Nuk e dimë nëse sot keni gënjyer apo ju kanë gënjyer… por a e dini si lindi 1 Prilli, Dita e Gënjeshtrave?
Ata që bëhen pjesë e kësaj loje, qoftë duke gënjyer apo duke rënë pre e saj, njihen si “Budallenjtë e Prillit” (April Fools), një traditë që është përhapur në mbarë botën si “Dita e Budallenjve”.
Një nga historitë më interesante lidhet me profesorin Joseph Boskin, i cili tregoi se një shakaxhi me emrin Kugel i kishte thënë perandorit se mund ta drejtonte më mirë perandorinë. Perandori, duke e marrë me sportivitet, e lejoi Kugelin të bëhej “perandor për një ditë”, më 1 prill. Dhe pikërisht ai e shpalli këtë ditë si ditën e gënjeshtrave.
Lexo edhe:Smells Like AI Spirit: Teknologjia dhe e ardhmja u takuan në Tiranë
Por… ka një kthesë. Kjo histori, e publikuar në vitin 1983 nga Associated Press, rezultoi të ishte vetë një gënjeshtër. Boskin e kishte trilluar si një shaka për 1 Prillin, dhe agjencisë iu desh kohë ta kuptonte gabimin dhe t’u kërkonte falje lexuesve.
Me kalimin e kohës, kjo datë u kthye në një traditë argëtuese, sidomos në Britani gjatë viteve 1800, ku njerëzit nisën të bëjnë rrengje me njëri-tjetrin. Shakatë u bënë aq të famshme, sa u përfshinë edhe institucione serioze. Një nga më të njohurat është ajo e BBC-së në vitin 1957, kur raportoi për “të korrat rekord të makaronave në Zvicër”, duke treguar pemë nga të cilat “rriteshin” jufkat.
Ndërkohë, historia njeh edhe raste më ekstreme, si ajo e një gruaje amerikane që u arrestua pasi deklaroi se kishte vrarë burrin e saj, një “shaka” që shkoi shumë larg.
Traditat e 1 Prillit ndryshojnë nga një vend në tjetrin. Në Skoci, festa zgjat dy ditë, ku dita e dytë shoqërohet me rrengje fizike, si goditje të papritura nga pas. Në Kanada dhe Angli, gënjeshtrat lejohen vetëm deri në mesditë – më pas loja përfundon.
Në Francë, fëmijët vendosin në shpinën e njëri-tjetrit një letër në formë peshku, pa u vënë re. Ndërsa në Shqipëri, 1 Prilli shijohet plot 24 orë, me rrengje që shpesh përpiqen të jenë sa më bindëse… dhe ndonjëherë edhe pak “të rënda” për viktimën. Pavarësisht formës, një gjë mbetet e njëjtë: 1 Prilli është dita kur gënjeshtra kthehet në argëtim.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto