Më 11–12 shkurt 2026, Tirana do të mirëpresë Edicionin e 4-t të Tourism Fair Albania (TFA26), panairit më të madh të dedikuar sektorit të turizmit në vend. Eventi, që do të zhvillohet në Pallatin e Kongreseve, është i hapur për publikun e gjerë, duke ruajtur njëkohësisht një fokus të qartë B2B, të orientuar drejt bashkëpunimeve profesionale dhe takimeve mes aktorëve të industrisë së turizmit ndërkombëtar.
I organizuar nga Iceberg Exhibitions, “Tourism Fair Albania” është konsoliduar ndër vite si një platformë strategjike e industrisë së turizmit, e cila bashkon operatorë turistikë, destinacione, struktura akomoduese, DMC, kompani të sektorit HoReCa, institucione publike dhe blerës profesionistë ndërkombëtarë, me një fokus të qartë në bashkëpunime konkrete dhe në zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit.
“Ky edicion vjen në një fazë kyçe për turizmin shqiptar, ku rritja e interesit nga tregje të largëta kërkon më shumë profesionalizëm, dialog dhe qasje afatgjatë. Tourism Fair Albania është menduar si një platformë për të nxitur kontrata me kompanitë shqiptare e për të rritur numrin e turistëve cilësore në vend, jo thjesht ekspozim,” shprehet Enejda Sheku, CEO e Iceberg Exhibitions.
Lexo edhe:Panairi i Turizmit 2026 rikthehet në 11–12 shkurt
Një platformë me impakt ndërkombëtar
TFA26 do të sjellë në Tiranë përfaqësues nga mbi 18 vende të botës, përfshirë tregje me potencial të lartë si SHBA, Kanada, Japoni, Kinë dhe Tajlandë, si edhe tregje kyçe europiane si Anglia, Gjermania, Irlanda dhe Franca. Nëpërmjet kësaj platforme, panairi synon të forcojë pozicionimin ndërkombëtar të Shqipërisë dhe Tiranës si destinacione turistike gjithëvjetore, duke nxitur flukse të reja turistësh dhe marrëveshje konkrete biznesi për sezonet në vijim.
Një nga shtyllat kryesore të panairit mbetet B2B Marketplace, ku blerës profesionistë ndërkombëtarë dhe ekspozues të regjistruar realizojnë takime të strukturuara dhe të planifikuara paraprakisht përmes platformës b2balkan.com. Në edicionin e kaluar u zhvilluan mbi 600 takime B2B, duke e konsoliduar Tourism Fair Albania si një instrument efikas për rezultate të matshme dhe bashkëpunime afatgjata.
Përveç dimensionit profesional, Tourism Fair Albania mbetet një platformë e rëndësishme edhe për bizneset e vogla lokale dhe artizanët, të cilët kanë mundësinë të prezantojnë produktet dhe historitë e tyre përballë një audience ndërkombëtare. Ky ndërveprim kontribuon drejtpërdrejt në forcimin e ekonomisë lokale dhe në promovimin e identitetit kulturor.
Program profesional dhe diskutime strategjike
Gjatë dy ditëve të panairit, Tourism Fair Albania 2026 do të ofrojë një program të pasur profesional, i ndërtuar rreth temave kyçe të zhvillimit të sektorit. Në agjendë përfshihen panele institucionale dhe profesionale mbi politikat e turizmit, forume me bashkitë dhe aktorët lokalë, si dhe diskutime të dedikuara digjitalizimit, teknologjisë dhe të ardhmes së sektorit të mikpritjes. Programi do të plotësohet me konventa tematike, me fokus të veçantë te investimet, hoteleria dhe udhëtimet korporative.
Një moment i rëndësishëm për industrinë e turizmit
Tourism Fair Albania 2026 krijon një hapësirë ndërveprimi për industrinë e turizmit, ku profesionistët mblidhen për të ndërtuar bashkëpunime konkrete dhe për të kuptuar qartë se ku po shkon tregu dhe si duhet t’i qasen së ardhmes. TFA është një platformë ku diskutimet lidhen drejtpërdrejt me vendimmarrjen, dhe ku trendet analizohen përmes praktikës dhe përvojës.
Për dy ditë, Tirana shndërrohet në një pikë takimi për operatorë, institucione dhe partnerë ndërkombëtarë, ku shkëmbehen ide, krijohen kontakte të qëndrueshme dhe hidhen themelet e projekteve që ndikojnë drejtpërdrejt në zhvillimin e turizmit në Shqipëri dhe në rajon.
Njëkohësisht, panairi mbetet i hapur edhe për publikun e gjerë, duke ofruar një përvojë dinamike dhe gjithëpërfshirëse për qytetarët. Vizitorët do të kenë mundësinë të njihen nga afër me kulturën, traditat dhe ofertën turistike të Shqipërisë dhe rajonit, përmes prezantimeve, performancave artistike dhe aktiviteteve që e kthejnë panairin në një event të gjallë dhe të aksesueshëm për të gjithë.
Për më shumë informacion mbi panairin e vetëm të dedikuar turizmit në Shqipëri, mund të kontaktoni në numrin +355 69 406 3909 ose në adresën e emailit info@icebergexhibitions.com.
Tourism Fair Albania
Data: 11–12 shkurt 2026
Vendndodhja: Pallati i Kongreseve, Tiranë
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto