X e Elon Musk nën akuzë, abuzimi ndaj fëmijëve po shpërndahet masivisht në platformë - Business Magazine Albania

X e Elon Musk nën akuzë, abuzimi ndaj fëmijëve po shpërndahet masivisht në platformë

Të paktën 150 llogari në platformën X kanë shpërndarë “miliona” postime gjatë një periudhe katërditore në korrik, të cilat nxisnin përdoruesit të blinin materiale që shfrytëzonin seksualisht fëmijët, sipas një hetimi të ri.

Një grup studiuesish evropianë ka zbuluar atë që beson të jetë një rrjet i koordinuar për shitjen dhe shpërndarjen e imazheve me përmbajtje seksuale të fëmijëve në rrjetin social X.
Organizata jofitimprurëse Alliance4Europe ka identifikuar të paktën 150 llogari që shpërndanë materiale të abuzimit seksual të fëmijëve (CSAM) gjatë katër ditëve në korrik. Raporti vlerëson se rrjeti i koordinuar ka nisur aktivitetin rreth datës 17 maj.

Sipas studiuesve, rrjeti ka shpërndarë “miliona” postime dhe “ka vazhduar të operojë kryesisht pa pengesa të mëdha” në platformën X, e cila drejtohet nga miliarderi Elon Musk.

Ky raport publikohet pak ditë pasi një gjykatë amerikane ringjalli një pjesë të një padie kundër X, ku kompania akuzohej për neglizhencë, pasi dyshohet se nuk raportoi në kohë pranë Qendrës Kombëtare për Fëmijët e Humbur dhe të Shfrytëzuar (NCMEC) një video me pamje eksplicite të djemve të mitur.

Lexo edhe: TikTok sfidon “fake news” me shënime komunitare – a funksionon vërtet ky model?

Ndërkohë, në Bashkimin Evropian vijon debati se si duhet trajtuar fluksi masiv i përmbajtjes së abuzimit ndaj fëmijëve në internet, duke ruajtur njëkohësisht të drejtat e privatësisë digjitale të qytetarëve.

Hashtag-ët pornografikë, si porta hyrëse për përmbajtjen e abuzimit
Sipas analizës, rrjeti kriminal ka përdorur disa hashtag-ë të lidhur me pornografinë, të cilët më pas amplifikoheshin nga llogari të reja. Këto llogari komentonin ose rishpërndanin materialet për të rritur ndërveprimin. Hashtag-ët shërbenin si “grumbullues” të përmbajtjes CSAM, “duke e bërë të lehtë gjetjen e hashtag-ëve të tjerë të ngarkuar dhe të llogarive të reja që shpërndanin materiale të tilla”, theksohet në raport. Disa nga postimet ishin jashtëzakonisht grafike, duke përfshirë video ku fëmijët “sulmoheshin seksualisht, përdhunoheshin ose ekspozoheshin në mënyrë eksplicite”.

Shumë prej këtyre postimeve përmbanin lidhje drejt bisedave në Telegram apo Discord, faqe takimesh, ose sajte që shisnin dosje me përmbajtje të abuzimit seksual të fëmijëve. Një prej faqeve të amplifikuara lidhej me një adresë aktive të portofolit Bitcoin, e cila kishte grumbulluar 660 dollarë (rreth 573 euro) përmes 23 transaksioneve, një tregues i mundshëm se rrjeti po arrin tek klientë realë që blejnë akses në këtë përmbajtje.

Euronews i kërkoi koment kompanisë X mbi gjetjet e Alliance4Europe dhe informacion nëse ka ndërmarrë ndryshime të fundit për sa i përket përmbajtjes CSAM. Nuk pati një përgjigje të menjëhershme.

Megjithatë, në qershor, ekipi i sigurisë së X deklaroi se ka “zero tolerancë ndaj shfrytëzimit seksual të fëmijëve në çdo formë”. Platforma tha se ka nisur “përpjekje të reja për krahasimin e ‘hash’-eve të përmbajtjes CSAM”, duke i mundësuar ekipit të identifikojë media të paligjshme “shpejt dhe në mënyrë të sigurt” pa cenuar privatësinë e përdoruesve.

Krahasimi i hash-it është një teknikë algoritmike që krijon “gjurmë digjitale” të një skedari dhe i krahason ato me një bazë të dhënash ekzistuese.

“Ne kemi investuar në teknologji dhe mjete të avancuara për të ndaluar aktorët e këqij nga shpërndarja, kërkimi ose angazhimi me përmbajtje shfrytëzuese në çdo format mediatik në X,” theksoi kompania në qershor.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.



Na Suporto
✨ Thënia e ditës
“Mos qaj për shkak se mbaroi, por buzëqesh sepse ndodhi.”
— Dr. Seuss
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0