Nëse jeni ndër ata njerëz që çdo ditë e përdorin në maksimum, atëherë i vlerësoni të gjitha 86,400 sekondat që përbëjnë një ditë të plotë. Por, më 9 korrik, si dhe më 22 korrik dhe 5 gusht, nuk do të përfitoni dot nga gjithë kjo kohë. Në këto ditë, Toka do të rrotullohet më shpejt se zakonisht, duke “vjedhur” nga 1.3 deri në 1.5 milisekonda nga dita prej 24 orësh.
Një milisekondë, pra një e mijta e një sekonde mund të duket e papërfillshme (një e rrahur qepallash zgjat rreth 100 milisekonda). Por meqë orët atomike matin rrotullimin e Tokës me saktësi ekstreme, çdo milisekondë ka rëndësi. Për këtë arsye, çdo një vit e gjysmë, një institucion i posaçëm, Shërbimi Ndërkombëtar për Rrotullimin e Tokës dhe Sistemet Referuese, shton një “sekondë shtesë” në vit për të kompensuar ndryshimet në shpejtësinë e rrotullimit të Tokës.
Dita më e shkurtër e regjistruar ndonjëherë
Në mbarë botën, janë rreth 450 orë atomike në funksion, të cilat matin kohën me saktësi të tillë që devijojnë vetëm 1 sekondë çdo 100 milionë vjet. Këto orë nuk janë vetëm për “përdorim estetik”, ato janë thelbësore për funksionimin e satelitëve të motit, sistemet GPS, komunikimet dhe madje edhe armët bërthamore. Nëse këto orë vërejnë se rrotullimi i Tokës nuk përputhet më me “tik-taket” atomike, alarmi bie. Dita më e shkurtër e regjistruar ndonjëherë ndodhi më 5 korrik të vitit të kaluar, kur Toka humbi 1.66 milisekonda nga koha e zakonshme. Po ashtu, më 30 qershor 2022, dita ishte 1.59 milisekonda më e shkurtër. Tani, me tre ditë të shkurtra të parashikuara për këtë verë, kemi të bëjmë me një fenomen të rrallë.
Lexo edhe:B2Balkan.com – Platforma që po digjitalizon takimet B2B në Shqipëri dhe Rajon
Çfarë po e bën Tokën të rrotullohet më shpejt?
Shkencëtarët kanë disa hipoteza, por ende nuk ka një shpjegim përfundimtar. Shkaku më i mundshëm lidhet me pozicionin e Hënës. Hëna rrotullohet rreth Tokës në një orbitë eliptike, ndonjëherë është më afër (perigeu), ndonjëherë më larg (apogjeu). Në ditët e shpejta të kësaj vere, Hëna do të jetë afër apogjeut, çka është e çuditshme sepse kur është më larg, zakonisht ngadalëson rrotullimin e Tokës, jo e përshpejton. Por jo vetëm kaq: orbita e Hënës është edhe e pjerrët, në një kënd që varion nga 18° deri në 28° në raport me ekuatorin e Tokës. Sa më i madh këndi, aq më shumë ndikim ka graviteti i Hënës për ta përshpejtuar Tokën. Pikërisht në këto tre ditë, Hëna do të jetë afër këndit maksimal prej 28°, duke neutralizuar efektin ngadalësues të apogjeut.
A mund të ndikojnë tërmetet ose klima?
Tërmetet gjithashtu mund të ndikojnë në rrotullimin e Tokës, pasi zhvendosin masën nën sipërfaqe, njësoj si një patinatore që rrotullohet më shpejt kur tërheq krahët drejt trupit. Në vitin 2005, një tërmet në Indonezi zhvendosi masën polare të Tokës me rreth 2.5 cm, duke shkurtuar ditën me 2.68 mikrosekonda. Megjithatë, nuk ka pasur tërmete madhore së fundmi, ndaj ky faktor përjashtohet. Ndërkohë, ndryshimet klimatike mund të kenë një ndikim të tërthortë. Sipas dy studimeve të mbështetura nga NASA, shkrirja e akullnajave që nga viti 2000 ka shkaktuar një zhvendosje të boshtit të Tokës me rreth 9 metra, duke ndikuar në ngadalësimin e saj, jo përshpejtimin. Madje llogaritet që deri në fund të këtij shekulli, nëse ngrohja globale vazhdon me këtë ritëm, ditët do të zgjasin me rreth 2.62 milisekonda më shumë. Edhe faktorë si rritja e nivelit të oqeaneve, fryrja e atmosferës apo lulëzimi i pemëve në pranverë mund të ndikojnë, por në të gjitha rastet, efekti është ngadalësues.
Çfarë duhet të presim?
Pra, mbetet që shpjegimi më i mundshëm të jetë graviteti i Hënës, i cili edhe pse kompleks në ndikim, është një pjesë e natyrshme e “valës” së përhershme që Toka dhe Hëna kanë ndarë për rreth 4.5 miliardë vjet. Dhe për ata që shqetësohen se mos diçka nuk shkon, nuk ka arsye për panik: planeti ynë është i qëndrueshëm dhe i aftë të menaxhojë ritmet e veta, edhe nëse ndonjëherë, ditët tona shkurtohen me disa milisekonda.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto