Gertjon Çobo, themeluesi i VrapOn Taxi App, po ndërton një histori suksesi në industrinë e transportit në Shqipëri me një startup 100% vendas. Me përvojë si lektor universiteti, drejtues në fushën e turizmit dhe një vizion të qartë sipërmarrës, ai ka lançuar që nga korriku i 2023 një platformë që i përshtatet nevojave të komunitetit shqiptar. Në këtë intervistë, Gertjoni ndan çfarë e bën të veçantë VrapOn, sfidat e hasura gjatë rrugëtimit dhe planet për ta çuar këtë iniciativë përpara.
Cilat janë disa nga sfidat kryesore që keni hasur gjatë zhvillimit të VrapOn dhe si i keni kapërcyer ato?
Kur nis një startup në Shqipëri, sidomos në një industri si transporti, e kupton shpejt që sfidat janë të shumta dhe ndonjëherë të paparashikueshme. Një nga sfidat e para që hasëm ishte të bindnim shoferët dhe pasagjerët se kjo mënyrë e re e transportit ishte më e sigurt, më e lehtë dhe më efikase. Fillimisht, shumë shoferë ngurronin të kalonin nga mënyra tradicionale e punës te një sistem i automatizuar me porosi në kohë reale. Ata kishin frikë nga teknologjia. Për ta zgjidhur këtë, kemi bërë takime dhe trajnime të vazhdueshme me shoferët, duke u shpjeguar se si VrapOn Taxi App do t’ua lehtësonte punën dhe si do t’i ndihmonte të rrisnin të ardhurat. Një nga rastet më interesante ishte një shofer që fillimisht e refuzonte idenë e aplikacionit, por sot është një nga më të angazhuarit dhe ka trefishuar udhëtimet e tij falë platformës tone. Sfida e dytë ishte të edukonim tregun mbi një mënyrë të re të lëvizjes. Shqiptarët janë ende të lidhur me mënyrat tradicionale të thirrjes së taksisë, prandaj duhej të investonim në komunikim dhe marketing për t’u treguar njerëzve që me një klik mund të porosisnin një makinë, të shihnin çmimin paraprakisht dhe të ndiqnin rrugën e shoferit në kohë reale. Një tjetër pengesë ishte gjetja e financimeve të nevojshme për zhvillimin e vazhdueshëm të platformës. Startup-et teknologjike kërkojnë investime të mëdha në softuer, servera, përmirësime të sigurisë dhe ekspansion. Për ta kaluar këtë sfidë, kemi aplikuar në fonde dhe programe mbështetëse si Challenge Fund.
Cilat janë arritjet më të mëdha të deritanishme të startup-it tuaj?
VrapOn Taxi App është një aplikacion 100% shqiptar, “Made in Albania”, i ndërtuar tërësisht nga fillimi dhe kur nisi ky rrugëtim, VrapOn ishte thjesht një ide e guximshme. Sot, ajo ide është një realitet që ka ndryshuar mënyrën se si shqiptarët lëvizin në qytet. Një nga arritjet tona më të mëdha është ritmi i shpejtë i rritjes, duke fituar një bazë të madhe përdoruesish brenda një kohe të shkurtër. Një tjetër moment krenarie ka qenë fillimi i vitit 2025, nëpërmjet lançimit të VrapOn Business, një shërbim i krijuar për të ndihmuar kompanitë që kanë nevojë për transport për stafin dhe klientët e tyre. Ky shërbim po rritet ndjeshëm, dhe shumë kompani të mëdha tashmë e përdorin për të menaxhuar lëvizjen e tyre. VrapOn Business i jep mundësinë stafit të kompanive (por jo vetëm) mundësinë për të pasur një transport të sigurt dhe të besueshëm për nevojat e përditshme të kompanisë. Ky është një shembull i mënyrës se si VrapOn Taxi App nuk është thjesht një aplikacion për taksi, por një platformë që krijon zgjidhje reale për komunitetin. Për më tepër, unë gjithmonë kam besuar se suksesi nuk duhet të vijë vetëm nga jashtë, por duhet të krijohet edhe këtu, në Shqipëri. Është koha që startup-et shqiptare të bëhen faktorë të rëndësishëm në tregun rajonal.
Lexo edhe:8 fjalime TEDx që do t’ju ndryshojnë jetën!
Si e shihni zhvillimin e VrapOn në 3-5 vitet e ardhshme?
Nëse shikojmë të ardhmen e VrapOn, mund të them me siguri se ky është vetëm fillimi. Në 3-5 vitet e ardhshme, shoh një VrapOn të zgjeruar, jo vetëm brenda Shqipërisë, por edhe në Ballkan. Mobiliteti është një industri globale dhe teknologjia na lejon të operojmë kudo që ka nevojë për një zgjidhje efikase transporti.
Kur nis një rrugëtim inovativ, gjithmonë ke një vizion që shkon përtej asaj që është e dukshme në momentin e tanishëm. VrapOn ka lindur nga një nevojë e qartë për një mënyrë më të lehtë, më të shpejtë dhe më të besueshme të lëvizjes, por rrugëtimi nuk ndalet këtu. Me kalimin e kohës, çdo inovacion qëndron ose bie në bazë të aftësisë së tij për të evoluar dhe për t’iu përshtatur ndryshimeve. Qëllimi ynë është të shkojmë përtej konceptit tradicional të shërbimeve të mobilitetit dhe të krijojmë një qasje më të zgjuar, më të personalizuar dhe më të përgjegjshme ndaj realitetit të tregut dhe nevojave të përdoruesve.
Në një perspektivë afatgjatë, vizioni ynë është që të shndërrohemi në një model suksesi, jo vetëm në nivel lokal, por edhe më gjerë. Besojmë se çdo treg ka hapësirë për risi dhe përmirësim, dhe sfida jonë është të sjellim një eksperiencë të re që ndryshon mënyrën se si njerëzit e shohin dhe e përjetojnë transportin e përditshëm.
A keni ndonjë partneritet apo bashkëpunim që ka qenë kyç për zhvillimin e startup-it tuaj?
Në rrugëtimin e çdo startup-i, partneritetet luajnë një rol vendimtar, pasi nuk është e mundur të ndërtosh diçka të madhe dhe të qëndrueshme i vetëm. VrapOn Taxi App ka pasur fatin të bashkëpunojë me aktorë të ndryshëm që kanë ndihmuar në forcimin dhe zgjerimin e platformës sonë, duke e bërë atë më funksionale dhe të besueshme për përdoruesit.
Një nga bashkëpunimet më të rëndësishme ka qenë ai me bizneset dhe korporatat që kërkonin një zgjidhje të strukturuar për transportin e punonjësve dhe klientëve të tyre. Kjo ka sjellë një dimension të ri për VrapOn, pasi nuk kufizohemi vetëm te përdoruesit individualë, por ofrojmë një zgjidhje për nevojat e lëvizshmërisë edhe në nivel biznesi. Një tjetër moment kyç ishte edhe mbshtetja nga ana e Challenge Fund të cilët kanë mbështetur jo vetëm rritjen tonë teknologjike, por edhe ekspozimin ndaj tregut dhe mundësive të reja për zhvillim.
Ndërkohë, partneritetet me hotele, operatorë turistikë dhe kompani të tjera të industrisë së shërbimeve kanë ndihmuar në zgjerimin e bazës sonë të klientëve dhe në krijimin e një sistemi transporti që nuk është thjesht një mjet lëvizjeje, por një pjesë e integruar e përvojës së udhëtimit dhe shërbimeve për klientët.
Ajo që kemi kuptuar është se çdo bashkëpunim i suksesshëm vjen nga një sinergji e qartë mes palëve, ku secili kontribuon me vlerën e tij. Në të ardhmen, synojmë të forcojmë dhe të zgjerojmë më tej këto partneritete, duke eksploruar edhe mundësi të reja me sektorin e teknologjisë, turizmit dhe logjistikës, për ta bërë VrapOn një platformë akoma më të fuqishme dhe gjithëpërfshirëse.
Së fundmi, ju keni qenë edhe një ndër startupet e përzgjedhura si fituese e fazës së dytë të Challenge Fund. Cilat janë projektet që keni në plan të realizoni me ndihmën e saj?
Fitorja në fazën e dytë të Challenge Fund ka qenë një moment shumë i rëndësishëm për VrapOn Taxi App, pasi na ka dhënë mundësinë të fokusohemi në një aspekt kyç të zhvillimit të çdo startup-i: marketingun dhe rritjen e ndërgjegjësimit për produktin tonë. Deri tani, kemi ndërtuar një platformë funksionale dhe inovative, por sfida më e madhe është që ta bëjmë atë të njohur për një audiencë sa më të gjerë. Financimi nga Challenge Fund do të përdoret kryesisht për zhvillimin dhe zbatimin e një strategjie të fortë marketingu, e cila do të përfshijë rritjen e prezencës sonë në treg, edukimin e klientëve mbi përfitimet e platformës, dhe krijimin e një imazhi të fuqishëm të markës VrapOn.
Një nga pikat kryesore të këtij plani është krijimi i fushatave të personalizuara për klientët tanë potencialë, duke përfshirë si përdoruesit individualë, ashtu edhe bizneset që kërkojnë zgjidhje të integruara transporti. Po ashtu, do të investojmë në përmirësimin e materialeve promocionale, krijimin e videove të dedikuara dhe një fushatë digjitale të targetuar, për të rritur ndërgjegjësimin dhe për të tërhequr më shumë përdorues aktivë.
Përveç aspektit të marketingut tradicional dhe digjital, financimi do të ndihmojë edhe në forcimin e komunikimit me partnerët ekzistues dhe krijimin e bashkëpunimeve të reja, duke rritur kështu praninë tonë në treg dhe duke e bërë VrapOn një zgjedhje të natyrshme për këdo që ka nevojë për një zgjidhje të shpejtë, të besueshme dhe inovative të transportit. Me këtë mbështetje, synimi ynë është të rrisim përdorueshmërinë e platformës, të krijojmë një komunitet besnik klientësh dhe të pozicionojmë VrapOn si liderin e shërbimeve të lëvizshmërisë në Shqipëri.
Cila është vizioni juaj për të ardhmen e startup-it tuaj dhe si dëshironi që të kujtohet startup-i juaj në industrinë ku operoni?
VrapOn nuk është thjesht një aplikacion taksi, por një iniciativë inovative që synon të revolucionarizojë mënyrën se si shqiptarët dhe vizitorët lëvizin në vendin tonë. Ajo që e bën këtë projekt edhe më të veçantë është fakti që është një aplikacion 100% shqiptar, i krijuar dhe zhvilluar nga profesionistë vendas, i përshtatur për nevojat dhe realitetin e tregut shqiptar. Në një kohë kur shumica e platformave të mëdha të transportit janë ndërkombëtare, ne po ndërtojmë një zgjidhje të bërë në Shqipëri për shqiptarët dhe për këdo që viziton vendin tonë.
Vizioni ynë për të ardhmen është që VrapOn të bëhet platforma kryesore e lëvizshmërisë në Shqipëri dhe më gjerë, duke integruar të gjitha shërbimet e transportit në një ekosistem të vetëm të lehtë për t’u përdorur. Jo vetëm që duam të sigurojmë një shërbim efikas, të besueshëm dhe transparent për klientët, por edhe të krijojmë mundësi punësimi dhe të mbështesim komunitetin e shoferëve dhe bizneseve lokale.
Në një periudhë afatgjatë, dëshirojmë që VrapOn të mos kujtohet thjesht si një aplikacion i suksesshëm, por si një histori suksesi e teknologjisë shqiptare, një dëshmi se edhe në vendin tonë mund të krijohen startup-e konkurruese që ofrojnë zgjidhje inovative. Ne besojmë se Shqipëria ka potencialin për të qenë një qendër inovacioni në rajon, dhe me VrapOn duam të japim një kontribut konkret në këtë drejtim.
Në fund të fundit, suksesi i një startup-i nuk matet vetëm me numrin e përdoruesve apo me rritjen financiare, por edhe me ndikimin që ai ka në jetën e njerëzve. Ne duam që VrapOn të njihet si platforma që e bëri transportin më të lehtë, më të sigurt dhe më të aksesueshëm për të gjithë, duke e vendosur Shqipërinë në hartën e inovacionit në këtë industri.
Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.