Presidenti Donald Trump ka kërkuar që drejtori ekzekutiv i gjigantit amerikan të çipave, Intel, Lip-Bu Tan, të japë “menjëherë” dorëheqjen, duke e akuzuar për lidhje me Kinën.
Në një postim në rrjetet sociale, Trump e cilësoi Tan-in si “ në konflikt interesi”, duke iu referuar investimeve të tij të dyshuara në kompani që SHBA thotë se kanë lidhje me ushtrinë kineze. Një kërkesë e tillë nga një president për dorëheqjen e një drejtuesi të një kompanie private është mjaft e pazakontë.
Në një shënim drejtuar stafit, Tan i hodhi poshtë akuzat si “keqinformim”. “Gjithmonë kam vepruar brenda standardeve më të larta ligjore dhe etike,” tha ai, duke iu referuar karrierës së tij mbi 40-vjeçare në SHBA.
Tan, shtetas amerikan i lindur në Malajzi dhe i rritur në Singapor, është një sipërmarrës i njohur në industrinë e gjysmëpërçuesve. Ai u emërua në mars për të drejtuar ristrukturimin e Intel-it, një pionier në industrinë amerikane të çipave që kohët e fundit ka mbetur pas konkurrencës. Kompania ka marrë miliarda dollarë nga qeveria amerikane për të rigjallëruar prodhimin vendas të gjysmëpërçuesve.
Aksionet e Intel ranë mbi 3% të enjten pas sulmit të Trump, i cili ka qenë kritik ndaj kompanisë edhe më herët dhe po përgatitet të rrisë tarifat për industrinë e çipave.
Trump e akuzoi hapur: “CEO i INTEL është në konflikt dhe duhet të japë dorëheqjen menjëherë. Nuk ka zgjidhje tjetër për këtë problem.”
Edhe pse ligji amerikan nuk ndalon investimet në kompani kineze, Uashingtoni ka rritur kufizimet që nga mandati i parë i Trump, duke synuar shkëputjen e lidhjeve teknologjike me Kinën, si nga demokratët ashtu edhe nga republikanët, për arsye sigurie kombëtare.
Akuzat e Trump u mbështetën nga senatori republikan Tom Cotton, i cili në një letër drejtuar bordit të Intel-it ngriti pikëpyetje mbi “aftësinë e kompanisë për të mbrojtur interesat e taksapaguesve amerikanë dhe për të respektuar rregulloret e sigurisë”.
Cotton kujtoi se gjatë kohës kur Tan drejtonte Cadence Design Systems, kompania pranoi fajësinë dhe pagoi 140 milionë dollarë për akuzat se një filial i saj në Kinë kishte bashkëpunuar me Universitetin Kombëtar të Teknologjisë së Mbrojtjes, në shkelje të rregullave amerikane të eksportit. Tan nuk u akuzua personalisht.
Lexo edhe: Siguria në epokën wireless, Kamala Harris ndez debat mbi sigurinë e kufjeve pa tela
Intel deklaroi të enjten se “drejtori, bordi dhe kompania janë të përkushtuar për të avancuar interesat kombëtare dhe ekonomike të SHBA-së” dhe se po bën investime të mëdha në vend, të përputhura me axhendën “America First” të Trump.
Sipas analistit Patrick Moorhead, Trump po e përdor çështjen e lidhjeve të Tan-it me Kinën si presion për një çështje tjetër, ndoshta për investimet e Intel në SHBA apo për raportet mbi një partneritet të mundshëm me kompaninë tajvaneze TSMC.
Ndërkohë, Tan u ka thënë investitorëve se Intel do të ulë shpenzimet në prodhim, përfshirë në SHBA, për t’i përshtatur me kërkesën e klientëve. Kompania ka shkurtuar mijëra vende pune këtë vit për të “balancuar” strukturën.
Trump është i njohur për sulmet publike ndaj drejtuesve të biznesit, por kërkesa e tij për dorëheqjen e kreut të një kompanie private është e rrallë edhe për standardet e tij.
Shtëpia e Bardhë tha se presidenti mbetet i përkushtuar për të siguruar që “kompanitë ikonë amerikane të drejtohen nga persona që amerikanët mund t’i besojnë”.
Hetime të mëparshme kanë zbuluar se Tan ka investuar të paktën 200 milionë dollarë në qindra kompani kineze, disa prej të cilave me lidhje ushtarake. Senatori republikan Bernie Moreno, një aleat i Trump, po ashtu e kritikoi Intel-in për vonesat në planet e prodhimit të çipave në SHBA.
Ekspertët paralajmërojnë se përplasja me Trump mund të thellojë sfidat e Intel-it dhe të industrisë amerikane të gjysmëpërçuesve, duke rrezikuar planet për rritjen e kapaciteteve prodhuese në vend.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto