4 vlerat që duhet të ketë çdo kompani për të qenë e suksesshme - Business Magazine Albania

4 vlerat që duhet të ketë çdo kompani për të qenë e suksesshme

Nga Kozma Seferaj*– Çdo kompani ka një sërë vlerash dhe parimesh mbi të cilat ndërton aktivitetin e vet. Të gjitha këto vlera janë një burim që vjen nga lart-poshtë, nga drejtuesi i kompanisë te punonjësi më i ri i saj, kurrë e anasjellta. Nëse punonjësit e një kompanie kanë sjellje arrogante, është sepse dikush po sillet në mënyrë arrogante me ata. Disa kompani afishojnë në muret e tyre tabela të mëdha me titullin “Vlerat tona”, por ajo që ndodh në praktikë ka pak lidhje me atë që mendojnë se transmetojnë. Ajo që njeriu mendon për veten e tij jo gjithmonë është e vërtetë; e njëjta gjë vlen edhe për kompanitë.

Në një bisedë ditët e fundit me një mik, më tregonte se kishte pyetur një të afërm që t’i shpjegonte vlerat që ai person mendonte se kishte. Më tha: “U shokova.” Personi në fjalë punonte në një punë në sektorin e forex-it dhe kishte pranuar disa herë që në atë vend ndodhnin situata evazive ku klientët nuk informoheshin saktë për ato që firmosnin apo pranonin (një mënyrë e bukur për të përshkruar mashtrimin). A e dini cila ishte vlera kryesore që ai i njihte vetes? Integriteti! Po, po, integriteti. Ndërkohë që e kalonte gjithë ditën duke mashtruar njerëz…

E njëjta gjë vlen për kompanitë. Lideri i kompanisë, themeluesi apo CEO-ja mund të mendojë apo besojë shumë gjëra për biznesin e vet, por a kanë ato lidhje me realitetin? A janë të vërteta dhe të aplikuara, apo janë vetëm dëshira në rastin më të mirë, ose tabela që përdoren për marketing? Nëse dëshiron të bësh një “audit” të kompanisë që drejton apo ku punon, provo të kërkosh për këto të dhëna për të kuptuar të vërtetën. Unë jam përpjekur të listoj disa shprehje apo sjellje që tregojnë më së miri kulturën e vërtetë të kompanisë dhe vlerat/antivlerat që ajo përfaqëson:
1. “Këtë e bëra gabim” – A e dëgjoni këtë në kompaninë ku drejtoni apo punoni? Nëse jo, ka diçka që nuk shkon. Çdo punë do të ketë gabime; një pjesë e tyre janë rrjedhojë e drejtpërdrejtë e gabimit njerëzor, dhe kjo është krejt normale. Por mënyra si sillemi pas një gabimi ka shumë rëndësi. Së pari, drejtuesi i një kompanie duhet ta thotë këtë shprehje, dhe duhet ta thotë shpesh: “Ky ishte faji im”, “Këtu e gabova.” E shoh shpesh, sidomos në fytyrat e reja që hyjnë në Maxbrand, habinë në sytë e tyre kur unë them këto fjalë. Por është thelbësore që stafi ta dëgjojë këtë nga drejtimi i kompanisë. Kjo ka një efekt të dyfishtë në ambientin e punës: e para, u tregon punonjësve aspektin njerëzor të drejtimit, dhe e dyta, inkurajon një kulturë larg frikës.
Kozma Seferaj
2. “Kam nevojë për ndihmën tënde” – Si mundet një drejtues të thotë këtë shprehje? Fundja, punonjësit paguhen për të bërë punën dhe ti jep urdhra. Kaq. Një ditë po shihja mënyrën e komunikimit midis punonjësve në një korporatë në Shqipëri: urdhra të formuluara shkurt, pa emocion, të pashoqëruara në asnjë moment me “faleminderit” apo “të lutem”. Nëse ky është mentaliteti, atëherë pse duhet të habitemi nëse i vetmi motivim që punonjësi ka është paga? Paga është padyshim motivues, por nëse paga është i vetmi motivim, atëherë diçka nuk shkon. Dikush mund të argumentojë: “Në kompaninë tonë nuk kemi kohë për formalitete të tilla.” Por po sikur të mos i shohim si formalitete? Po sikur të jemi seriozë kur themi: “Kam nevojë për ndihmën tënde”, “faleminderit që më ndihmove”? A mund ta matim ndikimin real që kjo ka në kulturën e kompanisë?

3. “Çdo mendim që kam për punën tënde apo ty si person, do ta them përballë” – Kjo është një nga pjesët më të vështira. Kultura e kompanisë ndaj thashethemit është një nga sfidat më të mëdha që ajo duhet të përballojë, veçanërisht lidershipi. Në Maxbrand, ne kemi një sesion të gjatë “one-to-one” një herë në katër muaj. Ajo që i them çdo punonjësi është pikërisht kjo: “Çdo gjë që kemi për të diskutuar, duhet ta flasim këtu. Çdo gjë tjetër që flitet jashtë kësaj dhome quhet thashethem.” A është kompania jonë imune ndaj thashethemit? Absolutisht jo! Ka – dhe ka me shumicë. Por mund ta them me përgjegjësi të plotë se lidershipi i kompanisë ka një politikë “tolerancë zero ndaj thashethemit”. Nuk ndjekim askënd për të parë nëse përhap thashetheme – kjo është joefektive – por ajo që është në dorën tonë është të tregojmë që ne si drejtues nuk bëjmë thashetheme. Dhe nuk bëjmë, vërtet! Çdo mendim që kam për një punonjës, ia them hapur. Të gjithë e dinë çfarë mendoj për ta. Dinë çfarë bëjnë mirë dhe çfarë duhet të përmirësojnë. Dhe dinë diçka shumë të rëndësishme: që ajo bisedë mbetet brenda dhomës. Nëse del diku tjetër, ai/ajo do të dijë saktë se kush ka qenë në dijeni.

Le të jap një shembull praktik të një bisede të tillë (zakonisht zgjat më shumë se një orë):
“I dashur punonjës, mënyra si e kryen këtë detyrë është fantastike, më pëlqen shumë (duke përmendur konkretisht procesin dhe pse mendoj se po bën një punë të mirë). Ajo që duhet të përmirësosh është shpejtësia me të cilën kryen detyrën tjetër. Në këtë aspekt je i ngathët dhe joefektiv. Nga 1 në 10, vlerësimi im është 3. Kjo është diskutuar me menaxherin tënd dhe përveç nesh, askush tjetër nuk është në dijeni dhe nuk do të jetë kurrë. Ne jemi këtu që ti të përparosh, zhvillimi yt është zhvillimi i kompanisë. Ne do të bëjmë gjithçka që është në dorën tonë që ti të kesh sukses. Premtimi im është që asnjë nga këto fjalë nuk do të dalë jashtë kësaj dhome. Dhe nëse ndodh, unë jam i vetmi përgjegjës. Do të takohemi sërish në mbledhjen e radhës dhe do të shohim progresin tënd. A isha i qartë?”

4. A bëjnë eprorët komplimenta “mbrapa krahëve”? Kjo është e kundërta e thashethemit. Nëse fjala “thashethem” ka konotacion negativ, duhet të ekzistojë një term për këtë fenomen pozitiv. Të krijosh një kulturë ku kritika jepet privatisht, ndërsa lavdërimi publikisht, është diçka shumë e mirë. Por po t’i shtojmë lavdërimit publik edhe lavdërimin mbrapa krahëve? Së pari, kjo krijon një atmosferë pozitive për personin që dëgjon dhe në mënyrë të pavetëdijshme mendon: “Me shumë gjasa kështu flitet edhe për mua.” Së dyti, këto fjalë më herët a më vonë do të mbërrijnë në veshët e personit për të cilin janë thënë dhe do të kenë efekt të jashtëzakonshëm.

Këto ishin vetëm disa elementë që, sipas meje, e bëjnë një kompani “të jetueshme”. Nuk janë të vetmet, dhe sigurisht nuk garantojnë që kultura e përgjithshme do të jetë në nivel të lartë vetëm sepse shefi ju thotë “faleminderit” dhe “të lutem”. Megjithatë, provo të mos i bësh këto. Provo të bësh të kundërtën: të dëgjosh thashetheme, të japësh urdhra ftohtë, të flasësh keq pas krahëve për punonjësit dhe të mos pranosh kurrë fajin për asgjë. Do ta shohësh rezultatin e kësaj kulture herët a vonë. Vlerat e kompanisë nuk janë ato që varen në mur, por ato që mishërohen në punën e përditshme dhe ndërtohen ngadalë, me këmbëngulje.

*Kozma Seferaj është themelues dhe CEO i Maxbrand Albania

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

✨ Thënia e ditës
“Disiplina është ura midis qëllimit dhe arritjes.”
— Jim Rohn
Must watch
Business Mag Nr. #38 - Qershor 2025

Shqipëria është sot më pranë se kurrë Bashkimit Europian. Hapat integrues të ekonomisë drejt njëjtësimit me standardet europiane, transformimi digjital, ligji për mbrojtjen e të dhënave, qasja ndaj inovacionit dhe mbrojtja e pronës intelektuale, janë të gjitha tregues të një Shqipërie që po zhvillohet me ritme të kënaqshme.

Kjo nuk është më Shqipëria e viteve të gjumit institucional dhe të një sektori privat që rri në pritje. Sot, vendi është në lëvizje. Nga hapësirat e betonit gri të Piramidës në Tiranë, ku të rinjtë po programojnë të ardhmen, e deri te sipërmarrjet që sjellin zgjidhje inovative dhe injektojnë ritëm e ambicie në treg, po ndërtohet një ekonomi që kërkon të jetë pjesë e botës së zhvilluar.

“Krijo, por mbro!” – ky apel i DPPI-së duhet të shkruhet në çdo zyrë, studio, fabrikë apo laborator. Nuk ka zhvillim pa siguri ligjore, dhe nuk ka ekonomi kreative pa mbrojtje të së drejtës autoriale.
Në të njëjtën kohë, Bashkimi Europian po zgjat dorën me fonde dhe projekte konkrete. Nga modernizimi i rrjetit hekurudhor tek financimi i startup-eve dhe sipërmarrjeve të gjelbra, mbështetja e BE-së po i jep frymë një transformimi të qëndrueshëm ekonomik. Platformat si Think Big dhe programet e edukimit digjital janë duke krijuar një ekosistem të ri për inovacionin.

Për bizneset shqiptare, e tashmja është një mundësi që nuk mund të shpërdorohet. Standardet …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0