TikTok sfidon “fake news” me shënime komunitare – a funksionon vërtet ky model? - Business Magazine Albania

TikTok sfidon “fake news” me shënime komunitare – a funksionon vërtet ky model?

TikTok është bërë platforma më e fundit e rrjeteve sociale që lejon përdoruesit të shkruajnë dhe të vlerësojnë postime, duke shtuar kontekst mbi përmbajtjen që u shfaqet në “feed”. Aplikacioni i videove të shkurtra po e lançojnë këtë funksion të quajtur Footnotes fillimisht në Shtetet e Bashkuara.

Përdoruesit mund të shtojnë një shënim që ofron më shumë kontekst mbi një video dhe të votojnë nëse komente të tjera duhet të shfaqen poshtë saj. Një shënim mund të përfshijë, për shembull, mendimin e një studiuesi mbi një temë të ndërlikuar në fushën e shkencave apo të publikojë statistika të reja që ndihmojnë të kuptohet më mirë një ngjarje në zhvillim, tha kompania.

Ky funksion i ri është i ngjashëm me opsionet e tjera të verifikimit të fakteve nga komuniteti në platforma si X (ish-Twitter) apo Facebook dhe Instagram të Metas. Por, pse gjigantët e rrjeteve sociale po kalojnë drejt këtij modeli për të kontrolluar pretendimet online?

Çfarë është verifikimi i fakteve nga komuniteti?
Scott Hale, profesor i asociuar në Oxford Internet Institute, tha se Twitter tani X e nisi këtë praktikë në vitin 2021 me një funksion të quajtur Birdwatch, i cili u mbajt edhe pas marrjes së kompanisë nga Elon Musk në vitin 2022.

Otavio Vinhas, studiues në Institutin Kombëtar të Shkencës dhe Teknologjisë për Mosmarrëveshjet dhe Sovranitetin Informativ në Brazil, shpjegon se edhe Meta prezantoi këtë vit një program shënimesh komunitare, në përputhje me një prirje të nxitur nga ish-presidenti amerikan Donald Trump për një qasje më libertariane ndaj lirisë së shprehjes në internet.

“Sipas këtij koncepti, moderimi i drejtë është ai që i jep përparësi lirisë së shprehjes, pa u shqetësuar shumë për dëmin potencial apo për përhapjen e pretendimeve të rreme”, tha Vinhas për Euronews Next.

Hale thekson se ka prova shkencore që crowdsourcing mund të funksionojë, pasi studimet tregojnë se grupet e përdoruesve shpesh arrijnë në përfundime të sakta për vërtetësinë e një informacioni, në përputhje me vlerësimet e profesionistëve.

Megjithatë, Vinhas nënvizon se Footnotes e TikTok ka një dallim të rëndësishëm nga iniciativat e ngjashme në X apo Meta: përdoruesit duhet të tregojnë burimin e informacionit në shënimet e tyre, një kërkesë që në X nuk është e detyrueshme.

Lexo edhe: Google prezanton modelin AI që funksionon si satelit virtual

Shumica e shënimeve nuk publikohen kurrë
Sfida më e madhe për të gjitha platformat, sipas Hale, është të bëjnë që shënimet t’i shohin njerëzit e duhur.

Të tre programet, në TikTok, Meta dhe X përdorin një sistem renditjeje “bridge-based” që përcakton ngjashmërinë mes dy përdoruesve bazuar në përmbajtjen që konsumojnë. Algoritmi ua shfaq shënimet përdoruesve që kanë prirje të ndryshme, për të parë nëse të dy e vlerësojnë shënimin si të dobishëm. Vetëm shënimet që kalojnë këtë test shfaqen publikisht.

Në praktikë, pjesa dërrmuese e shënimeve nuk arrijnë të publikohen. Një studim i qershorit nga Digital Democracy Institute of the Americas (DDIA) mbi shënimet në anglisht dhe spanjisht në X gjeti se mbi 90% e 1.7 milionë shënimeve në databazën publike nuk u botuan kurrë. Ato që publikoheshin merrnin mesatarisht 14 ditë për t’u miratuar—një përmirësim krahasuar me 100 ditë në vitin 2022—por ende me vonesa të konsiderueshme.

“Nuk mendoj se këto platforma mund të realizojnë premtimin për të krijuar një ‘treg idesh’, ku fiton gjithmonë informacioni më i mirë”, tha Vinhas.

Hale shton se shpesh është e vështirë të shohësh shënime që kundërshtojnë bindjet e tua, për shkak të “dhomave të jehonës” në rrjetet sociale, ku përdoruesve u shfaqet kryesisht përmbajtje që përforcon pikëpamjet e tyre.

Një mënyrë për ta bërë sistemin më efektiv, sipas tij, do të ishte “gamifikimi” i procesit—një model i ngjashëm me Wikipedia-n, ku kontribuesit kanë faqe personale me historikun e redaktimeve dhe marrin çmime për kontributin, si dhe mund të marrin pjesë në gara dhe fushata financimi.

Moderimi i përmbajtjes nuk mbështetet vetëm te komuniteti
Hale dhe Vinhas theksojnë se verifikimi nga komuniteti nuk është mjeti i vetëm që përdorin platformat për të kufizuar përhapjen e dezinformimit.

Meta, X dhe TikTok përdorin gjithashtu sisteme të moderimit automatik për të identifikuar përmbajtjen e dëmshme ose të dhunshme. Meta, për shembull, përdor inteligjencën artificiale për të skanuar përmbajtjen dhe për ta hequr menjëherë nëse shkel standardet e saj. Më pas, moderatorë njerëzorë e shqyrtojnë për të verifikuar nëse shkelja është e qartë apo mungon konteksti.

Përdoruesit mund të raportojnë gjithashtu përmbajtje që mendojnë se bie ndesh me rregullat.

Në SHBA, Meta e ka zëvendësuar pjesërisht bashkëpunimin me verifikues profesionistë të fakteve me shënimet e komunitetit, por në Mbretërinë e Bashkuar dhe BE nuk ka shenja se këto partneritete do të ndërpriten.

Të dy ekspertët bien dakord se verifikimi profesionist dhe ai nga komuniteti mund të funksionojnë mirë së bashku: përdoruesit ofrojnë kontekst dhe informacion shtesë, ndërsa profesionistët mund të shkojnë më thellë, të kontaktojnë ekspertë dhe të verifikojnë burime direkt.

“Verifikuesit profesionistë ndjekin në mënyrë aktive zhvillimet politike, sociale dhe ekonomike që lidhen me fushatat e dezinformimit, ndërsa përdoruesit mund të mos kenë të njëjtin nivel angazhimi për integritetin e informacionit”, tha Vinhas.

Për momentin, ai e sheh modelin e TikTok si premtues, por ende nuk ka garanci se do të vazhdojë të jetë pjesë e një programi global verifikimi.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

See more
Follow us
0