UBT hap Qendrën e Inovacionit Social, “Colibri” - Business Magazine Albania

UBT hap Qendrën e Inovacionit Social, “Colibri”


Në Kampusin Inovativ të UBT-së, në Lipjan, është bërë hapja e Qendrës së Inovacionit Social, “Colibri”, që është themeluar si rezultat i bashkëpunimit mes UNICEF-it dhe UBT-së, aktivitet ky që u shënua me hapjen e Javës së Inovacionit, gjatë të cilës do të mbahen aktivitete të shumta, kryesisht të karakterit social.

Colibri do të jetë qendra e parë e karakterit të tillë në Kosovë, që do të merret me identifikimin dhe zgjidhjen e problemeve sociale të shoqërisë kosovare dhe në këtë mes, UBT do të ofrojë vazhdimisht kontribut dhe mbështetje për inovatorët e rinj dhe idetë inovative, që të zhvillohen nën ombrellën e kësaj qendre.

Me rastin e hapjes së Colibri-t, rektori i UBT-së, prof. dr Edmond Hajrizi tha se hapja e kësaj qendre është iniciativë unike dhe e rëndësishme për Kosovën, por edhe në aspektin global, sepse sipas tij, është në funksion të zgjidhjes së problemeve sociale.

Colibri, si një ndërlidhje mes organizatave ndërkombëtare dhe akademisë, paraqet një koncept modern dhe unik, në atë mënyrë që të gjenerohen zgjidhje inovative, të bëhen transformime të bazuara në inovacion, për çështjet dhe problemet sociale që dëshirojmë t’ju qasemi dhe t’i zgjidhim në Kosovë dhe në rajon,” theksoi ai.

Lexoni: “Hack Day Kosovo 2017” bëhet pjesë e aktiviteteve të BE për sigurinë kibernetike

Hajrizi shprehu gatishmërinë e UBT-së, duke përfshirë edhe stafin akademik dhe studentët, për të ofruar ide për zgjidhjen e problemeve më të mëdha dhe më aktuale të shoqërisë, përfshirë ato në shëndetësi, në zhvillim ekonomik dhe në të gjitha sferat e tjera të jetës.

“Kjo qendër nuk do të jetë një destinacion, por do të jetë një rrugëtim dhe synimi ynë është që të mbërrijmë sa më larg, sepse nuk mjafton që të përfshihen vetëm elemente të kreativitetit dhe të ideve të reja, këto janë raste që kërkojnë një përmbajtje të thellë të dijes, hulumtimeve shkencore, akademike, testime të ndryshme dhe ndërlidhjes së dijeve,” vlerësoi Hajrizi.

Shefi i UNICEF-it në Kosovë, Brandao Co, duke e vënë në pah faktin se, Kosova e ka popullsinë më të re në Europë, tha se ende ekziston hapësira për ofrimin e ndihmës dhe për përgatitjen e të rinjve për tregun e punës.

“Përmes kësaj qendre, qëllimi ynë është që t’u japim të rinjve mundësinë për të shfaqur potencialin e tyre të plotë si inovatorë socialë, sipërmarrës dhe agjentë të ndryshimeve sociale,” tha Co, teksa shtoi se ndjehet gjithmonë i lumtur kur ndodhet përreth njerëzve të rinj, duke qenë se, sipas tij, janë përplot energji, kapacitet dhe potencial.

Ministri i Inovacionit dhe Sipërmarrjes, Besim Beqaj e vlerësoi lart hapjen e Colibri-t, teksa tregoi që, me qëllim të përkrahjes së ideve inovative dhe pas bashkëbisedimit me shumë të rinj kosovarë, është vendosur që të bëhet themelimi i një ministrie që do të merret veçanërisht me identifikimin dhe përkrahjen e inovatorëve të rinj.

“Roli i Ministrisë së Inovacionit dhe Sipërmarrjes është që t’ju hapë rrugë të gjithë njerëzve që kanë ide, por edhe të ofrojë përkrahje për sipërmarrësit që janë në proces të realizimit dhe pastaj të gjitha këto inovacione do të vihen në fokus të zhvillimit ekonomik dhe në fokus të efekteve ekonomike,” theksoi Beqaj.

Në fund, para pjesëmarrësve, studentët e UBT-së prezantuan punimet dhe projektet e tyre inovative, të cilat u shndërruan në produkte konkrete në laboratorët e sofistikuar të UBT-së, si dhe në fund, u vizituan objektet dhe hapësirat brenda kampusit të UBT-së, në Lipjan, përfshirë laboratorët, inkubatorët, bibliotekën dhe sallat e fjalimeve.

burimi: Telegrafi

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0