“War rooms”, grupe në chat dhe videolojëra, çfarë po ndodh brenda startup-it të inteligjencës artificiale të Elon Musk - Business Magazine Albania

“War rooms”, grupe në chat dhe videolojëra, çfarë po ndodh brenda startup-it të inteligjencës artificiale të Elon Musk

“War rooms”, grupe në chat dhe videolojëra, çfarë po ndodh brenda startup-it të inteligjencës artificiale të Elon Musk
Dëgjo këtë artikull
AI Generated
0:00 / 0:00

Në zyrat e xAI në Palo Alto, inxhinierët brohorisnin. Ishte 2 shkurt dhe sapo kishin marrë një memo nga Elon Musk, ku njoftohej se startup-i i inteligjencës artificiale do të blihej nga kompania e tij hapësinore, SpaceX. Në një kanal Slack të ekipit që trajnon chatbot-in Grok, u shpërndanë meme dhe disa punonjës ndryshuan fotot e profilit duke u shfaqur si astronautë. Entuziazmi zgjati pak. Shumë shpejt u zëvendësua nga presioni që po rritej brenda kompanisë, e cila po përpiqej të kapte rivalë si OpenAI dhe Anthropic, ndërkohë që përgatitej për një dalje të mundshme në bursë.

Gjatë gjashtë muajve të fundit, Musk është përfshirë drejtpërdrejt në funksionimin e përditshëm të kompanisë. Ai ka drejtuar grupe masive chat-i aktive në çdo orë të ditës, ka ndërhyrë në ndryshime produktesh, ka zhvendosur inxhinierë nga një projekt në tjetrin, ka shkurtuar ekipe dhe ka ngritur të ashtuquajturat “war rooms” për të përshpejtuar zhvillimin. Sipas disa punonjësve aktualë dhe ish-punonjësve, ky nivel përfshirjeje ka ndryshuar rrënjësisht mënyrën se si funksionon kompania. Roli i drejtuesve është ngushtuar, projektet ndryshojnë shpejt dhe ekipet ndihen vazhdimisht nën presion, në një gjendje që një prej tyre e përshkroi si “alarm i përhershëm”. Musk e ka justifikuar këtë qasje duke thënë se ndryshimet janë të domosdoshme ndërsa kompania rritet. Duke folur për ristrukturimin e xAI pas blerjes nga SpaceX, ai shkroi në X se, ashtu si çdo organizëm i gjallë, struktura e një kompanie duhet të evoluojë ndërsa rritet me shpejtësi.

Një makineri e tipit Musk: e vogël, intensive dhe nën presion konstant

Në memon për blerjen nga SpaceX, Musk fliste për vizione futuriste si “ndërtimi i një dielli të ndjeshëm” dhe qendra të dhënash në hapësirë. Ndërkohë, kompania u tha punonjësve se përditshmëria e tyre nuk do të ndryshonte shumë, teksa xAI përgatitej për një IPO që, sipas parashikimeve, mund ta vlerësonte kompaninë deri në 1.5 trilionë dollarë. Por brenda një jave, atmosfera ndryshoi ndjeshëm. Dy bashkëthemelues, Jimmy Ba dhe Tony Wu, njoftuan dorëheqjen pasi Musk ristrukturoi kompaninë dhe ngushtoi përgjegjësitë e tyre. Largimet në këtë fazë delikate rrisin rrezikun për kompaninë, veçanërisht përpara një daljeje në bursë, sipas analistëve të industrisë.

Një punonjës e përshkroi largimin e Ba-së si “jashtëzakonisht zhgënjyes”, duke thënë se ai ishte një nga studiuesit më të respektuar në kompani. Në ditët që pasuan, disa punonjës të tjerë njoftuan publikisht largimin e tyre. Disa ishin larguar më herët, të tjerë u prekën nga ristrukturimi, ku u shkurtohen ekipe që punonin për gjenerimin e imazheve dhe videove në Grok, si edhe një ekip që synonte automatizimin e punëve administrative.

Punonjësit tregojnë se ritmi i punës është përshpejtuar ndjeshëm, veçanërisht pasi Musk i ka reduktuar angazhimet e tij politike dhe është fokusuar më shumë tek xAI. Ai shihet shpesh në zyrë, por nuk përdor Slack-un e kompanisë. Në vend të kësaj, komunikon kryesisht përmes X, ku ka edhe një grup privat me qindra inxhinierë. Shpesh, studiuesit lënë mënjanë punët aktuale për të adresuar çështjet që Musk ngrit në këto biseda.

Sipas burimeve, Musk ka shprehur pakënaqësi për ritmin e zhvillimit të Grok. Disa produkte janë shtyrë në kohë sepse ai nuk ka qenë i kënaqur me performancën e tyre. Në një rast, një publikim u vonua sepse Musk ishte i pakënaqur me mënyrën se si chatbot-i i përgjigjej pyetjeve të detajuara për një videolojë të njohur. Ditë pune prej 12 deri në 16 orë nuk janë të rralla, ndërsa disa menaxherë presin përgjigje ndaj mesazheve brenda 30 minutash, pavarësisht orarit. Në zyrat e xAI funksionojnë vazhdimisht disa “war rooms”, ku ekipet mbyllen në ambiente të përbashkëta për javë apo muaj të tërë për të zgjidhur probleme specifike. Një prej tyre, sipas burimeve, ishte dedikuar mësimit të Grok për të luajtur një nga lojërat e preferuara të Musk, League of Legends.

Lexo edhe: Pse disa CEO startup-esh nuk besojnë se AI do t’i zëvendësojë njerëzit në punë

Fokus te Ani dhe tensionet rreth sigurisë

Një tjetër pikë tensioni brenda kompanisë ka qenë fokusi i madh në zhvillimin e Ani, një personazh virtual i stilit anime me përmbajtje erotike, i cili shërben si shoqërues digjital. Musk e ka parë këtë produkt si mënyrë për ta diferencuar xAI nga konkurrentët. Disa punonjës janë ndjerë të pakëndshëm me këtë prioritet, duke thënë se kishin ardhur në kompani për të punuar në projekte shkencore më themelore. Në të njëjtën kohë, sjellja e Grok në rrjetet sociale ka sjellë kritika publike, përfshirë raste me përmbajtje antisemitike apo krijim imazhesh jo konsensuale. Këto episode kanë vënë në siklet punonjësit dhe kanë ngritur pikëpyetje për mënyrën se si trajtohen çështjet e sigurisë. Deri vonë, xAI nuk kishte një ekip të dedikuar për sigurinë e modeleve të AI. Edhe sot, sipas burimeve, ekipet e sigurisë kanë pak autoritet për të ndalur lançime produktesh dhe fokusohen më shumë në rregullimin e problemeve pasi produktet dalin në treg. Disa punonjës janë larguar pikërisht për shkak të këtij presioni dhe kritikave publike. Kompania ka shkurtuar edhe periudhën e “vesting”-ut të aksioneve nga një vit në gjashtë muaj, duke e bërë më të lehtë largimin pa humbur përfitime. Megjithatë, gara në fushën e inteligjencës artificiale mbetet e hapur. Analistë të industrisë e krahasojnë situatën aktuale me fillimet e internetit, ku asgjë nuk ishte ende e vendosur përfundimisht. Vetë Musk mbetet optimist. Në një takim të fundit me stafin, ai tha se ka njerëz që janë më të përshtatshëm për fazat e hershme të një kompanie dhe të tjerë që përshtaten më mirë me fazat e rritjes dhe maturimit.

AOL

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.



Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0