Sytë drejt familjes në kohë pandemie

Sytë drejt familjes në kohë pandemie

familjen

Gent Rexha, 24-vjeçar nga Prishtina, muajt e parë të pandemisë së koronavirusit, i ka kaluar në një dhomë 23 metra katrorë në Vjenë.

Dhomën, që deri para marsit e ka shfrytëzuar vetëm për gjumë, pandemia e ka shtyrë ta shfrytëzojë edhe për qëndrim tërë ditën, punë, gatim dhe ushtrime fizike. Ai në Austri është në përfundim të studimeve të nivelit master, në fushën e shkencës mbi të dhënat.

Kur kreativiteti kishte filluar t’i binte, ashtu sikurse vullneti për punë apo çfarëdo tjetër, dëshira për të kaluar më shumë kohë me familje atij i ishte rritur goxha. “Kam filluar të flas me familjen shumë më shpesh, flisja çdo ditë me ta, edhe ata ishin vetëm brenda. Në atë fillim ende askush nuk ka qenë i infektuar dhe nuk kemi pasur ndonjë telashe”, tregon Rexha.

Lexoni: Empati, jo analitikë, është fuqia për të çuar idetë përpara

Duke kujtuar muajt e parë të pandemisë, Rexha ka thënë për Radion Evropa e Lirë se ndonëse i ishte ofruar mundësia që të kthehej në shtëpi, ai ka menduar që periudha e izolimit nuk do të zgjaste më shumë se dy eventualisht tri javë.

Përveç kësaj, edhe shqetësimet për infektim gjatë rrugës dhe bartje të virusit tek anëtarët më të moshuar të shtëpisë, e kanë ndalur dhe nuk ka marrë rrugën për në vendlindje. Dhe jo vetëm atij. Edhe shumëkujt tjetër që jeton jashtë vendlindjes, dilema të tilla pashmangshëm u kanë kaluar nëpër mendje.

Njerëzit nuk kanë qenë të sigurt me çfarë po përballen dhe ndërkohë që janë ashpërsuar masat kufizuese nga autoritetet, ata janë detyruar të përballen me nivele të ndryshme të izolimit, çka potencialisht mund të ketë ndikuar në ankth, mungesë të komunikimit me shoqërinë, pa harruar edhe humbjet e vendeve të punës dhe vështirësitë financiare.

Këto dhe shumë aspekte tjera kanë shtyrë Amanda Mataijan, që të organizojë grupe mbështetëse për të huajt rreth shëndetit mendor në Republikën Çeke. Mataija nga Kroacia, e cila merret me kurse të integrimit në Pragë, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se është nisur nga edhe përvoja e vet personale, kur ka vendosur të organizojë grupe të tilla. Sipas saj, këto organizime synojnë t’iu ndihmojnë të huajve që të këmbejnë përvoja me të cilat mund të përballet secili prej tyre në përditshmëri.

“Ideja që jeni të bllokuar në një vend të huaj, sidomos për ata që janë nga Amerika, Amerika Jugore, Australia, ata nuk mund vetëm të blejnë biletë e të shkojnë në shtëpi. Ata kanë mbetur këtu, larg rrethit të tyre shoqëror, larg familjeve, andaj edhe e përballojnë situatën më rëndë. Një tjetër gjë është edhe kur nuk e flet gjuhën e atij vendi. Si do të sigurosh mbështetje adekuate? Pra qasja në shërbime është menjëherë më e kufizuar”.

Ajo ka përmendur edhe çmimet e larta për të siguruar shërbimet që mund t’iu duhen këtyre personave.

“Shumë të huaj nuk kanë qasje në shërbimet shëndetësore publike dhe psikologët aty. Ka një listë pritjeje dhe duhet të presësh me muaj që të kesh një takim, natyrisht, nëse keni sigurim shëndetësor. Nëse nuk keni sigurim shëndetësor, atëherë duhet t’iu drejtoheni institucioneve private. Këto të fundit janë shumë të shtrenjta, një orë është rreth 80 euro”, ka thënë Mataija.

Mataija ka treguar se interesimi për grupet që organizon nga muaji mars është tejet i madh. Tani për tani grupet organizohen tri herë në javë, nga dy grupe për 1 orë e gjysmë, derisa pjesëmarrja, ka treguar ajo, është në bazë të donacioneve.

Për shkak të rritjes së shpejtë të numrit të të infektuarve me koronavirus në këtë shtet, autoritetet çeke kanë ndaluar grumbullimet e njerëzve në hapësira të hapura dhe mbyllura, andaj takimet Mataija ka thënë se po organizohen online.

Lexoni: ‘Paraja është dashuri gjithashtu’.5 mësime nga emigrantët për të menaxhuar portofolin

Lidhur me këtë temë e përditshmja britanike, The Financial Times, ka cituar një sondazh të kryer së fundmi nga kompania e shitjes së patundshmërive, Knight Frank, sipas së cilës, gati dy të tretat e personave që kanë një punë jashtë shtetit (64 për qind), kanë thënë se izolimi i ka nxitur të marrin vendime për të blerë pronë në vendlindje.

Prej tyre, 29 për qind kanë thënë se do të kthehen nëpër shtëpitë e tyre me orar të plotë derisa të tjerë kanë kërkuar një shtëpi të cilën do të mund ta përdornin në të ardhmen, apo edhe përgjatë valës së dytë të pandemisë.

Po nëse Austria mbyllet prapë?

Rexha është përgjigjur shpejt. Ai ka thënë se meqë mund të punojë nga shtëpia, tashmë e ka ndarë mendjen rreth mundësisë së izolimit të dytë.

“Jam i përgatitur vetëm për blerje të biletës së autobusit. Nuk ka aty zgjidhje tjetër për mua, dhe mendoj që në atë moment kur të ndodhë diçka e ngjashme, unë mund të vazhdoj t’i kryej të gjitha punët e mia edhe nga Kosova”. /REL

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #36 - Tetor 2024

Vjeshta solli rikthimin e aktiviteteve biznesore në ritmin e tyre të plotë, pas pushimeve të verës. Sipërmarrjet shqiptare, me dinamikat e tyre të pandalshme, janë aktualisht para një sfide dhe mundësie më të madhe. Proceset e përafrimit me BE-në krijojnë një mundësi për një treg më të madh, por kjo kërkon njëkohësisht përgatitjen të duhur për tregun.

Eventet e fundit, veçanërisht Future2Tech, tregoi se shumë kompani shqiptare, kryesisht në fushën e zhvillimit të Softwareve, po punojnë tashmë për tregun e huaj dhe janë kompani ndërkombëtare në kuptimin e plotë të fjalës. 

Në brendësi të këtij numri ne kemi sjellë histori brandesh dhe histori njerëzore; histori sipërmarrësish dhe profesionistësh, të cilët kanë investuar kohë dhe pasion në punët e tyre për të parë rezultatet që duken sot. Një prej brandeve për të cilin flasim sot, mbyll 3 dekada biznes në Shqipëri, diçka që vlen të marrë përgëzime nga të gjithë. 

Histori nga vendi dhe diaspora, rrugëtime në tregti, shërbim, apo edhe konsulencë, ky numër sjell një gamë të gjerë artikujsh, të shtrirë madje mes biznesit dhe artit, të cilat, kur ndërthuren, sjellin zhvillime shumë të bukura për shoqërinë.

Interesant është fakti se kushdo që …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0