Tregu i televizioneve 2019, surprizon A2 CNN - Business Magazine Albania

Tregu i televizioneve 2019, surprizon A2 CNN

Të ardhurat e nëntë televizioneve kryesore pa pagesë në Shqipëri arritën në 4.3 miliardë lekë gjatë vitit 2019, me një rritje të lehtë prej 5% në krahasim me një vit më parë, në një kohë kur tregut mediatik kryesor në Shqipëri iu shtuan dy televizione të reja.

Të dhënat financiare të nëntë kompanive përkatëse të televizioneve Top Channel, Klan, Vizion Plus, News 24, ABC News, Ora News, A2 CNN dhe Euronews, të analizuara nga BIRN, tregojnë se hyrja e dy televizioneve të reja, A2 dhe Euronews gjatë vitit të kaluar u shoqërua me një rritje të lehtë të tregut të reklamave ndërsa të ardhurat e televizioneve ekzistuese nuk pësuan ndryshime dramatike. Po kështu, me përjashtim të hyrjes së A2 në treg, pjesët e tregut të zëna nga kompanitë e tjera mediatike nuk pësuan ndryshime të mëdha.

Sa i përket renditjes së televizioneve për nga të ardhurat, Top Channel u rendit i pari me 32% të tregut, pasuar nga Klan me 27%. Në vend të tretë u rendit kompania Media Vizion, e cila operon televizionin Vizion Plus me 10% të tregut. Kompania G2 Media e cila operon televizionin A2CNN u rendit në vend të katërt me 9% të tregut. Televizioni tjetër i ri, Euronews, i cili operohet nga kompania Euro Balkans News, pati 46 milionë lekë të ardhura ose vetëm 1.1% të tregut.

A2CNN realizoi të ardhura në masën 388 milionë lekësh pasi ndërtoi aktivitetin duke u mbështetur në asete me vlerë 120 milionë lekë. Të ardhurat e vitit 2019 i lejuan kompanisë të realizojë një fitim modest prej 130 mijë lekësh. A2 CNN është nën pronësinë e Gener 2, një kompani ndërtimi nën pronësinë e Bashkim Ulaj, Ahmet Ulaj dhe Astrit Ulaj.

Nga të nëntë televizionet e analizuara nga BIRN, gjashtë prej tyre operojnë në formatin e lajmeve 24 orëshe dhe emisioneve të debatit ndërsa tre televizione kanë karakter të përgjithshëm dhe transmetojnë emisione dëfryese, filma apo telenovela, krahas lajmeve dhe debateve nga aktualiteti. Të gjashta televizionet informative sëbashku kishin 1.3 miliardë lekë të ardhura (rreth 11 milionë euro) ndërsa tre televizionet e tjera, Top Channel, Klan dhe Media Vizion kishin së bashku të ardhura në masën 3 miliardë lekë.

Nga të nëntë televizionet në fjalë, tre prej tyre, Vizion Plus, ABC News dhe Euronews, e mbyllën vitin e kaluar me humbje ndërsa të tjerat patën bilanc pozitiv. Fitimet më të larta u realizuan nga Top Channel në masën 180 milionë lekë, pasuar nga Klan me 171 milionë lekë.

Të ardhurat e Top Channel njohën një rritje të vogël gjatë vitit të kaluar, por kompania rezultoi me fitime të larta kryesisht si pasojë e kursimeve në shpenzime.

Nga ana tjetër, Klan pësoi një rënie të konsiderueshme në të ardhura në masën 24%, por ia doli të mbajë fitime të konsiderueshme. Televizionet e analizuara kanë asete të përbashkëta në masën 8.6 miliardë lekë, (71 milionë euro). Rezultati neto i industrisë i shprehur në fitime në masën 71 milionë lekë, nënkupton një kthim në përqindje nga asetet në masën 0.8%. Kjo është një normë shumë e ulët që supozohet se do të shtynte drejt zvogëlimit të numrit të ndërmarrjeve që operojnë në këtë tregj, gjë që në fakt nuk ka ndodhur.

Përveç televizioneve pa pagesë, në tregun shqiptar operojnë edhe televizione me pagesë (Digitalb dhe Tring) si dhe Radio Televizioni Publik Shqiptar,  i cili financohet nga buxheti i shtetit, nga një taksë specifike si dhe nga të ardhurat nga shërbimet dhe nga reklamat.

Sipas raportit vjetor të dorëzuar në kuvendin e Shqipërisë, RTSH pati të ardhura totale prej 2.5 miliardë lekësh, shifër kjo e barabartë me të ardhurat e Top Channel dhe Klan të marra sëbashku ose sa 57% e të ardhurave të të nëntë televizioneve të tjera të analizuara. Bilancet e Digitalb dhe Scan TV nuk ishin të disponueshme në faqen e internetit të Qendrës Kombëtare të Biznesit deri në ditën e publikimit të këtij shkrimi.

Cilësia e peizazhit mediatik të një vendi vlerësohet edhe nga shkalla e larmishmërisë së këndvështrimeve që shikuesit kanë mundësi të ndjekin. Zakonisht kjo matet duke parë shifrat e shikueshmërisë së televizioneve, të nxjerra nga sondazhe të ndryshme. Në Shqipëri aktualisht nuk ka të dhëna të besueshme për shikueshmërinë e televizioneve por nëse marrim nivelin e të ardhurave si tregues të shikueshmërisë së tyre, gjatë vitit 2019, katër televizionet kryesore kontrolluan 79% të tregut. Në vitin 2018, katër televizionet më të mëdha kontrollonin 88% të tregut. Treguesi i përqendrimit, për rrjedhojë duket se është përmirësuar, por është gjithsesi shumë larg standardeve ndërkombëtare në të cilat, kur tregu dominohet në mbi 50% nga katër operatorë, konsiderohet se vendit i mungon larmishmëria në informacion që nevojitet për funksionimin e një shoqërie demokratike.

Media në Shqipëri ka gjithashtu tipar tjetër dallues që përbëhet nga kompani nën pronësi individuale ose familjare. Shumica e kompanive të analizuara janë nën pronësi të aksionerëve me lidhje të ngushta familjare.

BIRN

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0