. Detyra jonë është që këtij potenciali t’i kushtojmë vëmendjen maksimale dhe ta ngremë në një stad më lart”,- është shprehur Presidenti i Universitetit Metropolitan Tirana, z. Arjan Çukaj.
Lexo: Start Up City 3, festivali i ideve inovatore!
Start-Up City organizohet nga UMT, Metropolitan Incubator dhe Fakulteti i Ekonomisë në Universitetin e Tiranës, ndërsa partnerë zyrtarë janë OTP Bank Albania, Fondi Sigal, Metro Design dhe Business Mag Albania.
Nga 43 aplikime, 13 kanë kaluar në fazën finale dhe do të prezantojnë përpara jurisë në datën 17 maj, ora 10:00, në një event që mund të ndiqet live përmes platformës Zoom dhe në livestream në faqen zyrtare Facebook të Universitetit Metropolitan Tirana. Ndërsa ceremonia e ndarjes së çmimeve do të organizohet në datën 18 maj. Vendi i parë do të shpërblehet me 2500 euro, vendi i dytë me 1000 euro ndërsa vendit të tretë do t’i ofrohet mentorim dhe inkubim në Metropolitan Incubator.
Idetë e biznesit do të vlerësohen në bazë të një formulari ku përfshihet ideja e biznesit, inovacioni, analiza financiare, studimi i tregut dhe i konkurrencës si edhe prezantimi dhe realizueshmëria.
13 idetë që do të prezantojnë në fazën finale janë I-Move, Forest Kids, IntellDrive, Click to Eat, Tbot, OctoApp, BioTech, Albanian Tech Tour, Parklik, Atelie dhe Butik Kozeta, Romix, Margjelo Filigran dhe ShkruajShqip.Al.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.