"Vala që po vjen" - Një diskutim mbi AI, etikën dhe të ardhmen! - Business Magazine Albania

“Vala që po vjen” – Një diskutim mbi AI, etikën dhe të ardhmen!

"Vala që po vjen" - Një diskutim mbi AI, etikën dhe të ardhmen!

Takimi i dytë i klubit të librit Bytes & Books u zhvillua mbrëmjen e djeshme mes lexuesish që ndajnë një pasion të përbashkët për librat që shpalosin lidhjen mes teknologjisë dhe shoqërisë. Këtë herë, në qendër të bisedës ishte “Vala që po vjen” nga Mustafa Suleyman – një prej librave më të përfolur të viteve të fundit mbi inteligjencën artificiale dhe bioteknologjinë.

Nuk ishte një diskutim i zakonshëm. Libri ngjalli reagime , nga entuziazmi për potencialin që teknologjia ofron, deri te reflektimet  mbi rreziqet e saj. Pjesëmarrësit ndanë përshtypjet e tyre, jo vetëm si lexues, por edhe si qytetarë që jetojnë në kohën kur AI nuk është më një koncept i largët, por një realitet që po ndikon gjithnjë e më shumë jetën tonë të përditshme.

Një nga temat që ndezi më shumë diskutime ishte dilema thelbësore: A është teknologjia vetëm një mjet në shërbim të njeriut, apo po kthehet ngadalë në një qëllim në vetvete? Nga sistemi shëndetësor e deri te mënyra si funksionojnë qytetet, nga etika e zbulimeve gjenetike te sfidat e keqinformimit, pjesëmarrësit sollën perspektiva të ndryshme mbi pyetjen që Suleyman shtron në mënyrë të qartë në libër: si mund ta mbajmë nën kontroll një teknologji që është, në thelb, e pakontrollueshme?

Ajo që e bëri këtë takim të veçantë nuk ishte vetëm përmbajtja e librit, por mënyra si ai shërbeu si nxitës për një reflektim më të gjerë. Në vend të ndarjes klasike “optimistë” apo “pesimistë”, diskutimi solli një qasje të matur: një përpjekje për të kuptuar drejtimin e “valës” dhe për të kuptuar çfarë do të thotë të jesh i përgatitur për të.

Lexo edhe:Pse duhet lexuar “Vala që po vjen”?

Në përfundim, mbeti një frymë bashkëbisedimi që është aq e rrallë në diskutimet publike për teknologjinë: e bazuar në dije, por edhe në ndjeshmëri njerëzore. “Vala që po vjen” nuk u lexua vetëm si një paralajmërim, por si një mundësi për të ndërtuar një vetëdije të re , e cila na sfidon të mos jemi thjesht përdorues të teknologjisë, por edhe bashkëformësues të saj.

Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0