Trende të reja konsumatore, ndjeshmëria rreth çështjeve mjedisore dhe ekonomia qarkulluese!

Trende të reja konsumatore, ndjeshmëria rreth çështjeve mjedisore dhe ekonomia qarkulluese!

Trende konsumatore

Nga Silvana Xheka, Eksperte e Studimeve të Tregut dhe Konsumatorit & Ledi Leka, Menaxhere e Projektit ‘Qarkonomia’, Center for Competitive Skills

Rritja e vetëdijes rreth emergjencës mjedisore dhe burimeve të limitura është një ndër shtysat kryesore të trendeve konsumatore dhe bizneseve, globalisht. Lideret e sotëm të qëndrueshmërisë në biznes po ndërtojnë modele të reja sipas parimeve të ekonomisë qarkulluese, që synojnë të ofrojnë produkte dhe shërbime përmes eleminimit te mbetjeve që në fazën e dizenjimit të produktit a shërbimit, riciklimit, zgjatjes të jetës të produkteve, pronësisë së përbashkët dhe rigjenerimit të sistemeve natyrore.

Praktikat aktuale ekonomike dhe zhvillimi mbizotërues në shkallë globale, dominohen nga procesi linear “merr-prodho-përdor-hidh”. Ky nocion dritëshkurtër i rritjes, na ka përballur me pamjaftueshmërinë e burimeve duke shkaktuar kosto të mëdha për mjedisin, përmes prodhimit të bollshëm të mbetjeve dhe lëshimit të gazeve serë. Sidoqoftë, degradimi mjedisor i lidhur drejtpërdrejt me një degradim të mirëqënies njerëzore, nuk është një rrugë e pashmangshme, për sa kohë që ekonomitë dhe shoqëritë moderne janë të gatshme të miratojnë strategji të qëndrueshme në lidhje me burimet e fundme, të paripërtëritshme.

Globalisht, 60% e konsumatorëve janë të shqetësuar për ndryshimet klimaterike dhe 54% mendojnë se mund të japin një kontribut pozitiv në botë me blerjet e tyre (Euromonitor Internation, 2020).

Interesi për produkte të qëndrueshme dhe të përgjegjshme ndaj mjedisit arrin kulmin pas moshës 30 vjeç, në përputhje me rritjen e të ardhurave të disponueshme dhe potencialin e fitimit. Ky interes është gjithashtu më i lartë tek konsumatorët me fëmijë të mitur.

Ndërsa konsumatorët në Lindjen e Mesme, Afrikë dhe Amerikën Latine preferojnë të blejnë produkte me jetë më të gjatë, lëvizja minimiste është më e fortë në Azi, që synon përmbushjen e nevojave bazë dhe eleminimin e dëshirave konsumeriste që shtojnë shpërqëndrimin në jetë. KonMari Method™ ka krijuar popullaritet në këtë anë të botës, me këshillat për një jetesë të përbërë vetëm nga sende që i flasin zemrës dhe eleminimin e çdo sendi që nuk ngjall gëzim. Produktet e dorës së dytë ndërkohë janë duke u bërë tërheqëse në tregjet perëndimore, të tilla si SH.B.A. dhe Evropë (Euromonitor Internation, 2020).

Në vigjilje të shekullit të ri, profesori W. Belk argumentoi sesi vetja jonë “zgjatej” nga sendet në pronësi, që ishin një pasqyrim i identitetit të njeriut. Gjenerata e re ndërkohë ka përqafuar një sjellje të re që prioritizon eksperiencën kundrejt pronësisë. Identiteti i tyre, vetja, krijohet nga ekperiencat që përjetojnë dhe ndajnë me botën në rrjete sociale, duke ulur rëndësinë e zotërimit të pasurive, trend ky në përputhje me parimin e ekonomisë qarkulluese të ndarjes së pronësisë (Uber, co-working spaces etc).

Për të kuptuar trendet konsumatore në Shqipëri drejt një konsumi të qëndrueshëm që përqafon një filozofi për botën që nuk do guxonim ta quanim të re, pasi reflekton një kthim në identitet sipas modelit natyror qarkullues, Centre for Competitive Skills (CSS) ndërmori nje studim tregu, financuar nga Bashkimi European. Studimi u zhvillua përgjatë muajit Janar- Shkurt 2020, mes 707 konsumatorëve në zonat qëndrore urbane në Shqipëri (Tiranë dhe Durrës), i udhëhequr nga ekspertja e konsumatorit dhe tregut, Silvana Xheka.

