“Vizitoni Shqipërinë”, artikulli i publikuar nga prestigjozja Huffington Post - Business Magazine Albania

“Vizitoni Shqipërinë”, artikulli i publikuar nga prestigjozja Huffington Post


Artikuj që ftojnë vizitorët të mos e anashkalojnë Shqipërinë, si një vend me bukuri të mëdha natyrore e ushqim të mirë, po shfaqen gjithmonë e më shumë në mediat e huaja.

Por “Huffington Post” i rikthehet temës së turizmit shqiptar me një këshillë: bëjeni këtë eksperiencë unike me një tur me biçikletë.

“Kështu do të arrini të shijoni më shumë ato çfarë vendi ka për t’i ofruar syrit. Peizazhin mahnitës dhe dramatik, plazhet që të kujtojnë rivierën franceze pa pretendime, shkëmbinjte e thepisur që ngrihen mbi det, fshatrat e ‘gdhendur’ në shpate kodrash, perëndimet e diellit që të lënë pa frymë”, shkruan autorja e artikullit, Karen Rubin.

Natyrës piktoreske dhe bregdetit të mrekullueshëm i shtohet dhe joshja kulturore e historike, për të mos folur pastaj për ushqimin fenomenal.

“Duhet të vini në Shqipëri për atë që ‘është tani’ – thotë Rubin. – Për të parë një vend, i cili ka shkundur nga supet të kaluarën torturuese. Një vend të rrethuar për dekada të tëra nga misteri, të burgosur pas një perdeje të hekurt e të izoluar nga bota e jashtme nën grushtin e një diktatori paranojak”.

“Shqipëria, ky shtet europian me shumicë myslimane, është gjithashtu vendi që e mbylli Luftën e Dytë Botërore me më shumë hebrenj nga sa kishte në fillesat e saj, sepse nën kodin e lashtë të ‘Besës’, shqiptarët i mbrojtën nga kërcënimi nazist, duke rrezikuar edhe jetët e tyre e ato të fëmijëve të tyre”.

“Shqiptarët, – vazhdon shkrimi, – e kanë traditë të hershme ndihmën për të ardhurit”.

Artikulli i gjatë e tejet i detajuar sqaron deri edhe monedhën e përdorur dhe tregon çmimet e favorshme të pijeve e ushqimeve. “Do të jetë një surprizë e këndshme për ju, – thotë autorja duke iu drejtuar vizitorëve, – kur të zbuloni sesa pak do t’iua rëndojë xhepin udhëtimi këtu, ndërsa kënaqësia që fal është e madhe”.

Burimi: top-channel.tv

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0