YouTube është gjithçka dhe gjithçka është YouTube! - Business Magazine Albania

YouTube është gjithçka dhe gjithçka është YouTube!

YouTube është gjithçka dhe gjithçka është YouTube!

Dy dekada më parë, ideja që qëndronte pas krijimit të YouTube dukej pothuajse naive. Në janar të vitit 2005, dy punonjës të PayPal-it, Chad Hurley dhe Steve Chen, kishin vënë re një problem të përbashkët në një festë: ndarja e fotove ishte e lehtë, por ajo e videove ishte tepër e ndërlikuar. Formate të ndryshme,  softuerë të ndryshëm – një rrëmujë teknologjike. Kjo i çoi ata drejt një zgjidhjeje të thjeshtë: të krijonin një platformë që e bënte më të lehtë se kurrë ndarjen e videove në internet. Brenda një viti, ideja e tyre ishte kthyer tashmë në një sukses të madh.

Sot, në përvjetorin e 20-të të videos së parë të ngarkuar në YouTube, shifrat që përshkruajnë platformën janë thuajse të pabesueshme: mbi 3.5 miliardë përdorues aktivë në muaj, 36 miliardë dollarë të ardhura vetëm nga reklamat, dhe më shumë shikime se çdo platformë tjetër – përfshirë Netflix, Disney+, Prime Video dhe të tjerat së bashku, kur flasim për pajisjet televizive.

YouTube është kthyer në motorin e dytë më të përdorur të kërkimit në internet, pas Google, dhe njëkohësisht rrjeti i dytë më i madh social pas Facebook-ut. Ai është platforma më e përdorur për muzikë dhe podcast, dhe një burim i pafund për çdo formë përmbajtjeje – nga videot e maceve te fituesit e çmimeve Oscar.

Lexo edhe:A e di si mund të fitosh para nga Linktree?

Nga thjeshtësi teknologjike te kompleksiteti global

Sot, YouTube është shumë më tepër se një platformë për ndarjen e videove. Ai përfshin formate të ndryshme – nga videot e shkurtra (Shorts) që konkurrojnë me TikTok dhe Instagram Reels, te programet me cilësi të lartë që konkurrojnë me Netflix, si dhe videot klasike të krijuara nga përmbajtësit (mid- dhe long-form content), një kategori që i përket vetëm YouTube-it. Ekspertët brenda kompanisë e ndajnë platformën në tri kategori kryesore për të shpjeguar më mirë pozicionimin e saj në treg: streaming (përmbajtje premium), video sociale (Shorts), dhe video tradicionale online (nga krijuesit e përmbajtjes). Ky klasifikim nuk është rastësor – është i ndërtuar për të përputhur mënyrën se si funksionon reklama në industrinë e medias. YouTube ka gjetur mënyrën për të tërhequr çdo buxhet marketingu – që nga ai për reklama televizive deri te fushatat e blerjeve apo bashkëpunimet me marka. Platforma ofron zgjidhje për çdo segment audience, në çdo pajisje, dhe në çdo moment të ditës.

Një koleksion i pangopur përmbajtjeje

Në thelb, YouTube mund të përshkruhet si një koleksionist i pangopur përmbajtjeje. Çdo përpjekje, çdo investim, dhe çdo strategji ka një qëllim të vetëm: të rrisë kohën që përdoruesit kalojnë në platformë. Dhe mënyra më efektive për ta arritur këtë është përmes krijuesve të përmbajtjes. Ndaj YouTube i paguan ata më mirë se platformat e tjera sociale – sepse e kupton se e gjithë makina funksionon vetëm nëse ka përmbajtje që ia vlen të rekomandohet. YouTube ka absorbuar çdo lloj përmbajtjeje: nga emisionet televizive të piratuara që e bënë të famshëm në fillimet e tij, te përpjekjet për të krijuar filma dhe seriale origjinale, dhe së fundmi, te partneritetet me rrjete televizive për të sjellë evente të drejtpërdrejta, si NFL Sunday Ticket. Edhe në fushën e audio-s, YouTube është shndërruar në një platformë gjigante – ndonëse YouTube Music është më i vogël se Spotify, përdoruesit që dëgjojnë muzikë në vetë platformën YouTube e bëjnë atë numri një globalisht.

Si ta kuptosh suksesin e vërtetë të YouTube

Nuk është vetëm algoritmi që e bën YouTube të funksionojë, por sasia e jashtëzakonshme e përmbajtjes që platforma ka arritur të grumbullojë. Ndërsa Netflix ofron rreth 6,500 tituj në total, YouTube ka miliarda video, që nga eksperimente të thjeshta e deri te projekte të sofistikuara profesionale. Dhe në këtë konkurrencë për vëmendjen e audiencës, YouTube ka bindur miliona njerëz se ndoshta preferojnë të shikojnë MrBeast sesa një serial të njohur televiziv. Në fund të fundit, YouTube nuk është më thjesht një vend për të ndarë video. Është një industri më vete. Dhe nëse historia e deritanishme është një tregues, kjo platformë është ende larg pikës kulmore të saj.

the verge

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0