Termi “Ekonomi Qarkulluese” (Circular Economy) është familjar për 15% të konsumatorëve, ndërsa termi “Ekonomi Ricikluese” për 49% të tyre. Kjo e fundit edhe pse është vetëm një hallkë e ekonomisë qarkulluese ka krijuar rezonancë më të lartë si pasojë e bizneseve dhe iniciativave ricikluese në vend si edhe prej lehtësisë për t’u kuptuar, duke qenë një koncept homogjen.

Pavarësisht terminologjisë dhe përkufizimit të përdorur, shqetësimi për çështje të ndryshme mjedisore dhe konsumatore është i lartë dhe përkon me trendet globale.

Degradimi i cilësisë së ushqimit kryeson listën e shqetësimeve (95% të shqetësuar) mes konsumatorit urban shqiptar si pasojë e mungesës së besimit mbi kontrollin, qoftë në produkte lokale qoftë në ato të importit.

Rritja e materialeve të rrezikshme në produkte (94% të shqetësuar) është një shqetësim tjetër i ekspozuar gjithashtu nga media kohë pas kohe. Ky shqetësim është veçanërisht i lartë për produktet kozmetike, të kujdesit personal, lodrave të femijëve, produktet me origjinë nga vendet e Lindjes së largët me cilësi shumë të ulët të prodhimit dhe çmime të ulta.

Ndotja e ajrit është e treta në listën e shqetësimeve, ndjekur nga ato që konsiderohen me ndikim ca më të tërthortë në jetën e konsumatorit si: ndotja oqeaneve dhe deteve, zhdukja e gjallesave, degradimi i burimeve ujore, tokës dhe burimeve gjeologjike. Ngrohja globale, renditet në fund të listës edhe pse i diskutuar masivisht në nivel ndërkombëtar mes mbeshtetësve të zjarrtë të tezës dhe skeptikëve.

83% shprehen të gatshëm të modifikojnë stilin e jetës për të zvogëluar dëmet që shkaktojnë në mjedis, shifër kjo mbi mesataren globale. Aspak për t’u çuditur, pasi konsumatori shqiptar, veçanërisht ai urban, ka gjerësisht qasje mjaft të hapur ndaj trendeve të reja dhe kulturalisht ka prirje entuziaste, ndryshe nga tregje më të saturuara. Niveli i gatishmërisë megjithatë nuk është uniform në mesin e anëtarëve të familjes. Anëtarët e familjes përgjegjës për kujdesin e shtëpisë dhe blerjet kryesore të familjes, kanë prirje pozitive më të lartë (8% diferencë) drejt një konsumi të shëndetshëm dhe të qëndrueshëm.

Rreth 40% e konsumatorit urban shpreh gatishmëri të paguaj më shumë për ushqime organike (bio) që janë ekologjikisht miqësore dhe gati po aq për ushqime dhe produkte me paketim të riciklueshëm. Gatishmëria vjen sigurisht më paketë me nevojën për siguri dhe garanci që ushqimi është vërtet ekologjik, ruan vlerat më të mira ushqyese për konsumatorin dhe është rritur duke mbrojtur mjedisin. Matja e elasticitetit të çmimeve për sektor dhe produkte të ndryshme kërkon studime të mëtejshme për segmente popullatë, por dukshëm etja për konsum të sigurt dhe të përgjegjshëm është e konsiderueshme.

Globalisht kompanitë që kanë përqafuar dhe marketuar qëndrueshmërinë dhe mbrojtjen e mjedisit si shtyllë të biznesit te tyre, kanë avantazh të fortë konkurrues veçanërisht nëse kanë arritur t’i sjellin produktet dhe shërbimet e tyre pa çmim premium. Globalisht sipërmarjet me fuqinë e teknologjisë po hapin shtigje të reja në rikonceptimin e të bërit biznesit, duke ruajtur kostot dhe madje duke i ulur ato. Shumë shpejt kjo shtyllë do të jetë një domosdoshmëri dhe kompanitë që nuk do të përshtaten me parimet e qëndrueshmërisë do të penalizohen nga konsumatori global dhe tregu. Gjetjet e këtij studimi tregojnë se konsumatori shqiptar urban ka etje për produkte dhe shërbimeve të qëndrueshme që mbrojnë mjedisin dhe zhvillohen sipas parimeve të ekonomisë qarkulluese, prirje kjo më dominante në sektorin ushqimor.

