Turizmi rritet mes problemesh

Turizmi rritet mes problemesh


 

Me apo pa pagesë, artikujt e publikuar në mediat ndërkombëtare dy vitet e fundit i kanë dhënë një dorë të fortë turizmit në Shqipëri. Të dhënat zyrtare flasin për një rritje të numrit të turistëve me 8% vitin e kaluar, ndërsa pritshmëritë e operatorëve turistikë janë për një rritje me të paktën 10% të numrit të të huajve këtë vit.

Disa rrugë që po ecin paralel në drejtim të turizmit, po krijojnë shanset për t’i dhënë nderin e duhur këtij sektori.

Sipërmarrësit e hoteleve dhe restoranteve kanë shtuar përpjekjet, ndërsa këndvështrimi pozitiv i shumë artikujve të huaj duket se ka dalë për mirë deri më tani. Kujtojmë se shumë ekspertë të fushës, i druheshin efektit të një autogoli (pra turistët vijnë e nuk përmbushin pritshmëritë, duke rrezikuar të japin një përshtypje negative tek miqtë e tyre). Operatorët turistikë, përveç interesit të shtuar të të huajve shohin se turistët po rikthehen. Kjo ka rritur edhe vetbesimin e nevojën e operatorëve për të punuar më mirë.

/Artikulli u publikua më parë në faqen 22 të numrit 17 të revistës Business Magazine Albania. Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 17 të saj.

Në të njëjtën kohë, tur operatorë me përvojë disa vjeçare në treg kanë krijuar njohjet e duhura, duke mundësuar edhe lidhjet me charter nga disa destinacione të huaja.

Zak Topuzi, drejtues i Shoqatës Shqiptare të Turizmit është optimist për mbarëvajtjen e sezonit të verës. Ai flet për përmirësime, ndonëse pret që edhe këtë verë, problemet në shërbimet publike të vijojnë.
Nga përshtypjet që u merren turistëve, notën më të ulët e marrin shërbimet publike, kryesisht përgjegjësi e Bashkive. Astrit Kurti, drejtuesi i “intours albania” është optimist për ecurinë e turizmit këtë vit. Pritshmëritë e tij janë për një rritje të sektorit deri në 15% krahasuar me një vit më parë, ndërsa shpreson që shërbimi publik (rrugë e pastërti) të jenë brenda standardeve.

Pasqyra e një turizmi të përmirësuar vërehet edhe tek përshtypjet e Flora Xhemali Baba, Drejtuese e Travel Magazine – Albania. Edhe pse ka shumë për të bërë në shërbim, ajo tregon se këtë verë, sipërmarrjet janë përgatitur më mirë për të pritur çdo turist, jo vetëm të huaj.

Kemi shumë mangësi, por edhe këtë vit do të rritemi

Flet Zak Topuzi, drejtues i Shoqatës Shqiptare të Turizmit

Industria e turizmit ka një rëndësi të madhe social-ekonomike për Europën. Turizmi është kthyer në mënyrë jetese dhe burim i rëndësishëm të ardhurash e punësimi, duke siguruar mbi 10% të PBB-së në BE dhe 12 milionë të punësuar (sipas raportit te fundit të UNWTO).

Gjithashtu, 40.3 % e të ardhurave globale turistike ndërkombëtare realizohen nga 28 vendet e BE-së, duke e bërë Europën destinacionin më të kërkuar në botë. Por, më e rëndësishme është kjo industri për Ballkanin, pasi gjatë shtatë viteve të fundit, kemi dyfishim të numrit të turistëve, por dhe të të ardhurave nga kjo industri.

Situata favorizuese politike në rajon, ka rritur sigurinë duke sjellë një fluks në rritje me dy shifra dhe për Shqipërinë, sigurisht, falë pozicionit, rrugë kalimi i detyrueshëm për të gjithë turet Ballkanike. Vendet e rajonit, ku synohet edhe konkurrenca reale, janë agresive në mbështetjet e drejtpërdrejta dhe indirekte për turizmin. Ato kanë histori të suksesshme, kanë traditë dhe përvojë më të gjatë, kanë infrastrukturë shërbimi më të mirë dhe investime private vendase dhe të huaja më cilësore si dhe politika fiskale shumë favorizuese. Kjo e bën të vështirë konkurimin rajonal.

Ne jemi ende larg trajtimit të turizmit si industri prioritare, si e vetmja zgjidhje për rritjen e të ardhurave dhe punësimit.

Ndoshta treguesi më pozitiv për Shqipërinë është perceptimi nga turistët: “Të përgatitur për ta prekur nga afër, si një vend problematik, kthehen me një opinion të ndryshuar pozitivisht nga eksperiencat befasuese të përjetuara”.

/Artikulli u publikua më parë në faqen 22 të numrit 17 të revistës Business Magazine Albania. Business Magazine Albania është revista e parë dixhitale me përmbajtje origjinale në shqip të orientuar nga fusha e biznesit. Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 17 të saj.

Shqipëria ka numër të kufizuar të kapaciteteve akomoduese, rreth 70.000 shtretër. Është një shifër e ulët krahasuar me resurset që ofron dhe krahasuar me tregun rajonal. I mungojnë shërbimet për target grupin që shpenzon për turizmin e rërës së detit ose mund të themi se janë të kufizuara vetëm në disa hotele. Qeveria, përmes lëvizjeve të fundit ligjore, kërkon të nxisë turizmin elitar, por nuk po ndal tendencën e ndërtimeve të strukturave turistike për t’i shërbyer sektorit imobiliar. Sot, pika më e dobët është mungesa e investimeve të huaja në këtë sektor të rëndësishëm.

Infrastruktura rrugore ka përmirësime të dukshme, duke tejkaluar një sërë vendesh të rajonit, por pavarësisht vëmendjes së shtuar të qeverisë, ndaj pastrimit të ambientit, Shqipëria do të vazhdojë të vuajë dhe këtë vit në sezon mungesën e ujit të pijshëm 24 orë, menaxhimin e plazheve, trajtimin e ujërave të ndotura, mungesën e një transporti publik të standardeve dhe kthimin çdo vit në një kantier ndërtimi në sezonin e pikut.

Pushteti lokal ende nuk po luan rolin e tij si menaxhues i resurseve që janë pronë e tij. Bregdeti shqiptar do të jetë edhe këtë vit peng i menaxhimit problematik të njësive vendore që pas reformës territoriale dhe zgjerimit të përgjegjësive nuk po arrijnë të pozicionohen siç duhet. Kanë infrastrukturë të dobët shërbimi e menaxhimi, mungesa të theksuara të stafeve profesionale e të trajnuar për turizmin. Nuk po mundet të mbledhë taksat dhe t’u japë shërbimet e nevojshme territoreve që ka në menaxhim. Përjashtim bën Tirana, e cila ka një zhvillim të rëndësishëm të produktit turistik dhe vëmendje ndaj rritjes së shërbimeve, përmirësime të rrugëve e sinjalistikës, etj.

Po të bëjmë një analizë të hollësishme shohim se:

Një risi është rritja disa herë e numrit të turistëve që kanë preferuar të lëvizin nga veriu në jug të Shqipërisë, “familjarisht”, duke përdorur të gjitha llojet e turizmit.

Janë turistë që kanë më pak pretendime, që përshtaten me gjendjen e infrastrukturës dhe janë një bazë e mirë për të testuar rritjen graduale të standardeve të shërbimeve.

Për herë të parë gjatë vitit 2017, kishim një grup hotelesh që arritën të animojnë një zonë me të gjitha shërbimet për paketa “All Inclusive” dhe funksion 365 ditë të vitit. Kjo performancë siguroi për 2018-ën kontratat mbi 140 ditë me partnerë nga e gjithë Europa, duke afirmuar një vazhdimësi.

Vendimi i fundit i Qeverisë për reduktimin e TVSH-së në masën 6% në sektorin e akomodimit e kthen Shqipërinë në fashën e një “tregu konkurrues rajonal për investime në industrinë turistike”. Kjo masë do të sjellë një ndryshim rrënjësor në zhvillimin e vendit.

Shqipëria, si rezultat i politikave të gabuara ndaj turizmit për 26 vjet, vuan sot një turizëm me një sezon të shkurtër, të zhvilluar në mënyrë kaotike, me mungesa në kapacitete akomoduese dhe standarde. Mungesa e klasifikimit me yje të Njësive Akomoduese e ka bërë akoma më të pasigurtë situatën. Klienti, në një treg agresiv, në të shumtën e rasteve, paguan më shumë në raport me cilësinë e shërbimit që merr. Për këtë arsye mininstria, plotësoi aktet nënligjore të Ligjit të Turizmit dhe po presim për të filluar online aplikimi për klasifikimin e Njësive Akomoduese.

Ulja e TVSH po stimulon rritjen e kapaciteteve akomoduese, kryesisht të resorteve e hoteleve me kapacitete të mesëm e të madh. Rritja e kapaciteteve akomoduese, zgjerimi i fashove të shërbimit për çdo kategori pushuesish do të krijojë mundësi të paguhet më pak për të njëjtin shërbim.

Shqipëria është cilësuar si një vlerë e shtuar për Ballkanin. Falë reklamave të mediave të huaja kemi një përmirësim të dukshëm të imazhit.

Në anët pozitive mund të shtojmë:

-Diversitet klime e territore akoma të virgjëra.

-Disa asete të rëndësishme të UNESCO-s e antikitetit.

– Gastronomia, si pikë e rëndësishme. 

-Krijimin e stimulimin e fermave apo agroturizmit.

– Përmirësim i ndjeshëm i infrastrukturës rrugore e sinjalistikës. 

– Sjellje miqësore ndaj turistëve e komunikimi në shumë gjuhë.

Si rezultat i situatës favorizuese politike, tregu Ballkanik po kthehet në Brand. Kam një vlerësim pozitiv të numrit të turistëve që po vijnë në Shqipëri këtë sezon dhe shpresojmë të ruhet i njëjti trend i vitit të kaluar.

Turizmi po zgjeron sezonin

Flora Xhemali Baba, Drejtuese e Travel Magazine – Albania

Jeni në kontakt me sipërmarrje nga kjo fushë, si i vlerësoni përgatitjet për pikun e turizmit, pasi sezoni po synon të shtrihet në kohë?

Sezoni ka vite tashmë që po synon të shtrihet në kohë dhe ka fituar një shtrirje nga maji deri në tetor, me tendencë për të përfshirë edhe prillin në vitet e ardhshme. Por, duhet të theksojmë se kjo ndodh vetëm me hotelet ose me strukturat pritëse që kanë tashmë një marrëveshje të lidhur me tur operatorët shqiptarë për të sjellë në Shqipëri turistët me paketa të parapaguara, në partneritet me agjensitë e huaja. Vetë standardizimi i hoteleve të mëdha, sidomos ndikuar nga tregu i jashtëm, i ka përfshirë ato në skemën e marrëveshjeve që lidhen qysh në dimër, duke i bërë që të presin një sezon të sigurtë në prurje e të përqëndrohen vetëm tek sigurimi i shërbimeve për turistët.

Sa është përmirësuar cilësia e shërbimit vitet e fundit dhe cilat janë problemet që ende kanë mbetur pa u zgjidhur në këtë drejtim?

Cilësia e shërbimit është rritur nga viti në vit dhe le të themi që ka ardhur në një stad të pranueshëm, ndonëse ka ende probleme që ndikojnë seriozisht në cilësinë e përgjithshme të turizmit. Por, duke qenë se “kërkesa e llogarisë” vjen nga jashtë, sepse shumica e hoteleve të bregdetit tashmë presin turistët e organizuar që vijnë në Shqipëri përmes udhëtimeve charter, përmirësimi i cilësisë ka qenë i pashmangshëm.

Nëse nuk do të kishin ofruar kushte, këta operatorë nuk do të ishin bërë pjesë e marrëveshjes, sepse janë testuar fillimisht nga grupe dhe agjentë të operatorëve të huaj, para se të bëhen marrëveshjet për vitin e ardhshëm. Problemet që do të përmendja, janë pamundësia për të ofruar një ofertë të bollshme, fjala vjen në ushqim, në ambiente të jashtme, në listën e argëtimeve që përfshin paketa turistike etj.

Shqipëria ka pak struktura nga ato që u themi resorte dhe disponojnë hapësira për lëvizje, që janë të domosdoshme për të kënaqur turistët dhe për të mbushur kohën e tyre të lirë nëse nuk duan të lëvizin nga hoteli. Pjesa tjetër e problemeve pastaj, qëndron jashtë resortit.

Çfarë do t’u sugjeroje operatorëve turistikë në vend?

E kam dhënë mendimin tim vazhdimisht: Të investojnë në cilësinë e stafit po aq sa kanë investuar në infrastrukturën e ndërtesave të tyre. Ta mendojnë si një investim afatgjatë dhe jo si një punë sezonale. Të gjejnë forma dhe mënyra për t`i mbajtur në punë gjithë vitin, që edhe të punësuarit të investohen shpirtërisht si të ishin pjesë e tyre, që në këtë mënyrë të përmirësohet cilësia e shërbimit, i cili çalon shumë në të gjitha drejtimet.

Cilat janë problemet e turizmit tek ne?

Dy janë problemet kryesore që çalojnë në turizmin shqiptar; shërbimi që e përmenda më lart dhe infrastruktura rrugore. Por nëse e dyta është në dorë të strukturave shtetërore dhe lokale e sado që të flasim nuk zgjidhim dot gjë, e para është plotësisht në dorë të sektorit privat. Turisti vjen, shpenzon ditët e tij në një resort të caktuar dhe mbetet i kënaqur. Por, kur do të dalë jashtë, të bëjë një shëtitje në shëtitoren e plazhit që mungon, ose është e pashtruar, plot me baltë e pluhur, me kazanët e plehrave që nuk pastrohen, atëherë edhe shërbimi që ai ka marrë brenda resortit zhvlerësohet dhe investimi i operatorit privat shkon kot.

Nga ana tjetër, kushtet shumë të mira të hotelit, ushqimi i pastër e i shijshëm, plazhet private që janë shembullore për nga rregulli e pastërtia nuk vlejnë asgjë nëse turisti nuk merr vëmendje, shërbim e sjellje dashamirëse nga stafi që i shërben. E në këtë drejtim, e gjithë Shqipëria lë shumë për të dëshiruar. Perspektiva jo shumë e çelët në këtë drejtim vjen, sepse ka ende shumë pak shkolla dhe pak departamente universitetesh që ushtrojnë degën e turizmit, nga ku do të vijnë profesionistët e ardhshëm të kësaj fushe.

Të gjithë ata që shërbejnë në turizëm ose 90 % e tyre, vijnë nga bankat e shkollës dhe e mendojnë punën e tyre si një mjet fitimi për muajt e verës, ose si një ndihmë për vitin e ardhshëm të shkollës. Askush nuk e shikon si një punë për të cilën duhet të shërbejë me përgjegjësi. Kjo për fat të keq e ul shumë cilësinë e turizmit. Është si ajo dhurata e bukur e paketuar keq, ndërkohë që në rajon ndodh e kundërta. Shërbimi atje, shpeshherë shet një ofertë që nuk është kurrë më e mirë se oferta e Shqipërisë.

Lehtësitë fiskale që aplikohen nga ky vit, sipas jush e ndihmojnë tregun apo mund të krijojnë probleme konkurence me operatorët e tjerë të vegjël?

Jo, nuk ka pse të krijojnë probleme me operatorët e vegjël, sepse nuk ndajnë më të njëjtin treg. Kush vlen, ka hyrë ne skemën e prenotimeve paraprake dhe nuk e ka më problemin e klientelës. Lehtësimet fiskale do të shërbejnë shpresoj në përmirësimin e cilësisë së shërbimit për të njëjtin nivel ose standard që hoteli ka ofruar dikur. Një pjesë e mirë ndonëse jo të gjithë, e kanë kuptuar tashmë së turizmi i qëndrueshëm kërkon në radhë të parë cilësi.

/Artikulli u publikua më parë në faqen 22 të numrit 17 të revistës Business Magazine Albania. Business Magazine Albania është revista e parë dixhitale me përmbajtje origjinale në shqip të orientuar nga fusha e biznesit. Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 17 të saj.

 

 

 

 

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #36 - Tetor 2024

Vjeshta solli rikthimin e aktiviteteve biznesore në ritmin e tyre të plotë, pas pushimeve të verës. Sipërmarrjet shqiptare, me dinamikat e tyre të pandalshme, janë aktualisht para një sfide dhe mundësie më të madhe. Proceset e përafrimit me BE-në krijojnë një mundësi për një treg më të madh, por kjo kërkon njëkohësisht përgatitjen të duhur për tregun.

Eventet e fundit, veçanërisht Future2Tech, tregoi se shumë kompani shqiptare, kryesisht në fushën e zhvillimit të Softwareve, po punojnë tashmë për tregun e huaj dhe janë kompani ndërkombëtare në kuptimin e plotë të fjalës. 

Në brendësi të këtij numri ne kemi sjellë histori brandesh dhe histori njerëzore; histori sipërmarrësish dhe profesionistësh, të cilët kanë investuar kohë dhe pasion në punët e tyre për të parë rezultatet që duken sot. Një prej brandeve për të cilin flasim sot, mbyll 3 dekada biznes në Shqipëri, diçka që vlen të marrë përgëzime nga të gjithë. 

Histori nga vendi dhe diaspora, rrugëtime në tregti, shërbim, apo edhe konsulencë, ky numër sjell një gamë të gjerë artikujsh, të shtrirë madje mes biznesit dhe artit, të cilat, kur ndërthuren, sjellin zhvillime shumë të bukura për shoqërinë.

Interesant është fakti se kushdo që …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0