Majlinda, na trego për punën që bëni dhe për shërbimet që ofroni në Venture UP.
Venture UP është një organizatë që ka filluar prej një viti e gjysëm. Është urëlidhëse mes mësimeve të studentëve në Universitetin e Prishtinës dhe asaj që kërkohet në tregun e punës. Synimi ynë është t’i përgatitim sa më mirë studentët dhe t’ju ofrojmë mundësi për ndërrmarrësi dhe inovacion të gjithë atyre që veҫse kanë qëllime të tilla. Atyre që kanë ide biznesi dhe dëshirojnë t’i zhvillonë ato aftësi. Venture UP ka katër programe kryesore: 1.Programi i Inkubatorit, 2. Experiential Learning, i cili parashikon trajnime në fusha të ndryshme, si java programim, aftësi të buta, marketing, shitje.
Ne mundohemi të sjellim profesionistë që u mësojnë këto aftësi studentëve në mënyrë sa më të përshtatshme. Në kuadër të programit Experiental Learning kemi edhe speaker events, ku ftojmë ndërrmarrës të ndryshëm, nga fusha të ndryshme që ti ndajnë eksperiencat e tyre me studentët e Universitetit të Prishtinës.
Programi tjetër është Social Impact, i cili u mundëson studentëve që të shfrytëzojnë hapësirën e kampusit për aktivitete të tjera, përveҫ ligjëratave dhe provimeve. Të krijojnë klube dhe shoqata të ndryshme, ku studentët e interesuar për një fushë dhe hobby të caktuar të mund të takohen dhe të realizojnë aktivitete të ndryshme. Programi i fundit është Research and Technology Development, i cili është më shumë i dizajnuar për ata që ndjekin doktoraturën. Për ata që merren me hulumtime, për t’ju ndihmuar me patentim e të tjera.
Të kalojmë tek Programi i Inkubimit. Na trego si ndodh procesi i pranimit të aplikacioneve dhe seleksionimi i ideve më interesante.
Programi i Inkubimit është dizajnuar që të zgjasë rreth gjashtë muaj. Gjatë programit, atyre që pranohen, u mundësohet shfrytëzimi i hapësirës së zyrave tona, pajisjeve të tjera ndihmëse si kompjuterët, skanerët, ҫfarëdo që u duhet. Përveҫ kësaj, kemi trajnimet specifike, të cilat i ndihmojnë këto startup-e të përgatiten për daljen në treg në fund të programit. Ideaton training është trajnim që zgjat dy javë. Ai ndihmon të gjithë ata që kanë ide biznesi të vijnë deri të krijimi i një koncepti që mund të zhvillohet më tej. Trajnimet vazhdojnë me Lean Startup, një strategji e re e cila po aplikohet në krejt botën, e cila i ndihmon startup-et si të vijnë deri në Minimun Viable Product (Produkti Minimal I Qëndrueshëm) duke kursyer kohë dhe mjete financiare.
Janë disa prej metodave të konceptuara në atë mënyrë që të ndihmojnë ata që kanë ide biznesi të vijnë deri në krijimin e MVP-së, sa më shpejt. Në të njëjtën kohë identifikojnë tregun, klientët potencialë dhe mënyrën se si të lidhin këto komponentë mes tyre. Faza për të cilën folëm është faza e pre-inkubimit. Startup-et pranohen fillimisht në programin që zgjat dy muaj.
Pas trajnimit të Lean Startup, startup-et që pranohen në këtë fazë duhet të prezantojnë punën e tyre në panelin vlerësues, në mënyrë që të kalojnë në fazën e inkubimit. Kjo fazë zgjat rreth katër muaj. Gjatë saj krijohen modele të biznesit dhe projeksionet financiare që i japin vlerë idesë së biznesit. Në fund është trajnimi që i përgatit studentët për paraqitjen para investitorëve. Përgatiten për atë se ҫfarë i duhet një ndërrmarrësi të ri për të bindur investitorët që të investojnë në idenë e tij. Në fund të programit kemi garën, ku tre idetë më të mira mbështeten financiarisht. Për vendin e parë, mbështetja financiare shkon deri në 10.000 euro, për vendin e dytë 5.000 euro dhe për vendin e tretë 2.500 euro. Gjatë fazës së inkubimit planifikojmë që secili startup të ketë mentorët dhe profesionistët për t’i ndihmuar ekipet të zhvillojnë idetë e biznesit. Gjithashtu po mendojmë që të organizojmë një event ku startup-et të kenë mundësinë të takohen me investitorë të jashtëm.
Pra, eventi me investitorë të jashtëm përveҫ startup-eve që përzgjidhen vlen edhe për ato nuk arrijnë të përzgjidhen?
Po.
Kjo është hera e parë që hapet thirrja për programin e inkubimit në UP?
Po, kjo është gjenerata e para që do të pranohet në programin e inkubimit.
Sa është interesimi i studentëve për të aplikuar dhe për ndërrmarrësinë në përgjithësi?
Interesimi i studentëve është mjaft i madh, por Universiteti i Prishtinës operon me një plan Program akademik që përqendrohet më shumë në teori. Ky fakt bën që nganjëherë studentët e Prishtinës të lënë anash aspiratat për aktualizimin e ideve të tyre, pasi zhvillimi i tyre në praktikë është shpesh i vështirë.
A keni mundur sadopak në këto dy vite punë, me përpjekjet tuaja të ndikoni në ndryshimin e gjendjes ?
Besoj që po. Kemi një numër shumë të madh të aplikimeve për eventet dhe trajnimet tona.
Programi i inkubimit vlen vetëm për studentët e UP-së?
Një nga kriteret e aplikimit është që njëri prej pjesëtarëve të ekipit të startup-it të jetë student i Universitetit të Prishtinës.
A keni përkrahje nga organizatat tjera?
Programi i Inkubimit dhe Experiential Learning financohet nga Komisioni Europian. Sa i përket programit të inkubimit, një ndihmesë të madhe ka dhënë Lavelle and Associates, më konkretisht June Lavelle, e cila është eksperte në fushën e inkubatorëve dhe konsulencës për startup-e për mëse 30 vite. Ajo ka dizajnuar të gjitha trajnimet për programin e Venture UP, ҫertifikimin e trajnerëve dhe do të mbajë një pjesë të trajnimeve për gjeneratën e parë. Këtë kontribut e ka dhënë si akt mirësie.
A do të ketë thirrje të tjera për programin e inkubimit brenda vitit?
Thirrjen e dytë për aplikime po e planifikojmë në fund të vitit, pasi të përfundojë programi i gjeneratës së parë.
A keni një mesazh për studentët dhe të rinjtë e Kosovës, për ata qe kanë ide biznesi dhe duan të hyjnë në botën e biznesit?
I inkurajoj të aplikojnë të gjithë ata që kanë ide biznesi, dhe që e shohin veten si ndërrmarrës. Si njerëz që mund të ndërtojnë një biznes dhe që mund të zgjedhin një problem në shoqëri. Të shfrytëzojnë përkrahjen që ofron Venture UP dhe organizatat tjera. Të jesh sipërmarrës është privilegj i madh sepse mëson shumë gjëra dhe provon ndjenjën e lirisë.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.