Nga Eni Muça– Nga 8 deri më 11 shtator 2026, konferenca DLD Future Hub: Impact of AI u mbajt në Mynih, duke sjellë së bashku disa nga mendjet më të ndritura dhe liderët vizionarë për të diskutuar rolin e inteligjencës artificiale në formësimin e të ardhmes. DLD (Digital-Life-Design) është një rrjet global konferencash të organizuar nga DLD Media, një kompani e Hubert Burda Media me bazë në Mynih. Themeluar në vitin 2005 nga Stephanie Czerny, DLD synon të bashkojë liderë nga biznesi, kreativiteti, shkenca, politika dhe kultura për të shkëmbyer ide, për të krijuar lidhje të papritura dhe për të frymëzuar inovacione. Ngjarja shërbeu si një platformë ku idetë e guximshme u shkëmbyen, vizionet u testuan dhe u formuan aleanca të rëndësishme.
Në panelin “European Ecosystems”, u prezantuan peizazhet e inovacionit të Valencias (Spanjë), Tiranës (Shqipëri) dhe Cluj-it (Rumani), me pjesëmarrjen e Krloos Rivera, Vlad Ciurca, Stefan Drüssler dhe Helga Mustafaraj nga Shqipëria. Diskutimi nxori në pah potencialin e bashkëpunimit, diversitetit dhe ndarjes së njohurive për të forcuar pozicionin e Evropës si lider global në inovacion.
Helga Mustafaraj, menaxhere projekti pranë Innovation Hub, përfaqësoi Shqipërinë në këtë panel të rëndësishëm. Ajo ka luajtur një rol kyç në zhvillimin e sektorit ICT në Shqipëri, duke kontribuar në rritjen e ekosistemit të startup-eve dhe teknologjisë. Pjesëmarrja e saj në DLD Future Hub thekson potencialin e Shqipërisë si një qendër e re inovacioni në Ballkanin Perëndimor.
Në një prononcim të dhënë për Businessmag, Helga Mustafaraj u shpreh: “Pjesëmarrja në DLD Future Hub ishte një mundësi e jashtëzakonshme për të prezantuar potencialin e ekosistemit të Tiranës dhe për të ndërtuar ura bashkëpunimi me aktorë të tjerë evropianë. Diskutimet në panel na kujtuan se e ardhmja e inovacionit varet nga aftësia jonë për të bashkëpunuar dhe për të ndarë vizionet tona. Shqipëria ka një potencial të madh për të kontribuar në këtë të ardhme, dhe unë jam krenare që isha zëri i saj në këtë platformë prestigjioze.”
DLD Future Hub: Impact of AI doli të jetë më shumë se një konferencë, është një katalizator për ndryshim dhe një hapësirë ku formohen idetë që do të përcaktojnë të ardhmen. Ngjarja nxori në pah urgjencën dhe përgjegjësinë për të adoptuar teknologji transformuese si AI-ja, duke ndërtuar njëkohësisht rrjete bashkëpunimi ndërkombëtar. Për Shqipërinë, prania në një event të tillë sinjalizon një hap të rëndësishëm drejt integrimit në skenën globale të inovacionit.
Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto
