Tirana European Youth Film Festival shpall edicionin e tij të 3-të (5–10 Shtator 2025) - Business Magazine Albania

Tirana European Youth Film Festival shpall edicionin e tij të 3-të (5–10 Shtator 2025)

Tre vite më parë, Tirana European Youth Film Festival (TEYFF) nisi si një ëndërr: të sillte në Tiranë filmat europianë për të cilët vetëm lexonim, por nuk kishim mundësi t’i shihnim në ekranin e madh. I krijuar nga të rinjtë për regjisorët e rinj, TEYFF është shndërruar në një platformë dinamike për zëra të rinj, vizione të guximshme dhe histori të paharrueshme.

Tashmë në edicionin e tretë, TEYFF rikonfirmon misionin e tij për të hapur një dritare drejt kinemasë europiane, filma që rrallëherë mbërrijnë në ekranet shqiptare, dhe për të lidhur brezin e ardhshëm të kineastëve me audienca të reja. Tirana European Youth Film Festival është më shumë se një festival. Është energji, është zbulim, është e ardhmja e kinemasë europiane, pikërisht këtu në Tiranë.
Në qendër të festivalit qëndron programi me filmat europianë në konkurim, i cili këtë vit prezanton tetë filma debutues ose të dytë me metrazh të gjatë nga shtete si: Turqia, Gjermania, Italia, Kosova, Polonia, Mali i Zi, Suedia dhe Bullgaria. Filmat artistikë pasqyrojnë diversitetin, krijimtarinë dhe shqetësimet e një gjenerate të re evropiane, duke eksploruar tema që variojnë nga pasojat e luftës të rrëfyera përmes një komedie të errët, te historitë intime të mëmësisë dhe dashurisë, e deri te satirat e mprehta mbi traditat ballkanike. Ata gjithashtu prekin çështje si mungesa e figurës atësore, korrupsioni në polici, ngritja e talenteve të rinj muzikorë, si dhe një rrëfim i një bote distopike ku vihet në dyshim çdo njohuri. Çdo shfaqje do të pasohet nga një bisedë me publikun, ku shumë prej regjisorëve do të jenë personalisht të pranishëm, duke krijuar dialog mes kineastëve dhe audiencës shqiptare.

Një juri e përzgjedhur profesionistësh krijues vendas e ndërkombëtarë: regjisori dhe skenaristi italian Edgardo Pistone, regjisorja dhe bashkëthemelueja e TEYFF Elkjana Gjipali, aktori shqiptar me karrierë ndërkombëtare Nik Xhelilaj, dhe botuesja Arlinda Dudaj; do të ndajnë çmimet Filmi më i mirë, Regjisori më i mirë, Skenari më i mirë dhe Kinematografia më e mirë në ceremoninë e mbylljes; ndërsa publiku do të zgjedhë fituesin e Audience Award.

Programi jashtë konkurrimit zgjeron horizontin e festivalit drejt trashëgimisë filmike dhe perspektivave bashkëkohore. Dy filma shqiptarë që shënuan tranzicionin post-komunist, Unë e dua erën (1991) i Albert Mingës dhe Yllka (2003) i Ylli Pepos, do të rikthehen në ekran jo vetëm për nostalgjikët, por veçanërisht për brezin e ri të cilët nuk i kanë parë këto filma duke krijuar kështu një urë komunikimi, së bashku me Përtej Rrugës (2009) të regjisorit kosovar Yll Çitaku. Gjithashtu për filmat në konkurrim, këto shfaqje do të shoqërohen me diskutime të hapura.
Nata e mbylljes do të sjellë gjithashtu shfaqjen e filmit kult shqiptar të restauruar Vdekja e Kalit (1992) nga Saimir Kumbaro, pas të cilit do të ketë një takim dhe bisedëme protagonistin e tij, aktorin e mirënjohur shqiptar Timo Flloko.

Lexo edhe: Inteligjenca Artificiale dhe epoka e re e kinematografisë mes mundësive dhe kërcënimeve

Edicioni i këtij viti gjithashtu mbështet brezin e ardhshëm të profesionistëve të filmit përmes një serie bisedash dhe takimesh profesionale. Temat variojnë nga puna arkivore dhe përfshirja e të
rinjve me Arkivin Qëndror Shtetëror të Filmit, tek udhëzimet sesi të gjenden subjektet tek veprat letrare me Arlinda Dudaj, si ndikon dizajni grafik në perceptimin e filmit me grafistin Joreld Dhamo, dhe rëndësia e promovimit të eventeve kulturore nga Gjyljana Bakalli. Një “industry event”, The Film Industry Wants You! i drejtuar nga Jonid Jorgji (Kryetar i Qendrës Kombëtare Kinematografike në Shqipëri) dhe producentët shqiptarë të suksesshëm Dionis Papadhimitri dhe Ols Abazi, do t’i prezantojë të rinjtë dhe të apasionuarit shqiptarë pas kinemasë me profesionet shpesh të nënvlerësuara që mbajnë në këmbë prodhimin filmik.

Festivali, i drejtuar nga Malda Lika, mbështetet ndjeshëm tek ekipi i vullnetarëve, të cilët jo vetëm që mbështesin shtyllën organizative të festivalit, por gjithashtu inkurajohen të kontribuojnë me ide dhe të angazhohen drejtpërdrejt: prezantojnë filma, realizojnë video, intervista, japin ide mbi promovimin, ndihmojnë në projeksion, logjistikë etj. Një përvojë që ndërthur të nxënit me pjesëmarrjen aktive.

Shfaqjet do të zhvillohen në Qendrën e Artit Agimi në qendër të Tiranës, shtëpia e festivalit, si dhe në Open Air Tirana, një hapësirë nën yje e dedikuar filmave jashtë konkurrimit. Të dy lokacionet, të vendosura në zemër të Tiranës, mishërojnë ndërthurjen e traditës dhe modernitetit që karakterizon festivalin. Në përputhje me filozofinë e tij gjithëpërfshirëse, të gjitha shfaqjet dhe aktivitetet janë falas.

Slogani i këtij edicioni, “Çdo kineast e mban mënd herën e tij të parë në Tiranë”, përmbledh ambicien e dyfishtë të TEYFF: të promovojë regjisorët e rinj europianë dhe të pozicionojë Tiranën si një qytet jo vetëm kulturor, por edhe si një lokacion për filmat e tyre.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.



Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0