Një robot ka realizuar për herë të parë një operacion të plotë kirurgjik pa ndihmën e njeriut dhe me saktësi të plotë, sipas një njoftimi nga studiuesit në SHBA. Në atë që cilësohet si “një hap madhor” drejt integrimit më të gjerë të robotëve në sallat e operacionit, pajisja e trajnuar me video nga ndërhyrje të mëparshme kirurgjikale, arriti të heqë fshikëzën e tëmthit nga një pacient artificial me karakteristika shumë realiste.Sipas studiuesve të Universitetit Johns Hopkins, roboti tregoi ekspertizë të ngjashme me atë të një kirurgu me përvojë –madje edhe kur u përball me situata të papritura që zakonisht ndodhin në urgjencat reale mjekësore. Ndërhyrja përfshinte 17 detyra specifike, si identifikimi i kanaleve dhe arterieve të caktuara, kapja me saktësi, vendosja strategjike e kapësave, dhe prerja e pjesëve të nevojshme me gërshërë kirurgjikale.
Roboti reagoi në kohë reale edhe kur ndryshuan ngjyrat e indeve për shkak të injektimit të ngjyruesve, një situatë që kërkon përshtatje të menjëhershme. Ai gjithashtu dëgjoi dhe interpretoi urdhra zanorë nga ekipi – njësoj si një kirurg i ri që punon nën mbikëqyrjen e një mentori.
Nga imitimi, drejt të kuptuarit të vërtetë të kirurgjisë
“Ky përparim na çon nga robotë që thjesht ekzekutojnë detyra të caktuara, drejt robotëve që vërtet kuptojnë çfarë është një procedurë kirurgjikale,” – u shpreh profesori i inxhinierisë mekanike Axel Krieger. “Kjo është një dallim thelbësor që na afron me robotët autonomë të besueshëm në kirurgjinë klinike, të gatshëm për realitetin e papërsosur dhe të paparashikueshëm të kujdesit të pacientëve.”
Hulumtimi u mbështet nga fondet federale amerikane dhe u botua në revistën Science Robotics. Në vitin 2022, një robot kishte realizuar një ndërhyrje kirurgjikale autonome te një derr, por ajo kërkonte inde të shënuara posaçërisht dhe zhvillohej në kushte shumë të kontrolluara.
Lexo edhe: Ardian Jusufi, shkencëtari shqiptar që po i mëson robotët të ‘mbijetojnë’ si ketri
“Njësoj si t’i mësosh një roboti të ngasë makinën në një rrugë të caktuar, pa surpriza,” tha Krieger. “Tani është sikur ta mësosh të lundrojë në çdo rrugë, në çdo kushte, duke marrë vendime inteligjente në kohë reale.”
Sistemi i ri funksionon me arkitekturën e njëjtë të inteligjencës artificiale që përdor edhe ChatGPT, dhe përshtatet me karakteristikat anatomike të pacientit gjatë ndërhyrjes. Ai mëson nga komanda zanore si: “kap majën e fshikëzës së tëmthit” ose “lëvize krahun e majtë pak më në të majtë”.
Ji Woong Kim, ish-studiues në Johns Hopkins dhe aktualisht në Universitetin Stanford, thekson: “Puna jonë tregon se modelet e AI mund të bëhen të mjaftueshëm të besueshme për autonominë kirurgjikale – diçka që dikur dukej shumë larg, por sot është realisht e mundur.”
Megjithëse roboti kishte nevojë për më shumë kohë për të përfunduar ndërhyrjen sesa një kirurg i trajnuar, rezultatet ishin të krahasueshme me standardin e një profesionisti të nivelit të lartë. Ekipi do të vazhdojë trajnimin e sistemit për ndërhyrje të tjera kirurgjikale më komplekse.
“Gjithmonë është emocionuese të shohësh zhvillime të reja në inovacionin kirurgjikal, veçanërisht në robotikë dhe kirurgjinë digjitale,” – tha Nuha Yassin, kirurge e specializuar në kirurgjinë kolorektale dhe anëtare e Këshillit të Kolegjit Mbretëror të Kirurgëve në Angli.
“Megjithatë, prova e vërtetë do të jetë nëse rezultatet e këtij studimi mund të aplikohen në mënyrë të sigurt dhe efektive te pacientët realë. Progresi nuk duhet të bëhet në kurriz të sigurisë së pacientëve.”
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto