Aktori i mirënjohur Leonardo DiCaprio ka bërë sërish thirrje që lumi i Vjosës të shpallet Park Kombëtar. Përmes një postimi në Twitter, aktivisti për çështjet mjedisore, është shprehur se ky status “do ta mbrojë zonën nga digat dhe një kërcënimet si shpimet e naftës dhe gazit”. Aktori 46-vjeçar e shoqëroi postimin me një artikull të organizatës “Global Wildlife Conservation” të shkruar nga gazetarja Gege Li, një biokimiste e cila prej vitesh shkruan për natyrën në revista shkencore.
Në artikull përmenden protestat e vazhdueshme nga shoqëria civile dhe angazhimet e aktivistëve mjedisor apo dhe komunitetit shkencor për ta shpallur Vjosën Park Kombëtar. Lumi Vjosa buron nga malet e Pindit në Greqi. Rreth 70 kilometra nga rrjedha prej 270 kilometrash të saj kalon në territorin grek e më tej në territorin shqiptar duke vërshuar deri në Adriatik. Vjosa konsiderohet lumi i fundit në Evropë me rrjedhë të lirë.
Granting the Vjosa River status as a national park would protect the area from dams and a new threat from oil and gas drilling. #VjosaNationalParkNow https://t.co/evi71o1Mg2
— Leonardo DiCaprio (@LeoDiCaprio) May 6, 2021
Tre dekadat e fundit në rrjedhën e Vjosës është diskutuar të ndërtohen 45 hidrocentrale, tetë prej të cilave direkt në lumin e saj dhe të tjerat në degët që i bashkohen. Nga këto plane hidrocentralet e Kalivaçit dhe Poçemit janë ato që ekspertët e mjedisit thonë se e kërcënon më tepër.
Së fundmi qeveria miratoi zhvillimin e një aeroporti dhe kompleksi resortesh turistike në pjesën e poshtme të Vjosës, mes Lagunës së Nartës dhe grykëderdhjes së Vjosës, ndërsa në zonën e Përmetit kompania ndërkombëtare Shell ka nisur kërkimet për burime nafte dhe gazi. Qeveria e kryeministrit Edi Rama tha vitin e shkuar se kishte refuzuar lejet mjedisore për ndërtimin e hidrocentraleve në Vjosë ndërsa e shpalli një pjesë të territorit të saj “Park Natyror”. Mirëpo organizata si EcoAlbania, RiverWatch, Patagonia dhe ekspertë të mjedisit janë shprehur se ky status nuk është i mjaftueshëm për ta mbrojtur tërësisht Vjosën.
Ata dhe zëra ndërkombëtarë si Leonardo DiCaprio apelojnë që Vjosa të shpallet Park Kombëtar në mënyrë që e gjithë rrjedha e saj të jetë e mbrojtur nga planet e ardhshme.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.