Themeluesi i YouTube ngre alarmin: Videot e shkurtra dëmtojnë fëmijët - Business Magazine Albania

Themeluesi i YouTube ngre alarmin: Videot e shkurtra dëmtojnë fëmijët

Steve Chen, bashkëthemeluesi i YouTube dhe ish-shefi teknik i platformës, është personazhi më i fundit nga bota e teknologjisë që paralajmëron për ndikimin e rrjeteve sociale tek fëmijët. Në një fjalim të publikuar së fundmi, ai theksoi se videot e shkurtra “përkthehen në aftësi më të ulëta përqendrimi” dhe shtoi se nuk do të donte që fëmijët e tij të konsumonin vetëm këtë lloj përmbajtjeje. Kompanitë që shpërndajnë video të shkurtra, përfshirë edhe YouTube-in, që ai vetë e ka themeluar sipas tij, duhet të vendosin mekanizma mbrojtës për përdoruesit më të vegjël.

Një nga njerëzit që ndihmoi në formësimin e botës moderne të mbushur me përmbajtje digjitale, sot kritikon hapur pikërisht modelin që dikur kontribuoi ta ngrinte. Në një diskutim të mbajtur në fillim të këtij muaji në Shkollën e Biznesit të Universitetit Stanford, Chen shprehu shqetësimin e tij për ndikimin që ka përmbajtja e stilit TikTok në jetën e përditshme në internet.“Mendoj se TikTok është argëtim, por është vetëm kaq, thjesht argëtim. Është për atë momentin e shkurtër. Përmbajtja e shkurtër përkthehet në përqendrim të shkurtër”, tha Chen gjatë fjalimit, i cili u publikua në YouTube të premten.

Chen, që ka dy fëmijë me bashkëshorten Jamie Chen, tha se nuk do të dëshironte që ata të konsumonin vetëm përmbajtje të tillë, pasi do t’i pengonte të ndjekin video që zgjasin më shumë se 15 minuta. Ai përmendi se njeh prindër të tjerë që u imponojnë fëmijëve të tyre të shikojnë përmbajtje më të gjatë, pa ngjyrat vezulluese dhe truket vizuale që tërheqin veçanërisht fëmijët më të vegjël. Sipas tij, kjo strategji funksionon mirë.

“Nëse nuk ekspozohen menjëherë ndaj përmbajtjes së shkurtër, atëherë vazhdojnë të jenë të kënaqur me përmbajtjen tjetër që po shohin,” shtoi ai.

Chen theksoi gjithashtu se shumë kompani janë detyruar të nxitojnë për të ofruar përmbajtje të shkurtër pas suksesit të TikTok-ut, por tani duhet të gjejnë një balancë mes synimit për të fituar dhe mbajtur vëmendjen e përdoruesve, dhe ofrimit të përmbajtjes që “është vërtet e dobishme.”

Lexo edhe: Nvidia porosit 300 mijë çipë H20 nga TSMC, pas rritjes së kërkesës në Kinë

Kompanitë që shpërndajnë video të shkurtra, përfshirë YouTube-in mund të përballen me probleme që lidhen me varësinë. Sipas Chen, këto platforma duhet të vendosin masa mbrojtëse për fëmijët, si kufizime moshe për aplikacionet dhe limite kohore për përdorimin e tyre.

Chen i bashkohet kështu zërave të tjerë nga bota e teknologjisë që shprehin shqetësim për ndikimin e rrjeteve sociale tek fëmijët, përfshirë Sam Altman nga OpenAI dhe Elon Musk.

Në një intervistë podcast-i javën e kaluar, Altman kritikoi sidomos efektin që ka skrollimi pa ndalesë dhe “shpërthimet e dopaminës” nga videot e shkurtra, duke thënë se “ka shumë gjasa që po ndikojnë thellësisht në zhvillimin e trurit të fëmijëve”.

Ndërkohë Musk, pronar i rrjetit social X (dikur Twitter), tha në vitin 2023 se nuk ka vendosur ndonjë kufizim për përdorimin e rrjeteve sociale nga fëmijët e tij, por shtoi se kjo “ndoshta ka qenë një gabim”. Ai u bëri thirrje prindërve që të jenë më aktivë në mbikëqyrjen e zakoneve digjitale të fëmijëve të tyre.

“Besoj se do t’i kisha kufizuar më shumë rrjetet sociale sesa kam bërë më parë dhe thjesht do të vëzhgoja çfarë po shikojnë, sepse në këtë pikë po programohen nga disa algoritme të rrjeteve sociale, me të cilat mund të jeni dakord ose jo,” tha Musk.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0