Corina Petridi, Kostas Koukoumakas- Në fund të korrikut 2019, një anije frigorifer 134 metra e gjatë me flamur të Panamasë hyri në ujërat e Antarktikut gjatë rrugës për në Xhorxhan Jugore, një ishull i vogël shkëmbor në një zonë të mbrojtur të Oqeanit Jugor dhe një terren për shumimin e fokave elefant, fokave me gëzof dhe pinguini mbret.
Anija, Avunda, është në pronësi të Lilium Shipping S.A., dhe operatori i saj tregtar është Lavinia Corporation, e kontrolluar nga vëllezërit grekë Panos dhe Thanasis Laskaridis. Vëllezërit janë fuqi të mëdha në transportin global dhe gëzojnë marrëdhënie të mira me partinë konservatore, miqësore me biznesin, Demokracia e Re, aktualisht në pushtet në Greqi.
Ata janë gjithashtu të njohur për mbështetjen e përpjekjeve për të pastruar detin dhe vijën bregdetare dhe, së fundmi, për të hequr në Greqi plastikën njëpërdorimshme. Megjithatë, Avunda u përball me pikëpyetje mbi pastërtinë e saj.
Pas gati një muaji në Antarktidë, anija 27-vjeçare la ujërat e saj të mbrojtura dhe, më 18 tetor 2019, u inspektua në portin Zhoushan të Kinës në bregdetin e Kinës Lindore. Atje, inspektorët regjistruan 11 gabime, duke përfshirë disa të tilla në lidhje me certifikatën e ndotjes së ajrit të anijes dhe pajisjet e filtrimit të vajit.
Anija u ndalua nga autoritetet portale. Ajo u rishfaq në vitin 2020, në një raport nga Greenpeace i cili detajonte rreziqet që paraqisnin këto anije të mëdha në ndoshta sipërfaqen e fundit më të madhe të botës së egër në tokë. Me një shkallë të lartë dështimi në inspektimet e portit, oqeanografët dhe aktivistët e mbrojtjes së mjedisit thonë se anijet frigoriferike nuk kanë vend në ujërat shumë të ndjeshëm të Antarktidës.
Ato gjithashtu dominojnë praktikën e transferimit të një sasie peshku të kapur nga një anije në një tjetër, zakonisht nga një anije peshkimi te një anije frigoriferike. Praktika monitorohet nga afër në port, por jo nga aq afër në det, ku mund të fshihet peshkimi i paligjshëm. Në Antarktik kjo nënkupton karkalecat e vegjël, një krustace i vogël që është tepër i rëndësishëm për ekosistemin Antarktik si ushqim për balenat, fokat, pinguinët, kallamarët dhe peshqit dhe peshkimi i tyre është i kufizuar.
Komisioni për Ruajtjen e Burimeve Detare të Antarktikut, CCAMLR, një organ ndërkombëtar që rregullon jetën detare në Antarktidë, kufizon peshkimin e këtyre karkalecave të vegjël në Oqeanin Jugor, por transferimi nga një anije në një tjetër shpesh përdoret për ta fshehur këtë.
Ndërsa raporti i Greenpeace nuk e akuzon atë drejtpërdrejt për paligjshmëri, në zonën e mbrojtur CCAMLR dominon familja Laskaridis. Nga 25 anije frigoriferike të ndjekura nga Greenpeace në zonë midis vitit 2017 dhe 2019, 19 ishin në pronësi ose kontrolloheshin nga vëllezërit, megjithëse disa prej tyre që nga ajo kohë kanë ndryshuar pronar.
“Rrjeti global i anijeve frigoriferike lehtëson transportin e peshkut, njerëzve dhe mallrave të tjerë në të gjithë botën – duke operuar në det, larg syve vëzhgues, ky sistem dihet që lehtëson disa nga sjelljet më të këqija në oqean”, tha Alkis Kafetzis, aktivist për mbrojtjen e oqeanit i Greenpeace Greqi.
“Nga peshkimi i paligjshëm te abuzimet e të drejtave të njeriut, transferimi nga një anije në një tjetër qëndron në zemër të një flote peshkimi dëmtuese për mjedisin që operon në ujëra të largëta. Kjo u mundëson anijeve të qëndrojnë në det shumë më gjatë sesa është e sigurt për ekuipazhin dhe zinxhirët globale të furnizimit e bëjnë më të lehtë që peshqit e kapur të hyjnë në mënyrë të paligjshme në treg.” Vëllezërit Laskaridis mohojnë të kenë lidhje me ngarkesat e paligjshme dhe thonë se gabimet e gjetura nga inspektorët në anijet e tyre janë të vogla dhe rregullohen shpejt përpara se të ato të dalin përsëri në lundrim.
CCAMLR – Komisioni për Ruajtjen e Burimeve Detare të Antarktikut – u krijua pothuajse katër dekada më parë si një përgjigje ndaj rritjes së interesit tregtar për karkalecin e vogël krustace dhe rreziqeve që kjo paraqiste për jetën detare në Antarktik. Komisioni jep licenca për peshkimin e peshkut me dhëmbë dhe karkalecit të vogël të detit në Oqeanin Jugor, dhe të gjitha anijet që lundrojnë në zonën e kontrolluar – përfshirë anijet e peshkimit dhe ato frigoriferike – u duhet për leje për ta bërë këtë.
Midis vitit 2017 dhe 2019, gjashtë anije në pronësi ose të kontrolluara nga Laskaridis u vëzhguan nga Greenpeace në zonat e mbrojtura të Antarktikut dhe më pas u mbajtën në port, dënimi më i ashpër që një inspektor porti mund të vendosë. Nga gjashtë, përveç Avunda, një anije tjetër – një anije frigoriferike me emrin Iris – kishte defekte që mund të konsideroheshin një rrezik për mjedisin.
Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se Irisi hyri në ujërat CCAMLR në mars 2017 dhe përsëri në mars 2018, duke udhëtuar në South Shetland Islands dhe në skaj të Antarktidës. Iris me flamur të Panamasë, në pronësi të vëllezërve Laskaridis përmes Seaview Maritime S.A, u ndalua në Zhoushan në tetor 2017 midis dy udhëtimeve në Antarktidë.
Sipas Lloyd’s List Intelligence, një shërbim informacioni detar, u regjistruan gjithsej 10 gabime, duke përfshirë disa në lidhje me impiantin e trajtimit të ujërave të zeza të anijes, pajisjet e filtrimit të vajit dhe anijet e shpëtimit.
Anija e vdekur
Avunda dhe Iris nuk janë të vetmet anije të vëllezërve Laskaridis që kanë probleme me inspektorët ndërkohë që lundrojnë gjithashtu në ujërat e mbrojtura të Antarktikut. Në 2018, Greenpeace gjurmoi Skyfrost, një anije frigoriferike në pronësi të Berwick Group Ltd me bazë në Bahamas, një tjetër filial i kompanisë Laskaridis.
Pasi u largua nga Kina, Skyfrost, pas një jave në të cilën Sistemi i saj i Identifikimit Automatik, AIS, u fik, më 28 janar 2018 kaloi Singaporin, duke hyrë në ujërat CCAMLR më 10 mars dhe duke arritur në Discovery Bay, ishullin Grinuiç.Misioni i saj, sipas Greenpeace, ishte të transferonte krillë nga gjashtë anije, duke përfshirë More Sodruzhestva, një peshkarexhë me flamur ukrainas. Aktivistët e Greenpeace e vëzhguan këtë transferim, duke thënë se ai ndodhi “afër një zone posaçërisht të mbrojtur, pavarësisht ndikimit të mundshëm që kjo mund të ketë në jetën e egër”. Skyfrost u largua nga Antarktida më 18 prill 2018.
Dy muaj para hyrjes në CCAMLR, megjithatë, anija frigoriferike ishte inspektuar në portin Dalian të Kinës, ku ishin regjistruar gjashtë mangësi, duke përfshirë ato në lidhje me certifikatat e ekuipazhit dhe sigurinë nga zjarri. Anija nuk u ndalua. Sot ajo klasifikohet si e “tërhequr nga shërbimi”, e ankoruar në Bangladesh.
Sipas Greenpeace, Skyfrost gjithashtu “është zhdukur” për një javë në maj 2018 ndërsa po lundronte nga Antarktida përsëri drejt Kinës, duke fikur AIS që është i detyrueshëm për anijet më të mëdha 500 GT.
“Fikja e AIS është një nga shenjat që anijet sillen në mënyrë të dyshimtë pasi kjo është një pajisje sigurie dhe transparence që duhet të ndizet gjithmonë, me përjashtime të rralla”, tha Will McCallum, Shef i Oqeaneve në Greenpeace. “Kjo do të thotë që vendndodhja e një anijeje është e fshehtë për të gjithë, përveçse për shtetin e saj”, tha ai për BIRN.
“Një element tjetër që shton mungesën e transparencës është fakti që CCAMLR vazhdon të lejojë anije me flamuj shtetesh jo anëtare të CCAMLR në ujëra, gjë që e bën zbatimin e masave praktikisht të pamundur dhe ka një rrezik të madh të ulë standardet e shëndetit dhe sigurisë”, tha McCallum.
Në korrik të vitit të kaluar, Global Fishing Watch prezantoi një portal publik në internet që politikëbërësit dhe menaxherët e peshkimit mund ta përdorin për të kuptuar më mirë aktivitetet e anijeve të përfshira në transferimet në det.
“Për shkak të mungesës së një monitorimi dhe kontrolli efikas, aktorët e këqij mund të fshehin ose manipulojnë të dhëna në lidhje me praktikat e tyre të peshkimit, speciet ose sasitë e peshkuara dhe vendet e peshkimit”, tha për BIRN një zëdhënës.
Shkalla e dështimit
Sipas Greenpeace, bazuar në të dhënat nga Lloyd’s List Intelligence, anijet frigoriferike të vëllezërve Laskaridis që operojnë në zonën CCAMLR kanë një normë dështimi prej 60 për qind përsa i takon inspektimeve të Kontrollit Portual Shtetëror, ku “dështimi përkufizohet si të paktën një mangësi gjatë një inspektimi”. Përveç Avunda dhe Iris, katër anije të tjera në atë kohë në pronësi ose të kontrolluar nga vëllezërit Laskaridis u ndaluan në port midis vitit 2017 dhe 2019 për gabime që variojnë nga certifikatat e paplota ekuipazhi e deri te kushtet e punës në bord të anijes.
BIRN e kontaktoi Laskaridis Shipping disa herë për një koment, por nuk mori asnjë përgjigje. Pyetjet e BIRN kishin të bënin me faktin nëse anijet e kompanisë janë apo jo të përfshira në peshkim jo të autorizuar, të pa raportuar dhe të parregulluar, për normat e dështimit në inspektimet e kryera, ndikimin e tyre në mjedis, sigurinë në bord dhe transparencën në lidhje me lëvizjet.
Kompania, megjithatë, iu përgjigj raportit të Greenpeace, duke hedhur poshtë çdo sugjerim që anijet e saj të merren me ngarkesa të paligjshme. Sipas raportit, “Ata thanë se marrin masa shumë aktive, mbi dhe përtej normës së industrisë, për të siguruar që ato të mos mbajnë ose të përfshihen në ndonjë mënyrë në ndonjë lloj ngarkese të paligjshme, përfshirë edhe nëpërmjet marrëdhënieve të vendosura prej kohësh me organizatat e njohura të peshkimit, nëpërmjet përfshirjes nga të gjitha palët të kontratës dhe statutit e klauzolës të BIMCO IUU, duke kërkuar licenca transportimi nga agjentët e përfshirë në transportim dhe duke i kërkuar licenca peshkimi palëve të treta.”
Megjithatë, kompania është akuzuar më parë për dëmtim të mjedisit. Sipas një raporti nga Maritime Herald, Laskaridis Shipping u gjobit me një milion euro në 2017 nga gjykata e Brestit për një rrjedhje nafte nga Thisseas, një nga transportuesit e saj me flamur të Liberisë, në brigjet e Bretanjës vitin e kaluar. Greenpeace citoi se Laskaridis tha se gjykata e apelit gjeti se ata nuk kishin faj, por çështja po vazhdon. BIRN nuk ishte në gjendje të konfirmonte statusin aktual të çështjes pasi Laskaridis Shipping refuzoi të sigurojë ndonjë informacion ose shpjegim për BIRN.
Gjithashtu në vitin 2017, anija frigoriferike Uruguai, e operuar nga Baltmed Reefer Services Ltd, një filial i Laskaridis, u fundos rreth 350 milje detare në verilindje të Ishujve Falkland pasi goditi akullin. Në momentin e përplasjes, anija ishte brenda Zonës së Konventës CCAMLR dhe, sipas një raporti nga Agjencia e Lajmeve të Atlantikut të Jugut MercoPress, ajo mbante 560 naftë për djegie – një substancë e ndaluar në Antarktik. Laskaridis Shipping mohoi që anija Uruguai të kishte në bord një lëndë të tillë. Të 42 anëtarët e ekuipazhit u evakuuan në mënyrë të sigurt.
Familja: anije, hotele dhe kauza të gjelbra
Në vitin 1977 Panos dhe Thanasis Laskaridis themeluan Lavinia Corporation, sot një grup transporti cili përbëhet nga120 filiale, secila me anijen e vet. Flota e tyre përfshin cisterna nafte, transportues, anije me cisterna kimike dhe 20 anije frigoriferike. Pjesa më e madhe e anijeve frigoriferike janë regjistruar në Panama.
Familja gjithashtu kontrollon hotelet historike me pesë yje Grande Bretagne dhe King George në sheshin Sintagma në zemër të kryeqytetit grek, Athinës. Vëllezërit janë gjithashtu aksionerë pakice në kompaninë greke Aegean Airlines. Ndërsa rrit bizneset e saj, familja ka krijuar gjithashtu imazhin e një dashamirësit kombëtar, me Thanasis Laskaridis që siguroi 1.5 milion euro për rinovimin e Sheshit Sintagma ose kompaninë që dhuroi dy anije – Atlas I dhe Iraklis – për marinën greke në vitin 2019 dhe 2020. Në këmbim të kësaj, presidentja greke Katerina Sakellaropoulou e bëri Panos Laskaridis një admiral nderi.
Bujaria e tyre shkon edhe për kauza mjedisore. Fondacioni i familjes, Fondacioni Bamirës AC Laskaridis, ka qenë pas një sërë fushatash të gjelbra, kryesisht pastrime bregdetare. E fundit është një fushatë për të zhdukur plastikën një përdorimshe në Greqi deri në korrik 2021. Ministria Greke e Mjedisit dhe Energjisë është një partner me fondacionin Laskaridis në fushatën “Greqia, pa plastikë një përdorimshe”.
Në vitin 2019 fondacioni nisi “Projektin Tajfun ” me qëllim pastrimin e të gjithë vijës bregdetare greke.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.