The Lobby Boy, nga kaosi i recepsionit, te një platformë që po ndryshon hotelerinë! - Business Magazine Albania

The Lobby Boy, nga kaosi i recepsionit, te një platformë që po ndryshon hotelerinë!

Nga Eni Muça– Nëse ke qenë ndonjëherë pronar apo menaxher hoteli, e di sa shpejt mund të kthehet një ditë pune në kaos. Rezervime që vijnë nga Booking, Expedia, Airbnb, Hostelworld, e platforma të tjera. Dhoma që duken të lira në një kanal, por të zëna në tjetrin. Mysafirë që shfaqen pa pagesë. Pagesa që nuk dihet nëse janë kryer. Excel që hapet çdo mëngjes dhe mbyllet çdo darkë me shpresën se asgjë nuk ka dalë jashtë kontrollit. Pikërisht nga kjo përvojë reale nisi The Lobby Boy.

Kur flet për The Lobby Boy, Arben Jonuzi nuk flet si një themelues tipik në fushën teknologjike. Flet si dikush që e ka provuar kaosin e përditshëm të hotelerisë në praktikë. Ideja nuk erdhi nga një pitch deck, por nga recepsioni i një hosteli.

“Ideja lindi nga përvoja ime si pronar i një hosteli nga viti 2012 deri në vitin 2020,” tregon ai. “Problemi kryesor ishte menaxhimi i shumëfishtë i inventarit. Ne ishim të listuar në kanale të ndryshme (Booking, Expedia, Airbnb, Hostelworld, etj.), gjë që shkaktonte mbirezervime (overbookings) të shpeshta.”

Sipas tij, problemi nuk ishte vetëm tek overbooking-u. Ishte mungesa e kontrollit në kohë reale mbi operacionet bazë të hotelit. “Si pronar, nuk kisha informacion në kohë reale nëse mysafiri kishte bërë check-in/out, apo nëse kishte kryer pagesën,” shprehet Jonuzi. “Shpesh e kuptonim shumë vonë që diçka kishte shkuar keq.”

Nga ky realitet i përditshëm nisi ndërtimi i The Lobby Boy, por rruga drejt një platforme funksionale nuk ishte e shpejtë. “Sfida më e madhe fillimisht ishte përshtatja e të gjitha funksioneve të platformës, pasi nevojat e një hosteli ndryshojnë nga ato të hoteleve,” shpjegon ai. “Sidomos hotelet e mëdha kanë kërkesa shumë specifike.”

Lexo edhe:Shqipe Neziri Vela, shqiptarja në mesin e 10 grave më të spikatura botërore në sektorin e energjisë!

Një tjetër pengesë serioze ishte ndërtimi i ekipit teknik. “Ndërtimi i një ekipi të aftë zhvilluesish ishte sfidë më vete, pasi platforma është komplekse,” thotë ai. “Për të arritur versionin Beta, të gatshëm për testim, na u deshën rreth dy vite.”

Sot, The Lobby Boy është ndërtuar pikërisht mbi ato probleme që Arben Jonuzi i ka përjetuar vetë si pronar strukture akomoduese. Ai e përmbledh vlerën e platformës në tre drejtime konkrete. “Falë integrimit të Virtual POS me Bankën BKT dhe Stripe payment processor, platforma mundëson procesimin e sigurt të pagesave online (Pay Online), menaxhimin e rezervimeve No-Show, si dhe dërgimin e linkut për pagesë, payment link për çdo rezervim,” shpjegon ai.

Sipas tij, një tjetër problem i madh që platforma adreson është kaosi i rezervimeve nga shumë kanale. “Ne centralizojmë fluksin e punës, duke menaxhuar të gjitha rezervimet në një ndërfaqe të vetme,” thotë Jonuzi. “Kjo redukton gabimet dhe kursen mesatarisht dy orë në ditë, duke i lënë më shumë kohë stafit të fokusohet tek klientët.”

Për pronarët dhe menaxherët, transparenca në kohë reale është një ndryshim i madh. “Sistemi ynë ofron monitorim të plotë në kohë reale përmes celularit ose tabletit,” thekson ai. “Pronari ose menaxheri e di saktë disponueshmërinë e hotelit dhe statusin e mysafirëve në çdo moment.”

Kur pyetet se ku qëndron diferenca kryesore e The Lobby Boy në raport me zgjidhjet e tjera në treg, përgjigjja e tij është e thjeshtë dhe shumë personale. “Diferenca jonë kryesore qëndron në përvojën tonë 8-vjeçare në industrinë e hotelerisë,” thotë Jonuzi. “Si pronar hosteli, jam përballur drejtpërdrejt me të gjitha problemet dhe nevojat që mund të ketë një hotel. Kjo përvojë është e inkorporuar në çdo aspekt të platformës sonë.”

Sipas tij, tregu në rajon po ndryshon shpejt, edhe pse jo në të njëjtin ritëm kudo. “Në Shqipëri, niveli i digjitalizimit në hoteleri është dukshëm më i lartë se në Kosovë, gjë që lidhet direkt me rritjen e numrit të turistëve,” vëren ai. “Megjithatë, tregu në tërësi po adaptohet gjithnjë e më shumë me zgjidhjet digjitale, pasi kjo është kthyer në një nevojë të domosdoshme.”

Ai beson se momenti për zgjidhje si The Lobby Boy është tani. “Për këtë arsye, ne besojmë se tregu është i gatshëm për të adoptuar zgjidhje inovative si The Lobby Boy,” shton ai.

Sa i përket hapit të radhës, vizioni i ekipit është të mos ndalen tek versioni aktual i produktit. “Vizioni i The Lobby Boy është të vazhdojmë të përmirësojmë dhe të shtojmë funksione të reja në mënyrë të vazhdueshme,” përfundon Jonuzi. “Qëllimi ynë është të plotësojmë të gjitha kërkesat specifike që mund të ketë një hotel dhe të jemi zgjidhja më e plotë dhe efikase në treg.”

Në fund të ditës, historia e The Lobby Boy nuk është histori e një platforme që “erdhi nga lart”, por e një zgjidhjeje që lindi nga terreni, nga overbooking-u, nga pagesat e humbura dhe nga nevoja për të pasur kontroll real mbi një biznes që funksionon 24/7.

Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0