Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka përfunduar hartimin e udhëzimit për zbatimin e projektligjit të ri “Për tatimin mbi të ardhurat”.
Udhëzimi shoqërues i projektligjit, i publikuar nga Instituti i Kontabilistëve të Miratuar, përcakton normën progresive të tatimit nga 15 deri 23% për të ardhurat neto të biznesit (pasi zbriten shpenzimet e lejuar me këto norma do të tatohet fitimi neto.)
Për të ardhurat nga biznesi, për të cilat baza e tatimit është e ardhura neto pra diferenca e të ardhurave minus shpenzimet e zbritshme, zbatohen normat: 15% për fitimet neto deri në 14,000,000 lekë në një vit tatimor dhe 23 % për çdo lek fitim neto mbi fitimin neto 14,000,000 lekë në vit.
Tatimpaguesi i të ardhurave personale me të ardhura nga punësimi dhe nga biznesi, mund të zbresë nga baza tatimore respektive për periudhën tatimore shumën prej 600,000 lekë nëse të ardhurat vjetore janë deri 600,000 lekë; shumën prej 420,000 lekë nëse të ardhurat vjetore janë mbi 600,000 lekë deri në 720,000 lekë; shumën prej 360,000 lekë nëse të ardhurat vjetore janë mbi 720,000 lekë dhe një shumë kompensimi për çdo fëmijë në ngarkim të tij më pak se 18 vjeç dhe që jeton së bashku me tatimpaguesin në një familje të përbashkët prej 48,000 lekë.
Sipas udhëzimit nëse një person fizik tregtar apo i vetëpunësuar, pasi nga e ardhura bruto ka zbritur çdo shpenzim të zbritshëm dhe çdo zbritje të lejuar deklaron fitim neto 12.000.000 lekë, tatimi që do paguajë do jetë 12,000,000 x 15 % = 1,800,000 lekë.
Ndërsa për personin fizik tregtar apo të vetëpunësuar, pasi nga e ardhura bruto është zbritur çdo shpenzim të zbritshëm dhe çdo zbritje të lejuar sipas nenit 22 të ligjit, deklaron fitim neto 20.000.000 lekë, tatimi që do paguajë do jetë: 14,000,000 x 15 % + 6,000,000 x 23 % = 2,100,000 + 1,380,000 = 3,480,000 lekë.
Projektligji në nenin 69 të dispozitës kalimtare përcakton se tatimi i ri nis zbatimin nga 1 janari 2023 për profesionet e lira, ndërsa të vetëpunësuarit do të vijojnë të kenë normë tatime zero deri në 2029.
Për individët tregtarë;ii të vetëpunësuarit, si dhe; iii. entietet, me të ardhura bruto deri 14 milionë lekë në vit, norma e tatimit mbi të ardhurat 0% do të aplikohet deri në fund të vitit 2029. Norma e tatimit 0 % nuk aplikohet për tatimpaguesit e përmendur në nënndarjet “ii” dhe “iii” më sipër, të cilët furnizojnë shërbime profesionale. Lista analitike e shërbimeve profesionale përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.
Përjashtimisht për vitin 2023, për tatimpaguesit që furnizojnë shërbime profesionale, të cilët janë subjekt i tatimit mbi të ardhurat nga 1 janari 2023, parapagesat e tatimit mbi të ardhurat do bëhen në dy këste: 31 tetor dhe 31 dhjetor 2023.
Disa nene të udhëzimit
- Baza Tatimore Vjetore
21.1 Për efekt të përcaktimit të bazës tatimore vjetore të të ardhurave të individit, merren në konsideratë të tre kategoritë e të ardhurave: të ardhurat vjetore të tatueshme të punësimit, të ardhurat vjetore të tatueshme të biznesit dhe të ardhurat vjetore të tatueshme të investimeve. Kjo bazë tatimore vjetore zvogëlohet me kompensimet dhe zbritjet e përcaktuara sipas ligjit.
