Web Summit 2025: 70 mijë pjesëmarrës, 2500 startup-e dhe debat mbi dominimin e inteligjencës artificiale - Business Magazine Albania

Web Summit 2025: 70 mijë pjesëmarrës, 2500 startup-e dhe debat mbi dominimin e inteligjencës artificiale

Gjigantët e teknologjisë janë rikthyer këtë javë në kryeqytetin portugez, ku nisi zyrtarisht Web Summit 2025, një nga konferencat më të mëdha të teknologjisë në Europë, që këtë vit shënon 10-vjetorin e saj në Lisbonë. Megjithatë, ata që udhëtojnë me avione privatë kanë hasur vështirësi për t’u ulur në aeroportin kryesor të qytetit, për shkak të mbingarkesës së fluturimeve gjatë eventit. Disa prej tyre janë detyruar të zbresin në aeroporte më të largëta, madje edhe në Spanjë.

“Ka mungesë hapësirash për ulje dhe ngritje avionësh privatë gjatë Web Summit,” njoftuan organizatorët përmes një emaili, duke shtuar se Aeroporti i Lisbonës po përballet me vështirësi në menaxhimin e fluksit të madh të trafikut ajror.

Në skenën kryesore të konferencës, të mbushur me drita shumëngjyrëshe dhe publik, folën Maria Sharapova, ish-teniste dhe investitore, influenceri Khaby Lame, si dhe CEO i Lovable, një kompani suedeze që po tërheq vëmendje në fushën e “vibe coding”.

Edhe pse fokusi kryesor mbetet teknologjia, Web Summit vazhdon të tërheqë emra të njohur nga bota e sportit. Këtë vit, në mesin e folësve janë figura të Formula 1, si Toto Wolff, drejtues i Mercedes AMG Petronas, dhe Laurent Mekies, CEO i Oracle Red Bull Racing.

Lexo edhe: Për çfarë po bashkëpunojnë Google dhe Samsung?

Sipas CEO-së së Web Summit, Paddy Cosgrave, edicioni i sivjetëm nënvizon rolin e Lisbonës si qendër e inovacionit në Europë. Ai përmendi se Polonia ka numrin më të madh të startup-eve pjesëmarrëse deri më tani, ndërsa Gjermania shënon rënie.

Në total, priten mbi 70,000 pjesëmarrës, 2,500 startup-e dhe 900 folës nga e gjithë bota. Në event marrin pjesë kompani të mëdha si: Meta, Nvidia, Microsoft dhe Boston Dynamics.

Ndër temat kryesore të këtij viti janë inteligjenca artificiale, rregullimi i saj nga qeveritë, si dhe etikat e teknologjisë. Komisionerja europiane për sovranitetin digjital dhe demokracinë, Henna Virkkunen, pritet të flasë për sfidat rregullatore, ndërsa Des Hogan, kreu i Komisionit Irlandez për Mbrojtjen e të Dhënave, do të trajtojë çështjet e mbikëqyrjes së privatësisë.

Një tjetër temë në qendër të debatit është konsumi në rritje i energjisë nga qendrat e të dhënave, të cilat, sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë (IEA), përbëjnë 1.5% të konsumit global të energjisë elektrike dhe kanë shënuar rritje mesatare prej 12% në vit gjatë pesë viteve të fundit.

 

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0