Punësimi nuk është thjesht një proces formal, është vendimi më i rëndësishëm strategjik që mund të merrni për të ardhmen e kompanisë suaj. Një punonjës i duhur mund të jetë arsyeja që biznesi juaj kalon në një nivel tjetër. Një punësim i gabuar, nga ana tjetër, mund të kushtojë kohë, para dhe moral të ulët në ekip.
Në një treg pune gjithnjë e më konkurrues, veçanërisht për sipërmarrjet e vogla që nuk mund të ofrojnë pagat më të larta në treg, mënyra si zgjidhni dhe tërhiqni njerëzit ka më shumë rëndësi se kurrë.
Më poshtë, gjeni 10 udhëzime praktike që çdo themelues, CEO apo drejtues HR duhet të ketë në fokus për të ndërtuar një skuadër fituese.
Planifikoni. Mos u nxitoni!
Vendimet e ngutshme në rekrutim janë të shtrenjta. Ndërtoni një proces të strukturuar, krijoni një përshkrim të qartë të rolit dhe kuptoni çfarë i mungon ekipit aktual, vetëm atëherë do të jeni gati për të zgjedhur kandidatin e duhur.
Mos punësoni vetëm për të plotësuar një vend.
Një pozicion bosh nuk duhet të mbushet thjesht për të “mbushur një karrige”. Në shumë raste, një bashkëpunim me freelancer apo kontraktor mund të jetë më efikas dhe fleksibël. Analizoni rolin dhe ndikimin që do të ketë mbi gjithë skuadrën.
Lexo gjithashtu: Pesë mësime nga drejtues të suksesshëm për sipërmarrësit e rinj!
Shikoni përtej CV-së.
Aftësitë teknike janë të rëndësishme, por qëndrimi, dëshira për të mësuar dhe përshtatja me kulturën e kompanisë mund të jenë më vendimtare. Një kandidat me më pak eksperiencë por i motivuar, shpesh sjell më shumë vlerë sesa një profesionist arrogant.
Mos u mbështesni vetëm në përshtypjet e para.
Intervistat janë të rëndësishme, por jo gjithçka. Kontrolloni referencat, bëni një kërkim të thjeshtë online, dhe verifikoni nëse ajo që kandidati deklaron përputhet me realitetin.
Bëhuni një kompani “që punonjësit e mirë kërkojnë”.
Nëse nuk keni mundësi të jepni paga të larta, krijoni një ambient që ofron zhvillim profesional, fleksibilitet, përfshirje dhe qëndrueshmëri. Një punë e kuptimplotë, një lider frymëzues dhe një skuadër e mbështetëse vlen më shumë sesa një bonus i njëhershëm.
Lexo gjithashtu: Hollywoodi kthen sytë nga Shqipëria: Dhoma Amerikane takon liderët botërorë të industrisë së filmit
Mos nënvlerësoni fuqinë e komunikimit.
Qoftë gjatë intervistës, procesit të onboardimit apo në përditshmëri mënyra si komunikoni përcakton sa të përkushtuar ndihen njerëzit ndaj misionit tuaj. Sidomos me punonjësit në distancë, komunikimi i qartë dhe i rregullt është jetik.
Mbroni kulturën e kompanisë.
Edhe nëse punësoni dikë për punë tërësisht në distancë, sigurohuni që ai/ajo të përshtatet me vlerat dhe stilin e punës që keni ndërtuar. Inkludimi në ekip nuk ndodh vetvetiu kërkon përkushtim nga të gjitha palët.
Mos i lini pa përgjigje kandidatët.
Për shumë njerëz, procesi i aplikimit për një punë është emocionalisht i ngarkuar. Edhe nëse një kandidat nuk përshtatet, t’i ktheni një email falënderimi është respekt që ju kthehet në reputacion të mirë në treg.
Përdorni teknologjinë për të punësuar më mirë.
Platforma si BambooHR, Rippling apo Gusto ndihmojnë jo vetëm në përzgjedhje por edhe në onboardim dhe menaxhim të punonjësve. Automatizimi i disa proceseve ju lejon të përqendroheni tek ajo që ka më shumë rëndësi: njerëzit.
Mos mendoni që puna mbaron me punësimin.
Zhvillimi i punonjësve, trajnimi, motivimi dhe mundësia për rritje janë çelësi për të mos u kthyer çdo muaj në pikën zero të rekrutimit. Kujdesuni për talentin që tashmë keni tërhequr, është pasuria më e madhe që zotëroni.
Punësimi nuk është betejë, është partneritet.
Nëse e trajtoni çdo rekrutim si një investim, dhe çdo kandidat si një mundësi për të ndërtuar diçka më të madhe, do të shihni që njerëzit e duhur nuk janë vetëm më produktivë – por edhe më të përkushtuar, më kreativë dhe më të lumtur.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.