21.2 Për tre kategoritë e të ardhurave personale të cilat përbëjnë bazën e tatueshme, tarifat tatimore aplikohen në mënyrë individuale për çdo kategori, sipas përcaktimeve në ligj:
- të ardhurat nga punësimi tatohen sipas normave progresive 13 % dhe 23 %;
- të ardhurat neto nga biznesi tatohen sipas normave progresive 15 dhe 23 %;
- të ardhurat nga investimi tatohen sipas normave respektive 8 % dividentët dhe ndarjet e fitimit dhe 15 % të ardhurat e tjera nga investimi
22.Zbritjet nga baza tatimore
22.1 Tatimpaguesi i të ardhurave personale me të ardhura nga punësimi dhe nga biznesi, mund të zbresë nga baza tatimore respektive për periudhën tatimore:
- një shumë prej 600.000 lekë nëse të ardhurat vjetore janë deri 600.000 lekë;
- një shumë prej 420.000 lekë nëse të ardhurat vjetore janë mbi 600.000 lekë deri në 720.000 lekë;
- një shumë prej 360.000 lekë nëse të ardhurat vjetore janë mbi 720.000 lekë;
- një shumë kompensimi për çdo fëmijë në ngarkim të tij më pak se 18 vjeç dhe që jeton së bashku me tatimpaguesin në një familje të përbashkët prej 48,000 lekë.
22.2 Kërkesën për zbritjet personale, tatimpaguesi i të ardhurave personale me të ardhura nga punësimi, mund ta kërkojë nëpërmjet Deklaratës, nga agjenti i tij tatimor i listëpagesës në bazë mujore, në vlerën prej 1/12 e shumës së përmendur në nenin 22, Paragrafi 1. Zbritja personale mund të pretendohet vetëm një herë në një vit tatimor.
22.3 Tatimpaguesi i cili kërkon zbritjen personale apo pjesë të saj, nuk mund ta kërkojë më shumë se një herë në një muaj. Agjenti tatimor i listëpagesës është i detyruar të marrë në konsideratë në baza mujore 1/12 zbritjet dhe llogarit në listëpagesë tatimin mbi të ardhurat për të punësuarin që ka nënshkruar deklaratën mbi statusin personal me këtë agjent tatimor të listëpagesës. Punëmarrës nuk mund të nënshkruajë deklaratën për statusin personal me më shumë se një agjent tatimor të listëpagesës për të njëjtën periudhë kalendarike mujore.
22.4 Ndërsa, kërkesa për zbritje nga baza tatimore në lidhje me kompensimin për fëmijën në ngarkim të tij bëhet nga anëtari i familjes me të ardhura më të larta vjetore të tatueshme, nëpërmjet deklaratës vjetore të të ardhurave.
Shembull 1:
Iliri punon me kohë të plotë si financier në kompaninë “XX” dhe ka pagë bruto 70,000 lekë/muaj ose 840,000 lekë/vit. Ndërkohë, punon dhe në një zyrë kontabël me kohë të pjesshme me një pagë 40,000 lekë/muaj ose 480,000 lekë/vit.
Llogaritja e zbritjes nga baza tatimore: Iliri zgjedh të nënshkruajë Deklaratën e Statusit Personal me zyrën kontabël. Zyra kontabël mban tatimin mbi të ardhurat nga punësimi, si dhe është i detyruar të marrë në konsideratë në baza mujore 1/12 e zbritjeve nga baza e tatimit. Konkretisht e ardhura tatimore e Ilirit nga zyra kontabël është 480,000 lekë/vit. Ligji thotë se për pagat deri në 600.000 lekë/vit, aplikohet një zbritje deri në 600.000 lekë/vit. Në rastin konkret agjenti tatimor duhet të aplikojë një zbritje mujore prej 600.000lekë/12 pra 50,000 lekë në muaj. Punëmarrësi ka një pagë prej 40,000 lekë/muaj në zyrën kontabël ku pasi i aplikojmë zbritjen tatimore, baza e tatueshme mbetet zero dhe në këtë rast punëmarrësi nuk paguan tatimin e të ardhurave nga punësimi për të ardhurat në zyrën kontabël.
