400 euro për një takim? Ja qytetet më të shtrenjta për romancë në Europë - Business Magazine Albania

400 euro për një takim? Ja qytetet më të shtrenjta për romancë në Europë

Dashuria mund të jetë e paçmueshme, por takimet romantike jo. Ndërsa kostoja e jetesës vijon të rritet në mbarë kontinentin, edhe çmimi i një darke për dy persona është bërë më i “kripur” se kurrë më parë. Dhe nuk bëhet fjalë vetëm për takimin e parë. Edhe çiftet në lidhje afatgjata po kursehen përsa i përket daljeve dhe përvojave të përbashkëta.

Sipas një studimi të Deutsche Bank Research Institute, i publikuar në raportin “Mapping the World’s Prices”, kostoja e një “takimi të lirë” është analizuar në 67 qytete në mbarë botën dhe gati gjysma e tyre janë europiane. Euronews Business ka përzgjedhur të dhënat për kontinentin tonë dhe i ka krahasuar për të kuptuar se ku është më e kushtueshme, dhe ku më e përballueshme, të dalësh në një takim.

Por çfarë përfshin një “takim i lirë”, sipas këtij raporti? Një shishe verë, një palë xhinse, një fustan, dy kafe, një darkë për dy persona në një restorant të mesëm, dy bileta për kinema, dy bileta njëdrejtimëshe për transport urban dhe një udhëtim taksie prej 5 kilometrash.

Zvicra dhe vendet nordike, më të shtrenjtat për të dalë në takim
Këtë vit, Zvicra renditet si vendi më i shtrenjtë në Europë për një “takim të lirë”. Në krye të listës qëndron Gjeneva me një kosto mesatare prej 400 eurosh, e ndjekur nga Zyrihu me 393 euro.

Pas qyteteve zvicerane vijnë Kopenhaga (337 euro) dhe Oslo (321 euro), ndërsa Stokholmi renditet në vendin e shtatë me 292 euro, dhe Helsinki në vendin e nëntë me 286 euro. Këto kryeqytete nordike e bëjnë rajonin më të kushtueshëm për romantikët europianë.

Lexo edhe:Sa kushton një iPhone në Europë? Vendet ku do të paguani më shumë (dhe më pak)

Mbretëria e Bashkuar kryeson ndër katër ekonomitë kryesore të BE-së
Në Londër, një takim i thjeshtë kushton 313 euro (269 paund), ndërsa në Edinburg 297 euro (255 paund), duke i renditur qytetet britanike në vendin e pestë dhe të gjashtë. Kjo bën që Britania të jetë vendi më i shtrenjtë për takime mes katër ekonomive kryesore të Bashkimit Europian.

Në të kundërt, kryeqytetet e Francës, Gjermanisë, Spanjës dhe Italisë ofrojnë kosto dukshëm më të ulëta: Paris (268 euro), Berlin (248 euro), Madrid (224 euro) dhe Roma (200 euro).

Në disa raste, qytetet jo-kryeqytet janë më të shtrenjta sesa kryeqytetet: Milano (275 euro), Mynih (272 euro) dhe Frankfurt (251 euro). Një përjashtim i lehtë është Barcelona, me një kosto më të ulët prej 214 euro.

Mesatarja e një takimi të lirë në 28 qytete europiane është 264 euro.

Qytetet më të lira për një takim: Stambolli, Praga dhe Budapesti
Në anën tjetër të spektrit qëndron Stambolli, qyteti më i lirë europian për një takim, me vetëm 163 euro. Pas tij vijnë Praga (186 euro) dhe Budapesti (192 euro).

Megjithatë, këto shifra përfaqësojnë çmimet nominale dhe nuk marrin parasysh fuqinë blerëse të qytetarëve vendas. Kur në analizë përfshihen edhe të ardhurat, përfytyrimi i përballueshmërisë ndryshon ndjeshëm.

Sa ‘kushton’ dashuria jashtë Europës?
Jashtë Europës, qyteti më i shtrenjtë është New York-u, me një kosto prej 301 euro (354 dollarë), duke u renditur i gjashti në botë. Në anën tjetër, Bangalore, Indi, është më i liri, një takim kushton vetëm 88 euro.

Ndër qytetet e tjera të shtrenjta përmenden edhe Tel Aviv (291 euro) dhe Buenos Aires (252 euro), që janë më të shtrenjta se shumë qytete europiane, përfshirë edhe destinacione globale si Los Angeles (244 euro), Dubai (244 euro) dhe Tokio (184 euro). Në krahasim, Shanghai, Cape Town dhe Rio de Janeiro janë dukshëm më të lira, me një kosto nën 150 euro.

Në tetor 2022, inflacioni në Bashkimin Europian arriti nivelin më të lartë të katër dekadave të fundit. Kostoja e jetesës u rrit ndjeshëm pothuajse në të gjitha shtetet anëtare, dhe kjo pasqyrohet edhe në rritjen e çmimit të një takimi romantik.

Krahasuar me indeksin e vitit 2020, kostoja e një “takimi të lirë” është rritur ndjeshëm. Për shembull, në Stamboll, çmimi është rritur me 84% në euro. Rritje mbi 40% janë regjistruar në qytete si Edinburg (46%), Budapest (45%), Londër (41%) dhe Birmingham (40%). Një pjesë e kësaj rritjeje vjen nga luhatjet e kursit të këmbimit — në Britani, për shembull, rritja reale është rreth 33% në paund.

Në Turqi, situata është edhe më ekstreme: për shkak të zhvlerësimit të lirës, kostoja lokale e një takimi është rritur me mbi 840%.

Në pjesën më të madhe të qyteteve europiane, çmimi është rritur mesatarisht me 25-30% në pesë vitet e fundit. E vetmja përjashtim është Roma, ku kostoja ka rënë me 2% në terma euro.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

See more
Follow us
0