THE ECONOMIST: Çfarë na pret në të ardhmen? Rreziqet dhe parashikimet - Business Magazine Albania

THE ECONOMIST: Çfarë na pret në të ardhmen? Rreziqet dhe parashikimet

E përjavshmja britanike “The Economist” botoi edhe këtë vit specialen me titull “Po sikur?”, që përmban një seri artikujsh, në të cilat redaktorët e revistës përpiqen të imagjinojnë se si do të jetë e ardhmja, bazuar në njohuritë aktuale të fakteve dhe tendencave të tyre në fusha të ndryshme. Këtë vit hipotezat janë përqendruar në çështje të lidhura me shëndetin, elementë imagjinarë, dhe mbi tema të tjera të bazuara në provat shkencore.

I nxehti ekstrem (Viti 2041)

Në verën e vitit 2041, një valë e vazhdueshme e të nxehtit ekstrem prek një pjesë të Indisë për 3 javë rresht, me temperatura që shkojnë deri në 50 °C. Në qytetin Çenai buzë Gjirit të Bengalit, gati 18.000 njerëz vdesin për shkak të temperaturave të larta dhe lagështisë.

Ndërkohë, pak më në veri në Hiderabad, ka pasur vetëm 26 vdekje, dhe kjo falë politikave të ndjekura që në vitet e mëparshme për t’i mbajtur godinat sa më të freskëta. Programi i parë në këtë aspekt, nisi të zbatohej në vitin 2017, kur administrata lokale eksperimentoi me izolimin e godinave me materiale që reflektojnë më shumë rrezet e diellit.

Në godinat që iu nënshtruan kësaj procedure, u arrit një ulje mesatare e temperaturës prej 2 °C. Po ashtu, qyteti ka mbjellë 2.5 milionë pemë, të cilat kanë ndihmuar në zvogëlimin e sipërfaqeve të tilla si asfalti, të cilat tentojnë të thithin shumë nxehtësi dhe më pas e lëshojnë atë ngadalë gjatë natës.

Smartphone dhe shëndeti (Viti 2028)

Në shtatorin e vitit 2028, Apple prezantoi iPhone XX, versionin më të fundit të smartfonit të tij të famshëm, që ka shënuar përparime të mëdha në sistemet e monitorimit të shëndetit të përdoruesve të tyre. Përmes një iPhone XX dhe aplikacionit “Apple Watch”, njerëzit mund të monitorojnë tensionin, gjendjen e sistemit të frymëmarrjes me një oksimetër dhe spirometër, pjellorinë, dhe sisteme për t’i ndihmuar përdoruesit të jetojnë më mirë dhe të hanë ushqimet, të cilat rrezikojnë t’u shkaktojnë më pak dëme.

Apple gjithashtu ka filluar të ofrojë shërbime të abonimit shëndetësor. Paketa për diabetikët, për shembull, ju lejon të llogarisni gjurmët e sheqerit në gjak dhe përmbajtjen e sheqernave dhe ushqyesve të tjerë në ushqime, duke i përshtatur ato me kamerën e smartphone-it. Aplikacioni përshtatet me zakonet e atyre që e përdorin atë dhe rekomandon se si të përmirësohet dieta, duke e bërë më të shëndetshme kontrollin e diabetit. Siç ndodh shpesh, shumica e shërbimeve dhe aksesorëve funksionojnë vetëm me modelin më të fundit të iPhone, megjithëse disa opsione janë të disponueshme për ata që përdorin modelet e dy viteve të fundit, afërsisht deri në vitin 2026.

Majmunët hënorë (Viti 2055)

Në vitin 2055, Poli i Jugut në Hënë, është i banuar nga një koloni majmunësh që u bëjnë shoqëri disa astronautëve që jetojnë në një bazë hënore, si pjesë e disa eksperimenteve afatgjata. Majmunët janë ndër kafshët e para që kanë lindur direkt në Hënë, pas një pune të gjatë kërkimore që përfshinte, ndër të tjera, edhe zgjedhjen e gjeneve më të përshtatshme për të garantuar që të sapolindurit të kenë një kockë më të dendur, e cila mund të përballojnë efektet negative të gravitetit më të ulët.

Astronautët përfitojnë nga prania e majmunëve, jo vetëm për shkak të shoqërisë që ata ofrojnë, por edhe sepse me bishtin e tyre të gjatë, ata ndihmojnë për të hequr të paktën disa pjesë nga pluhuri shumë i hollë hënor, i cili bie kudo dhe mund të shkaktojë probleme me frymëmarrjen.