Kompania “XX”, referuar ”, paragrafit 1, të nenit 65, aplikon një tatim progresiv 13% dhe 23% sipas paragrafit 1 të nenit 24 të ligjit mbi pagën dhe nuk aplikon zbritje nga baza tatimore Tatimpaguesi i tatimit mbi të ardhurat personale me të ardhura vjetore të tatueshme nga punësimi, të ardhura vjetore të tatueshme nga biznesi dhe të ardhura vjetore të tatueshme nga investimi më pak se 1.2.000.000 lekë mund të zbresë përveç shumave individuale sipas paragrafit më sipër, shpenzimet korrente për: a. shpenzimet për arsimin e fëmijëve në ngarkim të tij, në vlerën maksimale 100,000 lekë; b. medikamentet për fëmijët e tij ose në ngarkim të tij dhe personave që ka nën kujdestarinë e vet, në vlerën maksimale 30.000 lekë. Kërkesa për zbritje nga baza tatimore në lidhje me shpenzimet për arsim dhe medikamente bëhet nga anëtari i familjes me të ardhura më të larta vjetore të tatueshme, nëpërmjet deklaratës vjetore të të ardhurave.
- Norma tatimore
24.1 Për të ardhurat nga punësimi, normat tatimore që zbatohen janë 13 % dhe 23 %.
Reduktimi i ngarkesës tatimore për të punësuarit me të ardhura të ulëta, nuk bëhet nëpërmjet aplikimit të tarifës 0 % për një segment të caktuar page, por duke reduktuar bazën e tatimit (pagën bruto) me një shumë të caktuar të parashikuar në nenin 22 të ligjit.
24.2 Për të ardhurat nga biznesi, për të cilat baza e tatimit është e ardhura neto pra diferenca e të ardhurave minus shpenzimet e zbritshme, zbatohen normat: a. 15% për fitimet neto deri ne 14.000.000 lekë në një vit tatimor b. 23 % për çdo lek fitim neto mbi fitimin neto 14.000.000 lekë në vit
24.3 Nëse një person fizik tregtar apo i vetpunësuar, pasi nga e ardhura bruto ka zbritur çdo shpenzim të zbritshëm dhe çdo zbritje të lejuar sipas nenit 22 të ligjit, deklaron fitim neto 12.000.000 lekë, tatimi që do paguajë do jetë 12.000.000 x 15 % = 1.800.000 lekë.
24.4 Nëse një person fizik tregtar apo i vetëpunësuar, pasi nga e ardhura bruto ka zbritur çdo shpenzim të zbritshëm dhe çdo zbritje të lejuar sipas nenit 22 të ligjit, deklaron fitim neto 20.000.000 lekë, tatimi që do paguajë do jetë: 14.000.000 x 15 % + 6.000.000 x 23 % = 2.100.000 + 1.380.000 = 3.480.000 lekë.
24.5 Të ardhurat nga investimi tatohen përkatësisht 8% të ardhurat nga dividentët/ndarjet e fitimit dhe 15% çdo zë tjetër i të ardhurave nga investimi. Përveçse kur parashikohet ndryshe në ligj, asnjë kosto nuk zbritet kundrejt të ardhurave nga investimi.
24.6 Shembuj të llogaritjes së tatimit:
Ana punon në një zyrë programimi dhe paga e saj bruto është 230,000 lekë/muaj ose 2,760,000 lekë/vit. Bashkëshorti i Anës ka një biznes për tregtimin e pajisjeve hidro-sanitare dhe ka të ardhura neto 3,250,000 lekë/vit. Ndërkohë Ana ka një depozitë me afat nga e cila merr një normë interesi 20,000 lekë/vit, ndërkohë Beni ka disa aksione në kompaninë “XX” e cila për këtë vit ka paguar dividendë në vlerën 25,000 lekë/vit. Ana dhe Beni kanë dhe tre fëmijë përkatësisht 13, 15 dhe 18 vjeç.
