Falë transferimit të njohurive, Ndërmarrjet Vogla dhe të Mesme (NMV) në Shqipëri janë bërë më konkuruese dhe inovative
BERZH, BE dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë organizuan një aktivitet për të kremtuar arritjet e këtij bashkëpunimi në tre vitet e fundit
Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) ka zbatuar një program tre-vjeçar për këshillimin e Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme në Shqipëri, të financuar nga Bashkimi Evropian me vlerë rreth 2 milionë Euro.
Mbi 150 ndërmarrje janë mbështetur nga programi duke përfituar nga asistenca e konsulentëve vendas dhe ekspertëve ndërkombëtarë të industrisë. Ky program ka ndihmuar bizneset e vogla dhe të mesme të përftojnë njohuritë e nevojshme për t’u zhvilluar e për t’u bërë më konkuruese në tregjet rajonale dhe ato të Bashkimit Evropian.
Programi ka arritur rezultate në rritjen e konkurueshmërisë së NMV-ve, si dhe në rritjen e kapaciteteve të inovacionit dhe aftësisë për të tërhequr investime përmes përmirësimit të cilësive drejtuese, zhvillimit strategjik, marketingut, rritjes së eksporteve, menaxhimit të burimeve njerëzore dhe efiçencës në energji.
Si rezultat i programit, 85% e kompanive raportuan rritje në të ardhurat e tyre, 58 % raportuan rritje në numrin e punonjësve, mbi 70% e kompanive përfituese raportuan rritje në produktivitet, ndërsa 74% e kompanive eksportuese raportuan një rritje në volumet e eksportit .
BE është donatori më i madh individual i BERZH në pesë vitet e fundit që mbështet aktivitetet e Bankës në të gjithë vendet ku ajo operon. Ky program për këshillimin e NMV-ve vjen në vijim të programit prej 1 Milionë Euro të financuar nga BE për BERZH në 2008 dhe ka ndihmuar ndërmarrjet e vogla e të mesme në Shqipëri të adresojnë sfidat e brendshme që pengojnë rritjen e tyre. Që prej fillimit të aktivitetit në Shqipëri, BERZH ka investuar përafërsisht mbi 1 miliardë euro në mbi 80 projekte në sektorë të ndryshëm të ekonomisë vendase.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto