Zuckerberg njofton nisjen e një iniciative të re të Meta-s për infrastrukturën e inteligjencës artificiale - Business Magazine Albania

Zuckerberg njofton nisjen e një iniciative të re të Meta-s për infrastrukturën e inteligjencës artificiale

Zuckerberg njofton nisjen e një iniciative të re të Meta-s për infrastrukturën e inteligjencës artificiale

Kur Meta publikoi parashikimet për shpenzimet kapitale vitin e kaluar, kompania e bëri të qartë se ishte gati të investonte fuqishëm për të zgjeruar kapacitetet e saj në fushën e inteligjencës artificiale (AI). “Ne presim që zhvillimi i një infrastrukture udhëheqëse për AI të jetë një avantazh kyç për krijimin e modeleve më të mira dhe përvojave më të avancuara për përdoruesit,” deklaroi Susan Li, drejtoresha financiare e Meta-s, gjatë një konference mbi rezultatet financiare verën e kaluar.

Tashmë, duket se gjiganti teknologjik po e vë në praktikë këtë strategji. Të hënën, CEO i Meta-s, Mark Zuckerberg, njoftoi lançimin e Meta Compute, një iniciativë e re që synon forcimin dhe zgjerimin e ndjeshëm të infrastrukturës së kompanisë për AI. Sipas Zuckerberg, Meta planifikon të rrisë ndjeshëm konsumin dhe kapacitetin energjetik në vitet në vijim.

“Meta po planifikon të ndërtojë dhjetëra gigavat kapacitet energjetik gjatë kësaj dekade, dhe qindra gigavat apo më shumë në afatgjatë. Mënyra se si ne projektojmë, investojmë dhe bashkëpunojmë për ndërtimin e kësaj infrastrukture do të kthehet në një avantazh strategjik,” shkroi Zuckerberg në një postim në platformën Threads.

Lexo edhe: 7 robotë humanoidë që po ripërcaktojnë mënyrën se si punojmë dhe jetojmë

Për kontekst, një gigavat është një njësi matëse e fuqisë elektrike e barabartë me një miliard vat. Zgjerimi i shpejtë i industrisë së AI-së, e njohur për konsumin e lartë të energjisë, pritet të rrisë ndjeshëm kërkesën për energji elektrike në SHBA gjatë dekadës së ardhshme — nga rreth 5 gigavat aktualisht në deri në 50 gigavat, sipas disa vlerësimeve.

Zuckerberg ka emëruar tre drejtues që do të udhëheqin këtë projekt strategjik. Njëri prej tyre është Santosh Janardhan, drejtuesi global i infrastrukturës në Meta, i cili është pjesë e kompanisë që nga viti 2009. Ai do të drejtojë punën mbi arkitekturën teknike, software-in, programet e silikonit, produktivitetin e zhvilluesve, si dhe ndërtimin dhe operimin e rrjetit global të qendrave të të dhënave (data centers) të Meta-s.

Në projekt është përfshirë edhe Daniel Gross, i cili iu bashkua Meta-s vetëm vitin e kaluar. Gross është bashkëthemelues i Safe Superintelligence, së bashku me ish-kryeshkencëtarin e OpenAI, Ilya Sutskever. Sipas Zuckerberg, Gross do të drejtojë një grup të ri brenda Meta-s, përgjegjës për strategjinë afatgjatë të kapaciteteve, partneritetet me furnitorë, analizën e industrisë, planifikimin dhe modelimin e biznesit.

Figura e tretë kyçe është Dina Powell McCormick, ish-zyrtare qeveritare, e cila së fundmi është emëruar presidente dhe zëvendëskryetare e Meta-s. Ajo do të ketë për detyrë bashkëpunimin me qeveritë për të ndihmuar në “ndërtimin, vendosjen, investimin dhe financimin e infrastrukturës së Meta-s”.

Njoftimi vjen në një kohë kur gara për ndërtimin e mjediseve cloud të gatshme për AI gjenerative po intensifikohet ndjeshëm. Parashikimet për shpenzimet kapitale të shpallura vitin e kaluar tregojnë se edhe konkurrentët kryesorë të Meta-s kanë ambicie të ngjashme. Microsoft ka zgjeruar partneritetet me ofrues të infrastrukturës për AI, ndërsa në dhjetor, kompania mëmë e Google, Alphabet, njoftoi blerjen e firmës së qendrave të të dhënave Intersect.

 

techcrunch

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0