Marrëveshja mes Shqipërisë dhe Italisë për pensionet, e nënshkruar më shumë se një vit më parë, ka kaluar të gjitha procedurat ligjore dhe tashmë është publikuar në Fletoren Zyrtare të shtetit fqinj, çka nënkupton se në pak javë, ajo pritet të hyjë në zbatim.
Kjo marrëveshje u mundëson qytetarëve të të dyja vendeve që kanë kontribuar në skemat e sigurimeve shoqërore të aplikojnë për pension pranë institucioneve përkatëse – shqiptarët në Itali dhe italianët në Shqipëri. Si rezultat, ata do të mund të marrin pension të dyfishtë, në bazë të viteve të punës dhe kontributeve të derdhura në secilin shtet.
Përveç pensioneve të pleqërisë, marrëveshja mbulon edhe sigurimet për përfitime nga sëmundjet dhe papunësia. Për buxhetin italian, zbatimi i saj pritet të ketë një kosto prej 12 milionë euro gjatë vitit të parë, me një numër fillestar përfituesish prej 1387 personash.
Ky është një hap i rëndësishëm për mbrojtjen sociale të emigrantëve shqiptarë në Itali dhe të italianëve që punojnë në Shqipëri, duke garantuar një trajtim të drejtë dhe të barabartë në sistemin e sigurimeve shoqërore.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.