Gjiganti global i shitjes me pakicë, Walmart, po përgatitet të lançojë një seri “super agjentësh” të fuqizuar nga inteligjenca artificiale (AI), me synimin për të revolucionarizuar përvojën e blerjes dhe për të nxitur rritjen e shitjeve online.
Kompania njoftoi se do të prezantojë katër agjentë të rinj të bazuar në agentic AI , një teknologji që i lejon sistemet me inteligjencë artificiale të veprojnë si ndihmës virtualë, shpesh pa ndërhyrjen e njeriut. Këta agjentë do t’i shërbejnë segmenteve të ndryshme, përfshirë klientët, punonjësit, furnitorët, shitësit dhe zhvilluesit e softuerëve. Qëllimi është që super agjentët të bëhen pika kryesore e kontaktit për çdo ndërveprim me AI në këto grupe, ndërsa Walmart përpiqet të rrisë praninë e vet në tregtinë online dhe të rivalizojë Amazonin. Aktualisht, Walmart ka të ardhura vjetore prej 648 miliardë dollarësh, ndërkohë që 50% e shitjeve totale vijnë nga ecommerce, një treg në të cilin kompania po kërkon të zgjerohet edhe më tej përmes AI-së.
Një nga agjentët e parë të lançuar është Sparky, një mjet i fuqizuar nga gjenerata e re e inteligjencës artificiale (Gen-AI), i cili tashmë është i disponueshëm në aplikacionin e Walmart. Në formën e tij të avancuar si “super agjent”, Sparky do të jetë në gjendje të bëjë porosi të përsëritura për produktet e blera më parë, të ndihmojë në planifikimin e eventeve dhe të sugjerojë receta bazuar në përbërësit që klientët kanë në shtëpi, tha Hari Vasudev, CTO i Walmart për SHBA, gjatë një eventi të zhvilluar të mërkurën.
Lexo edhe:Analizë: (Gjeo)politika e demokracisë në Europën e gjerë
Walmart gjithashtu po përgatit një super agjent të quajtur “Associate”, i cili do t’u vijë në ndihmë punonjësve dhe stafit administrativ në kryerjen e detyrave të përditshme. Aktualisht, ata përdorin disa mjete të ndryshme të AI-së për këtë qëllim, por me “Associate” këto procese do të konsolidohen dhe automatizohen më tej. Për shitësit, furnitorët dhe reklamuesit, kompania është duke zhvilluar agjentin “Marty”, që do të thjeshtojë procesin e regjistrimit në platformë, menaxhimin e porosive dhe krijimin e fushatave të marketingut. Ndërkohë, një tjetër agjent në zhvillim është “Developer”, i cili do të shërbejë për testimin e të gjitha mjeteve të ardhshme të AI-së brenda kompanisë. “Agjentët mund të ndihmojnë në automatizimin dhe thjeshtimin e pothuajse çdo procesi që realizojmë,” deklaroi Suresh Kumar, CTO global i Walmart. Ai shtoi se kompania vendosi të lançojë super agjentët tani, sepse “klientët janë të gatshëm, ata tashmë po përdorin AI në thuajse çdo aspekt të jetës së tyre.”
Me këtë hap, Walmart demonstron qartë angazhimin për të përqafuar transformimin dixhital dhe për t’i paraprirë zhvillimeve të ardhshme në sektorin e shitjes me pakicë, duke vendosur inteligjencën artificiale në zemër të përvojës së konsumatorit dhe menaxhimit të biznesit.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto