Heqja dorë nga sheqeri i shtuar për disa javë nuk është vetëm një ndryshim diete, është një “reset” i mënyrës si trupi dhe truri reagojnë ndaj ushqimit. Këtë e tregon një eksperiment personal i gazetares së shëndetit në BBC, e cila vendosi të eliminojë plotësisht sheqerin për gjashtë javë.
Lexo gjithashtu: Si do të ndryshojë Apple nën drejtimin e John Ternus?
Edhe pse ushqehej relativisht shëndetshëm, ajo pranon se ëmbëlsirat ishin pjesë e përditshme e rutinës. Por gjatë eksperimentit, u bë e qartë se sheqeri nuk fshihet vetëm te ëmbëlsirat, ai gjendet edhe në ushqime të zakonshme si buka, sanduiçët apo produktet e gatshme, shpesh pa u vënë re.
Ekspertët e cituar në studim theksojnë se konsumi i lartë i sheqerit lidhet me luhatje të shpejta të glukozës në gjak, rrezik për rezistencë ndaj insulinës dhe në afatgjatë me sëmundje si diabeti i tipit 2. Studiuesja Ashley Gearhardt e përshkruan sheqerin si një substancë që aktivizon fort mekanizmat e shpërblimit në tru, duke e bërë konsumimin e tij shumë të vështirë për t’u kontrolluar.
Nga ana tjetër, Robert Lustig paralajmëron se ndikimi i fruktozës në organizëm lidhet me uljen e energjisë dhe lodhjen, ndërsa Lina Begdache shpjegon se sheqeri stimulon lirimin e dopaminës në tru, një proces i ngjashëm me mekanizmat e varësisë.
Ditët e para të eksperimentit janë më të vështirat. Dëshirat për ëmbëlsira janë të forta, sidomos në situata sociale, por pas pak ditësh trupi fillon të përshtatet. Shijet bëhen më të ndjeshme dhe ëmbëlsia natyrale e frutave apo ushqimeve të thjeshta fillon të mjaftojë.
Rreth javës së tretë, ndryshimi bëhet më i dukshëm: dëshirat për sheqer bien ndjeshëm dhe energjia stabilizohet. Ushqimet e përditshme fillojnë të perceptohen ndryshe, më pak të varura nga “goditja e ëmbël”.
Por pjesa më interesante vjen në fund: rikthimi te sheqeri. Edhe një sasi e vogël u perceptua si tepër e fortë në shije dhe solli ndjesi të menjëhershme lodhjeje. Për shumë njerëz, kjo fazë ndryshon marrëdhënien me ëmbëlsirat në mënyrë afatgjatë.
Eksperimenti sugjeron një ide të thjeshtë por domethënëse: trupi përshtatet më shpejt se sa mendojmë – dhe ajo që sot na duket “e domosdoshme”, pas disa javësh mund të mos ketë më të njëjtin ndikim.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto