20 vjeçarja Klevisa Kapo krijon "Këndi i Letërsisë", portali që i bën jehonë gjuhës shqipe - Business Magazine Albania

20 vjeçarja Klevisa Kapo krijon “Këndi i Letërsisë”, portali që i bën jehonë gjuhës shqipe


Klevisa Kapo është vetëm 20 vjeç dhe momentalisht studion për Financë dhe Kontabilitet në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Tiranës. Ajo sapo ka përfunduar vitin e dytë të studimeve Bachelor dhe është mjaft e frymëzuar për të vazhduar më tej karrierën në fushat që lidhen me profesionin që ajo ka zgjedhur. Klevisa ka krijuar portalin “Këndi i Letërsisë” dhe në këtë intervistë për BusinessMag ajo na tregon më tepër për idenë, çfarë përfaqëson ajo dhe për planet që ka në lidhje me të.

BM: Si lindi ideja për të krijuar një portal që promovon gjuhën shqipe? Cili është qëllimi i tij?

K: “Këndi i Letërsisë” ka lindur si ide që në kohën, kur unë isha gjimnaziste në vitin e dytë dhe fillova të mësoja për gjuhët e programimit në lëndën TIK i avancuar. Kjo lëndë  më bëri të kuptoja praktikisht se si mund të kontribuoja edhe unë në përmbajtjen e rrjetit dhe menjëherë e lidha këtë kontribut me letërsinë. Me letërsinë, pasi kjo ishte një nga lëndët më të rëndësishme (duke qenë se është edhe provim në Maturë) dhe ne kishim shumë pak informacione për të. Sa herë na nevojitej informacion shtesë dhe bënim një kërkim në internet, ajo që gjenim, nëse e gjenim, ishte shumë larg nevojave tona.

Ndërkohë që unë personalisht zotëroja shumë materiale cilësore nga shënimet e mia dhe të gjithë librat që kisha lexuar, pasi më pëlqen shumë letërsia dhe lexoj vazhdimisht. Kështu, mendova se duhet të krijoja diçka të dobishme edhe për të tjerët dhe veçanërisht në aspektin e edukimit dhe në gjuhën shqipe, sepse më vjen shumë keq që sa herë kërkojmë për diçka cilësore në internet thuajse nuk nisemi asnjëherë nga gjuha jonë. Më pas, kur erdha në fakultet e përpunova idenë edhe me elemente të tjera për ta kthyer atë në fitimprurëse. Si p.sh. i shtova librat-audio, që do të jenë produkte të shitshme me përralla për fëmijë, të shoqëruara me muzikë të lehtë.

BM: Çfarë ofron portali “Këndi i Letërsisë”? Cilat janë kategoritë kryesore?

K: Në këtë platformë gjenden materiale origjinale për letërsinë, të shprehura në forma nga më të larmishmet, në mënyrë që të ndihmojnë të mësuarit efektiv dhe argëtues dhe çdo kategori përdoruesi të gjej formën e tij të preferuar. “Këndi i Letërsisë” përmban: analiza, komente, krijime njerëzish të zakonshëm, njoftime dhe evente për ngjarje të ndryshme letrare, leksione, libra-audio, kurse online falas për letërsinë dhe gjuhët e huaja, si edhe blogun, që ka postime për filma të bazuar në libra, poezi, fragmente librash, ese, fjalime, letra, thënie të njerëzve të famshëm, etj.

BM: Cili do të jetë burimi i përmbajtjes, materialet që do të jenë pjesë e portalit? Kush do të merret me kontrollin e tyre?

K: Momentalisht, përmbajtja e faqes është me materiale që unë i kam pasur nga koha e gjimnazit apo kontribute nga njerëzit e afërt, si p.sh. motra ime, shoqe, që kanë fituar çmime dhe janë të dalluara në këtë lëndë. Por, nëse rezulton një ide e sukseshme biznesi dhe siguroj financim për ta vazhduar më tej, sigurisht që do të ketë të punësuar persona profesionistë të fushës.

BM: Cili është target grupi që synon të tërheqë? Cili ka qenë imapkti deri më tani për ata që kanë patur mundësinë ta përdorin?

K: Target grupi janë gjimnazistët, studiuesit e letërsisë dhe ata që e kanë pasion atë e duan të mësojnë sa më shumë rreth saj duke përdorur edhe internetin në mënyrë “të shëndetshme” në të njëjtën kohë, pra për arsye edukuese, artistike e kulturore.

