Nga Alesia Makaj – INSTAT ka publikuar raportin e fundit të Bilancit të Energjisë Elektrike 2025 në një kohë kur përplasjet dhe konfliktet gjeopolitike kanë vënë në alarm tregjet energjitike, duke ushtruar presion edhe mbi qeveritë e aktorëve të mëdhenj gjeopolitikë.
Prodhimi i energjisë elektrike në Shqipëri sigurohet 98% nga burime të pastra dhe të rinovueshme, ku rreth 87% e tij vjen nga hidrocentrale dhe pjesa nga burime të tjera të rinovueshme, si energjia diellore. Kjo siguron, në pamje të parë, një lloj pavarësie për konsumatorin shqiptar dhe një mbrojtje “të përkohshme” ndaj luhatshmërisë së çmimeve të lëndëve fosile.
Megjithatë, në periudhat e deficiteve energjetike, shteti shqiptar është i detyruar të sigurojë energji elektrike në tregun e lirë ndërkombëtar. Sipas INSTAT, në 2025 importi bruto i energjisë elektrike (energji në marrje) arriti vlerën 3,375 GWh, nga 2,669 GWh në vitin 2024, duke shënuar një rritje prej 26,5%. Ndërkohë, në 2025 eksporti bruto i energjisë elektrike (energji në dhënie) arriti vlerën 2,498 GWh, nga 2,335 GWh në vitin 2024, duke shënuar një rritje vetëm prej 7%. Deficitit tregtar, ku importet janë më të mëdha se eksportet, i shtohet barra që Shqipëria eksporton energji gjatë periudhës së prodhimit më të lartë, kur çmimet në treg janë më të ulëta, dhe importon energji gjatë periudhës me prodhim më të ulët, kur çmimet janë më të larta.
Në tregtinë ndërkombëtare të energjisë reflektohen luhatjet e çmimeve, të cilat janë të ndikuara nga zhvillimet globale, si ato të fundit në Lindjen e Mesme. Nga kjo pritet ndikim, jo vetëm për shtetin, por edhe për mbi 1,200 subjekte biznesi shqiptare që operojnë në tregun e lirë dhe janë të ekspozuara ndaj volatilitetit të çmimeve.
Rritja e prodhimit të energjisë diellore
Prodhimi i energjisë elektrike diellore në Shqipëri është rritur me 94,3% gjatë vitit 2025 krahasuar me vitin e kaluar. Kjo rritje është nxitur nga liberalizimi i tregut, ndryshimet rregullative, siç është kryerja e bilancit neto dhe faturimi në bazë vjetore për vetëprodhuesit, si dhe nga kërkesa më e lartë për konsum energjie elektrike. Ky zhvillim vlerësohet si pozitiv, si një teknologji e re që diversifikon prodhimin e elektricitetit në vend dhe ul ndjeshëm kostot për përdoruesin fundor.
Nga ana tjetër, energjia mikse në Shqipëri, që përfshin naftën (diesel), benzinën dhe gazin natyror (LNG), përdoret kryesisht në mobilitet, por edhe në procese industriale dhe bujqësi, mbetet e pambrojtur dhe me një risk të lartë nga çdo luhatje e pritshme e çmimeve nga ngjarjet në Lindjen e Mesme. Nxitja e mëtejshme e investimeve në energjinë e rinovueshme dhe mobilitetin elektrik, i cili mund të furnizohet drejtpërdrejt nga burime të rinovueshme, duket si një hap i natyrshëm për të mitiguar sado pak riskun e rritjes së çmimeve të karburanteve, por kjo nuk do të lehtësonte goditjen e mundshme në afatin e shkurtër.
Qëndrueshmëria e energjisë së rinovueshme dhe impakti në mjedis
Megjithatë, edhe pse energjia e rinovueshme vlerësohet si më ekonomike dhe më e pastër se lëndët fosile, ajo nuk është pa impakt. Edhe pse aktualisht fokusi në politikbërje dhe vendimarrjen edhe ndërkombëtare mund të jetë zhvendosur në spote më të nxehta aktuale, qëndrueshmëria dhe përdorimi eficient i burimeve mbetet një vatër aktive, pavarësisht vëmendjes apo mungesës së saj. Instalimi i impianteve apo dhe parqeve të energjisë së rinovueshme në Shqipëri mund të shkaktojë konflikte në përdorimin e tokës, humbje të biodiversitetit, dëmtim të burimeve ujore, etj. Për t’u konsideruar janë dhe materialet e nevojshme për këto teknologji, varësia e prodhimit të tyre nga shtete si Kina, dhe problematikat që lidhen me asgjësimin e tyre në fund të jetës së përdorimit. Pa një plan të mirëfilltë dhe të qëndrueshëm, ky trend rritje në energjinë diellore në Shqipëri mund të kthehet në një burim problemesh afatgjata për mjedisin dhe ekonominë e vendit.
*Alesia Makaj është visiting researcher pranë Departamentit të Burimeve Globale dhe Qëndrueshmërisë në Konrad-Adenauer-Stiftung në Berlin, ku kryen hulumtime dhe analiza mbi çështjet e energjitikës dhe gjeopolitikës.
Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto