Ministria e Turizmit dhe Mjedisit njoftoi sot se UNESCO ka dhënë rekomandimin zyrtar për shpalljen e Luginës së Vjosës si Rezervat i Biosferës. Kjo pritet të përforcojë statusin ndërkombëtar të Luginës së Vjosës dhe të promovojë më tej ruajtjen e natyrës dhe zhvillimin e qëndrueshëm në rajon.
“Është më shumë se një vlerësim ndërkombëtar, është një njohje për bukurinë e egër të Vjosës, mirënjohje për njerëzit e atyre trevave që jetojnë në harmoni me natyrën dhe për përpjekjet e përbashkëta në mbrojtjen e lumit të fundit të egër të Europës”, u shpreh ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro.
Ministrja theksoi se ky rezultat nuk është i rastësishëm, por vjen pas një pune intensive të institucioneve përkatëse. Ajo përmendi vizitën e parë të drejtoreshës së përgjithshme të UNESCO-s, Audrey Azoulay, në Luginën e Vjosës në shkurt 2023, si dhe përkushtimin e vazhdueshëm të specialistëve të Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura.
Lexo edhe: Zëri i Vjosës dëgjohet në botë, aktivistët shqiptarë nderohen me ‘Goldman’
“Vjosa sot nuk është vetëm një lumë, por është një model i zhvillimit të qëndrueshëm, ku natyra frymëzon. Në shtator të këtij viti, pritet që Këshilli i Rezervateve të Biosferës i UNESCO-s të miratojë përfundimisht përfshirjen e Vjosës në listën e pasurive botërore, si një himn për natyrën dhe për njerëzit”, deklaroi Kumbaro.
Lumi Vjosa është i njohur si “lumi i fundit i egër në Europë”, pasi rrjedh në mënyrë të lirë për rreth 270 km, nga burimet në malet e Pindit në Greqi (ku quhet Aoos), deri në derdhjen në detin Adriatik në Shqipëri.
Lugina e Vjosës është një ekosistem unik, që përfshin habitate të ndryshme si pyje, ishuj ranorë dhe toka bujqësore, më shumë se 1100 lloje bimore dhe shtazore, përfshirë specie të rrezikuara si vidra, pelikanët dalmatianë dhe peshq endemikë, është një korridor migrimi për shumë shpendë dhe një zonë e rëndësishme për biodiversitetin europian.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto