Keni një talent në artizanat? Zotëroni një smartphone i cili bën foto cilësore dhe jeni pjesë e Facebook-ut apo Instagram? Atëherë, i keni të gjitha kushtet për të ndërtuar një biznes online me punimet që bëni me dorë. Natyrisht që kjo nuk është një punë e thjeshtë, por, nëse keni kujdesin e duhur dhe vëmendjen për të vënë në jetë disa këshilla nga ekspertët, do të mund të rrisni masivisht suksesin e aktivitetit tuaj.
Shumë persona mendojnë se të bësh artizanat në kushte shtëpiake, është thjeshtë një hoby pa ndonjë rëndësi të madhe. Por, shumë femra (ndonjëherë edhe meshkuj) arrijnë të kenë sukses, vëmendjen e duhur dhe madje edhe një audiencë, e cila apasionohet pas punëdores së tyre dhe i ndjekur me vëmendje.
Nëse jeni artizanë dhe dëshironi të përmirësoni shitjet online, apo të shtoni akoma më shumë suksesin në biznes, ju ftojmë të lexoni më poshtë 5 gabimet që nuk duhet të bëni gjatë eksperiencës suaj në web.
Të postoni foto jo cilësore
Fotot janë vitrina juaj! Nëse duke shëtitur nëpër qytet, produktet e një vitrine ju tërheqin, atëherë ju jeni më të shtyrë të hyni në atë dyqan dhe për pasojë edhe të blini aty. Nëse keni një produkt, të cilin e keni vendosur në shitje online, vitrina juaj është foto që postoni. Nuk mund të postoni një foto jo cilësore, pa dritë të mjaftueshme, me një sfond të rrëmujshëm, i cili nuk vendos mjaftueshëm në dukje produktin tuaj dhe të prisni që ai produkt të blihet apo talenti juaj në punim të vihet në pah. Për këtë nuk është e nevojshme që të keni aparatin e fundit fotografik me Megapixel më të lartë, por thjeshtë të kujdeseni për disa aspekte thelbësore të fotografisë që realizoni si:
A) Sfondi neutral. Të bëni foton e produktit tuaj në një sipërfaqe ku nuk ka asnjë produkt tjetër jashtë funksionit të tij. Mund të përdorni një tabak të bardhë si sfond, i cili simulon një light box të përdorur rëndom nga profesionistët, ose, në rastin më të mirë, të modifikoni foton me programet kompjuterike që ofrojnë një sfond të bardhë apo neutral për produktin tuaj.
B) Fotografoni produktin nga afër. Duke qenë se klienti nuk mund ta prekë me dorë produktin tuaj, do të ishte i interesuar të paktën të shohë nga afër detajet e asaj çfarë do të mund të blinte. Kjo do ta ndihmonte ta perceptonte produktin si cilësor, aq mjaftueshëm sa ta shtyjë ta blejë apo të krijojë një porosi tek ju. Mos kini frikë se kopjoheni. Ju jeni unik. Ecni në rrugën tuaj të suksesit pa frikë.
Të lini punën tuaj pa një emër apo një “Markë/ Brand”
Ju punoni, keni talent, por i postoni punët tuaja pa një emër të përcatuar. Kjo nuk ju identifikon dhe nuk ndihmon që të mbaheni mend gjatë nga ndjekësit tuaj.
Mundet që punimi juaj të jetë i mrekullueshëm, dikush ta shohë atë, ta shpërndajë në rrjetet sociale, por as që kujtohet se kush e ka punuar, dhe për pasojë, nëse do të ishte një klient i mundshëm, me siguri e keni humbur atë. Kini kujdes! Emri apo marka juaj, duhet të krijohet me stil dhe me shije po aq sa dhe punimi juaj. Është aq e shëmtuar, kur mbi një punim të bukur dhe cilësor, vendoset emri i autores pa shije dhe gusto, i hedhur aty si zhurmues i imazhit. Mbajeni mend që ju jeni artistë dhe artisti kujdeset për çdo detaj të punës së tij përpara se ta ekspozojë në publik. Ndaj, vendosni markën apo emrin tuaj mbi foton e produktit, por kujdesuni që të mos e shëmtojë atë me kaligrafi primitive apo pa imagjinatë.