a) Llogaritja e tatimit mbi të ardhurat nga punësimi: Ana ka të ardhura vjetore nga punësimi në shumën 2,760,000 lekë, pra të ardhurat e saj e kalojnë shumën prej 600,000 lekë dhe zbritja nga baza tatimore që Ana përfiton, referuar paragrafit 1 të nenit 22 të ligjit është 360,000 lekë. Gjithashtu Ana ka dy fëmijë nën moshën 18 vjeç për të cilët për të cilët përfitohet një kompensim nga baza tatimore prej 48,000 lekë për fëmijë, pra 96,000 lekë në total megjithatë, duke qenë e Beni ka të ardhura më të larta, do të jetë Beni ai që do ta kërkojë këtë kompensin nga baza tatimore, si dhe zbritjet e parashikuara në paragrafin 2 të nenit 22. Tatimi mbi të ardhurat nga punësimi që Ana do të paguajë do të jetë: Të ardhurat vjetore nga punësimi prej 2,760,000 lekë/vit zvogëlohen me zbritjet e parashikuara sipas këtij ligji. 2,760,000 lekë/vit – 360,000 lekë/vit = 2,400,000 lekë/vit E ardhura vjetore, pasi aplikohen zbritjet dhe kompensimet tatohet: 2,040,000 lekë/vit * 13% + (2,400,000 lekë/vit – 2,040,000 lekë/vit) * 23% = 265,200 lekë/vit + 82,800 lekë/vit = 358,000 lekë në/vit tatimi që Ana paguan për të ardhurat nga punësimi.
b) Llogaritja e tatimit mbi të ardhurat nga biznesi: Beni ka të ardhura neto vjetore si i vetëpunësuar në shumën 3,250,000 lekë. Referuar paragrafit 1 të nenit 22, të ardhurat e Benit janë mbi 600,000 lekë/vit, prandaj zbritja nga baza tatimore që Beni përfiton është 360,000 lekë. Beni si tatimpaguesi me të ardhurat më të larta në familje do të përfitojë një kompensim nga baza tatimore prej 48,000 lekë për çdo fëmijë në moshën nën 18 vjeç, pra 96,000 lekë në total për dy fëmijët që janë më pak se 18 vjeç. Ndërkohë, Beni nuk i përfiton zbritjet nga baza tatimore të parashikuara në paragrafin 2 të nenit 22, duke qenë se të ardhurat vjetore janë më të larta se 2,000,000 lekë. Të ardhurat neto vjetore nga biznesi zvogëlohen nga zbritjet tatimore dhe kompensimet e parashikuara sipas këtij ligji. 3,250,000 lekë/vit – (360,000 lekë/vit + 96,000 lekë/vit) = 2,890,000 lekë/vit E ardhura vjetore, pasi aplikohen zbritjet dhe kompensimet tatohet: 2,794,000 lekë/vit * 13% =363,220 lekë/vit tatimi që Beni paguan për të ardhurat nga biznesi.
c) Llogaritja e tatimit mbi të ardhurat nga investimi: Të ardhurat nga depozita me afat e Anës dhe të ardhurat nga dividendët që Beni ka marrë nga investimi në aksione, janë të ardhura nga investimi. Tatimpaguesit e të ardhurave nga investimi mund të zbresin nga baza tatimore zbritjet sipas paragrafit 2 të nenit 22, por këto zbritje nuk përfitohen nga tatimpaguesit në fjalë, sepse të ardhurat e Benit e tejkalojnë shumën 2,000,000 lekë/vit. Tatimi mbi të ardhurat nga investimi, që do të paguajë Ana, për interesat e përfituara nga depozita me afat do të jetë: 20,000 lekë/vit * 15% = 3,000 lekë Tatimi mbi të ardhurat nga investimi, që do të paguajë Beni, për dividentët e përfituar nga investimi në aksione do të jetë: 25,000 lekë/vit * 8% = 2,000 lekë.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.