Inteligjenca Artificiale (Viti 2036)

Fituesi i Çmimit Nobel në Mjekësi në vitin 2036 është YULYA, një Inteligjencë Artificiale që ka ndihmuar në shpëtimin e jetës së të paktën 4 milion njerëzve, përmes gjetjes së kombinimin e duhur të antibiotikëve për të kapërcyer problemin e rezistencës ndaj antibiotikëve. Në dekadat e mëparshme, përdorimi masiv i antibiotikëve kishte çuar në shfaqjen e versioneve bakteriale,  të cilat ishin më të afta t’i rezistonin këtyre lloj barnave, duke e bërë gjithnjë e më të vështirë trajtimin e disa sëmundjeve.

YULYA ishte programuar fillimisht për të zhvilluar trajtime të reja kundër kancerit, duke analizuar sasi të mëdha të të dhënave për pacientët dhe duke i bashkuar këto njohuri me at0 të mijëra kërkimeve shkencore mbi kancerin. Në 2034, YULYA-s gabimisht iu dha mundësia e qasjes në studimet shkencore mbi ilaçet, duke lejuar inteligjencën artificiale të përsosë në mënyrë autonome aftësitë e saj në trajtimin e rasteve të rezistencës ndaj antibiotikëve.

Jo të gjithëve u pëlqeu zgjedhja e komitetit Nobel për t’i dhënë çmimin një inteligjence artificiale, duke marrë kritika të forta nga disa studiues dhe aktivistë kundër përhapjes së inteligjencës artificiale pa kontroll. Dita e ceremonisë së Çmimit Nobel në Stokholm u zhvillua me protesta të shumta, ku pati përplasje me policinë.

Teknologjia mARN (Viti 2029)

Pasi e treguan potencialin e tyre me vaksinat gjatë pandemisë së koronavirusit të vitit 2020, teknologjitë e mARN bëhen në vitin 2029 një burim i çmuar dhe jo vetëm në fushën mjekësore. Ato përdoren për ta nxitur trupin tonë të prodhojë një larmi të gjerë substancash, nga të cilat përfiton trupi i njeriut.

Në Olimpiadën së Parisit së vitit 2024, disa atletë kërkojnë përdorimin e disa barnave me bazë mRNA për të rritur sasinë e eritropoetinës (EPO), një hormon që rregullon prodhimin e qelizave të kuqe të gjakut. Kjo mundëson një performance fizike më të mirë. Ndryshe nga substancat e tjera dopante që bëjnë të mundur arritjen e të njëjtit qëllim, ato të përdorura në Paris ishin aq të reja sa nuk mund të identifikoheshin përmes testeve klasike të anti-dopingut.

Mënyra e të ushqyerit (Viti 2035)

Në vitin 2019 në revistën shkencore mjekësore “The Lancet” u botua një artikull mbi nevojën për të hartuar një “dietë mbi shëndetin planetar”, që të bazohej në përgjysmimin e konsumit të mishit të kuq dhe sheqerit, së bashku me dyfishimin e konsumit frutave të thata, perimeve dhe bishtajoreve midis viteve 2020-2050.

Synimi nuk është arritur ende në vitin 2035, por falë përhapjes së “dietave të personalizuara”, ai ka filluar të jetë i praktikueshëm, edhe pse vendet më të varfra e kanë shumë të vështirë të kenë qasje në sisteme dhe burimet e duhura për ta zbatuar atë.

“Dieta e personalizuar”, është bërë e mundur nga analizat gjithnjë e më të sakta dhe të lira të trashëgimisë gjenetike të secilit person, dhe nga disponueshmëria e aplikacioneve dhe sistemeve të inteligjencës artificiale, që mbajnë nën kontroll zakonet e të ngrënit.

Sëmundja e demencës (Viti 2050)

Për herë të parë ndër dekada, rastet e demencës senile kanë filluar të bien ndjeshëm, pavarësisht rritjes së moshës mesatare në shumë vende të botës. Shenjat e para të një reduktimi u regjistruan në vitin 2030. Reduktimi i rasteve, duket se lidhet mbi të gjitha me mënyrat e shëndetshme të jetesës të popullatës, me më pak ekspozim ndaj substancave potencialisht toksike dhe falë një vëmendjeje më të madhe ndaj shëndetit gjatë plakjes.

 

Në 2020, vit në të cilin pandemia e koronavirusit monopolizoi shumicën e informacionit dhe kërkimit mjekësor, indikacionet e para kishin dalë për një reduktim të përhapjes së demencës. Në atë vit, një studim i botuar në revistën shkencore Neurology, ku u pyetën 50,000 individë midis Shteteve të Bashkuara dhe Evropës nga viti 1988 deri në vitin 2015. Studiuesit zbuluan se 8.6 përqind kishin zhvilluar një formë të demencës, por që rreziku për t’u sëmurë ishte zvogëluar 13 përqind me kalimin e çdo dekade.

IL POST

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0