Të ofroni një produkt si gjithë të tjerët.
Një nga sekretet e suksesit në fushën e produkteve handmade, është specializimi. Sidomos nëse do të fokusoheni dhe do t’u jepni rëndësi shitjeve online. Nëse jeni shumë të “hapur” në punimet që bëni, pra, keni mundësi dhe talent që të punoni një shumëllojshmëri produktesh dhe nuk fokusoheni në një specialitet të caktuar, rrezikoni ta shpërqëndroni audiencën dhe të mos identifikoheni dot me markën tuaj: Bëni çentro apo bëni piktura? Qëndisni çarçaf apo pikturoni xhama? Gdhendni drurin apo punoni rruaza? Hapja në shumë sektorë, edhe pse mund të duket frytdhënëse dhe ju mund të keni talente të shumta, nuk ju favorizon në sferën e shitjeve dhe audiencës online. Askush nuk është gjitholog dhe mungesa e specializimit, ul nivelin e asaj çka mund të rritet në cilësi. Fokusimi në një sektor të caktuar, do t’ju ndihmonte të bëheshit ekspertë në atë fushë dhe të dalloheni nga konkurenca për nga cilësia dhe specializimi juaj i lartë. Kjo do të përkthehej në së paku në 2 aspekte: Shtimin e klientëve të apasionuar dhe të kënaqur me punën tuaj, dhe së dyti, do t’ju mundësonte rritjen e çmimit pikërisht për shkak të rritjes së specializimit dhe cilësisë që ofroni.
“Nënçmimi”, ulja e çmimit të produktit tuaj dhe mos vlerësimi i saktë i vlerës së tij monetare.
Nëse ju punoni me përkushtim, me cilësi dhe me specializim të lartë, por çmimet tuaja i mbani të ulëta, do të krijoni efektin e zhvlerësimit të punës suaj. Nuk do të krijoni siguri tek blerësi se vërtetë po blen një gjë që ka vlerë të lartë, sepse ju së pari e zhvleresoni atë duke ia ulur çmimin.
Puna juaj është e shtrenjtë! Keni derdhur mund dhe sakrificë në të dhe mbi të gjitha punimi juaj është unik dhe i pa përsëritshëm madje as nga ju vetë! Atëherë si mund ta zhvlerësoni monetarisht atë? Kujdes, nëse një klient nuk do t’ju vlerësonte, nuk do të vinte tek ju, ju jeni Artist. Nga ana tjetër, nëse një klient, pretendon që të punoni një punë cilësore por ai vetë ju ofron një çmim të ulët, atëherë nuk është klienti i duhur për ju. Mësoni të thoni Jo.
Të mos krijoni faqen tuaj profesjonalet të deikuar enkas në rrjetet sociale
Për t’u dalluar nga të tjerët, duhet të vendosni bazat ku audienca juaj dhe personat që ju ndjekin me pasion dhe kuriozitet t’ju gjejnë me lehtësi. Në këtë mënyrë, vizibiliteti juaj në mediat sociale do të shtohet vetë. Si talent do të dalloheni nga të tjerët, ndërkohë audienca juaj do të jetë gjithmonë në dijeni të punimeve tuaja të fundit, duke shtuar mundësinë që t’ju kontaktojnë dhe të porosisin sa më lehtë dhe sa më drejtpërdrejtë nga ju.
Nëse keni një produkt dhe mund ta shisni atë, ju keni një biznes. Me përqendrimin dhe strategjitë e duhura, ju mund të rrisni suksesin e biznesit tuaj.
Nisni që sot të shmangni gabimet e mësipërme dhe do të vëreni rritje të shitjeve dhe të vizibilitetit online.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.