Para pak kohësh kam bërë disa prezantime në shkollat e mesme dhe jam ndjerë shumë e dobishme dhe e vlerësuar për këtë punë. Ndër komentet më të bukura që kam marrë kanë qenë: “Ku ke qenë më parë?” apo “Faleminderit që ke menduar për ne!”. Si edhe në rrjetet sociale, vazhdimisht marr komente pozitive rreth mënyrës së komunikimit me ndjekësit, gadishmërinë dhe për faktin se gjithmonë përpiqem t’i ofroj diçka edhe pse mund të mos ketë qenë pjesë e faqes deri në atë moment, vetëm për të ndihmuar ata që besojnë te “Këndi i Letërsisë”.

BM: A do të kemi më vonë një aplikacion mobile për portalin, pasi do të ishte më praktik për t’u përdorur?

K: E përmenda dhe pak më lart pjesën e financimit. Sigurisht, që nëse ia dal të siguroj fonde për këtë projekt, plani është për të ofruar shërbime që të jenë sa më shumë praktike dhe afër përdoruesve.

BM: Cila është strategjia e marketingut që do të përdorni në mënyrë që “Këndi i Letërsisë” të përhapet sa më shumë?

K: Kam menduar që me fillimin e vitit të ri shkollor të organizoj disa takime me gjimnazistët, në mënyrë që t’ia prezantojë nga afër platformën. Për këtë kam nevojë edhe për mbështetjen e shkollave apo Drejtorive Arsimore Rajonale. Forma të mundshme të marketimit janë edhe bashkëpunimet me libraritë, shtëpitë botuese, kafenetë-librari, etj nëpërmjet posterave, shënjuesve të librave, marketimit të ndërsjelltë në rrjetet sociale. Ndërkohë, po punoj me mediat sociale Facebook (Këndi i Letërsisë) dhe Instagram (kendi_letersise) dhe ju ftoj të na ndiqni!

BM: Dimë që keni marrë pjesë në Startup Live 2018. Si ishte eksperienca aty? Çfarë përfituat nga ky kompeticion? A ju mbështeti juria duke qenë se portali ofron diçka që vlen për vetë gjuhën shqipe?

K: E shijova pjesëmarrjen në Startup Live Tirana, pasi lidhet jo vetëm me këtë projekt por edhe me interesat e mia akademike e profesionale. Pjesa më e mirë e tij ishin mentorët. Mendoj se mora disa këshilla dhe sugjerime shumë të vlefshme prej tyre, të para nga këndvështrime dhe mentalitete të ndryshme dhe kjo është shumë e rëndësishme. Edhe konkurrentët ishin mjaft interesantë.

Kurse juria, fatkeqësisht, nuk ishte pika më e fortë e këtij kompeticioni, pasi ishte shumë e fjetur dhe pasive. Pothuajse, nuk e shfrytëzoi asnjëherë kohën e saj të plotë për të pyetur konkurrentët. Dhe realisht, konkurrentët (të paktën unë) kanë nevojë të kenë një mendim prej saj, mbështetje për gjërat pozitive, vënie në dukje të aspekteve negative, sugjerime, etj. Megjithatë, këto janë vetëm pritshmëri personale, që unë kam nga një juri e një konkursi me ide biznesi.

Për momentin po vazhdoj me sfidën e radhës të “Këndit të Letërsisë” në kompeticionin Startup City.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #36 - Tetor 2024

Vjeshta solli rikthimin e aktiviteteve biznesore në ritmin e tyre të plotë, pas pushimeve të verës. Sipërmarrjet shqiptare, me dinamikat e tyre të pandalshme, janë aktualisht para një sfide dhe mundësie më të madhe. Proceset e përafrimit me BE-në krijojnë një mundësi për një treg më të madh, por kjo kërkon njëkohësisht përgatitjen të duhur për tregun.

Eventet e fundit, veçanërisht Future2Tech, tregoi se shumë kompani shqiptare, kryesisht në fushën e zhvillimit të Softwareve, po punojnë tashmë për tregun e huaj dhe janë kompani ndërkombëtare në kuptimin e plotë të fjalës. 

Në brendësi të këtij numri ne kemi sjellë histori brandesh dhe histori njerëzore; histori sipërmarrësish dhe profesionistësh, të cilët kanë investuar kohë dhe pasion në punët e tyre për të parë rezultatet që duken sot. Një prej brandeve për të cilin flasim sot, mbyll 3 dekada biznes në Shqipëri, diçka që vlen të marrë përgëzime nga të gjithë. 

Histori nga vendi dhe diaspora, rrugëtime në tregti, shërbim, apo edhe konsulencë, ky numër sjell një gamë të gjerë artikujsh, të shtrirë madje mes biznesit dhe artit, të cilat, kur ndërthuren, sjellin zhvillime shumë të bukura për shoqërinë.

Interesant është fakti se kushdo që …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0