Në listën e zakoneve që konsumatori shqiptar urban shpreh gatishmëri të lartë për të ndryshuar janë: përdorim i çantave shumë-përdorimshe për pazare, mbajtja e ujit në shishe shumë-përdorimshe, riparim për rritjen e jetëgjatësisë së produkteve dhe pajisjeve shtëpiake, kursim energjie elektrike dhe ujë, informimi nga etiketat per blerje më të shëndetshme dhe të qëndrueshme.

Ndërkohë disa zakone të tjera që përballen me rezistencë më të lartë për t’u përqafuar janë: pakësim i produkteve të bulmetit dhe mishit që janë pjesë thelbësore e kulinarisë shqiptare, riparim, shkëmbim dhe pakësim i blerjeve të rrobave prej vëmendjes së madhe që ka veshja, si edhe pakësim i përdorimit të makinës për t’u zëvendësuar me biçikletën. Të gjitha këto zakone janë paraqitje të dukshme të statusit në shoqëri, në kulturën shqiptare. Konsumatori ekologjik që reklamon statusin si individ i përgjegjshëm dhe mbrojtës i mjedisit nuk ka zënë vend akoma mirë në shoqëri dhe nuk është përqafuar masivisht në Shqipërinë urbane.

Gjithsesi brezat e rinj Gen Z (18-24 vjeç) dhe Millenials (25-39 vjeç) shprehin bindjen (80%) se përmirësimi i mjedisit përmes riciklimit dhe proçeseve të reduktimit të mbetjeve, është më i rëndësishëm në afatgjatë sesa rritja ekonomike. Me rritjen në moshë, rritja ekonomike fillon merr peshë më të lartë për nga rëndësia përkundrejt përmirësimit të mjedisit.

Të pyetur rreth pengesave që ngadalësojnë zhvillimin e sipërmarrjeve sipas parimeve të ekonomisë qarkulluese në Shqipëri, shumica e të anketuarve identifikojnë mungesën e vetëdijes dhe njohurive si pengesë kryesore (58%), të ndjekur nga mungesa e interesit nga ana e bizneseve (43%) dhe mungesa e stimujve qeveritarë (41%) si edhe kuadri ligjor (35%).

Zhvillimet e para rreth parimeve të ekonomisë qarkulluese në Shqipëri vihen re në kompanitë prodhuese dhe ricikluese ku përfitimi ekonomik nga ekonomia qarkulluese është më i dukshëm dhe më pak në ato të retail ku presioni për të vijuar me modelin linear është më i lartë, qoftë nga vendimmarrësit qoftë nga zinxhiri furnizues. Disa shembuj lokal që operojnë 100% sipas parimeve të ekonomisë qarkulluese u prezantuan gjatë konferencës së dytë rajonale të ekonomisë qarkulluese në Shqipëri; I.N.C.A. Nordfish prodhon zorrë të përpunuara dhe produkte me origjinë shtazore, Albkalusyan në sektorin e bimëve mjekësore, “Sapun Organik i Roskovecit” përdor mbetjet e vajit të ullirit nga fabrikat lokale për të prodhuar sapun etj.

Nëse ekonomia qarkulluese është një temë interesi për ju, në datë 24 shtator 2020, në Hotel Tirana International ora 10.00-12.00, Center for Competitive Skills organizon eventin “Rrugëtimi drejt Ekonomisë Qarkulluese” ku do të lançohet rrjeti i bashkëpunimit për ekonominë qarkulluese si dhe platforma “Qarkonomia”, në kuadër të projektit “Rritja e ndërgjegjësimit të Organizatave të Shoqërisë Civile dhe SME-ve mbi rëndësinë e Ekonomisë Qarkulluese në përputhje me Paketën e Ekonomisë Qarkulluese të BE-së”, financuar nga Bashkimi Europian. Jeni të mirëpritur për ta ndjekur nga afër.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0