Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare në tremujorin e parë të 2021, pagesat për sigurimet motorike kanë rifituar peshë ndryshe nga një vit më parë kur përqendrimi i portofolit të dëmeve në këtë tremujor ishte për pagesat e tërmetit. Kompanitë e sigurimit kanë paguar 17 milionë euro dëme në tremujorin e parë të 2021.
Në raportimin e AMF shkruhet se gjatë periudhës janar-mars 2021 dëmet e paguara bruto të sigurimit motorik kapën vlerën 1,007 milionë lekë, duke pësuar një rritje me rreth 50.29% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Gjithashtu vihet re edhe një rritje e kontratave dhe e primeve të shkruara bruto për janar-mars 2021 në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Gjatë tremujorit, numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 202,944 me një ulje prej 15.61% krahasuar me periudhën janar-mars 2020. Nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit, i detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zënë 44.10% dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zënë 55.90% të totalit të tregut.
Sipas AMF primet e sigurimit të detyrueshëm motorik, gjatë periudhës janar-mars 2021 arritën rreth 2,258 milionë lekë, ose 8.36 % më shumë se në periudhën janar-mars 2020. Sa i takon primeve të sigurimit vullnetar, gjatë tremujorit arritën rreth 1,781 milionë lekë, 18.26% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit më parë.
Primet nga sigurimet e Jetës gjatë periudhës janar-mars 2021, arritën rreth 294 milionë lekë, ose 10.34% më shumë se në periudhën janar- mars 2020.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto