Telekom ndryshon emrin…dhe pronarin, Elvin Guri bëhet aksioner kontrollues i One - Business Magazine Albania

Telekom ndryshon emrin…dhe pronarin, Elvin Guri bëhet aksioner kontrollues i One

Telekom Albania zyrtarizoi të enjten emrin e ri zyrtar në markës në One, ndërsa do të ketë ndryshime të rëndësishme edhe në strukturën e saj aksionere. Kompania bën të ditur se biznesmeni shqiptaro-bullgar, Elvin Guri do të bëhet aksioner kontrollues i kompanisë holding Albania Telecom Invest (ATI), që zotëron 99.9% të aksioneve në One Telecommunications.

Sipas informacionit më të fundit zyrtar në bilancin e One, Elvin Guri mban aktualisht 35% të aksioneve në ATI, ndërsa do të blejë edhe 19% të kuotave nga ortaku tjetër, biznesmeni bullgar Spas Rusev, për të arritur në 54% të aksioneve. Ndërkohë, Spas Rusev do të dalë përfundimisht nga investimi në kompani, duke i shitur kuotat e tij tek Atanas Dobrev. Ky i fundit do të ketë 46% të aksioneve. Dobrev është prej vitit 2008 drejtor i përgjithshëm i Vivacom, kompania më e madhe e telekomunikacioneve në Bullgari.

LEXO: “Telekom Albania” ndryshon emrin, bëhet “One”

Në korrik të këtij viti, Rusev finalizoi edhe shitjen e paketës kontrolluese të aksioneve në Vivacom te shoqëria hollandeze United Group, në një operacion që preku shifrën e 1.2 miliardë eurove. Sipas One Telecommunications, ndryshimi forcon fokusin e kompanisë në këtë industri, si dhe objektivat për t’u zgjeruar më tej, për krijimin e një kompanie me prani rajonale, por me rrënjë shqiptare. Sipas One, kjo është dhe një garanci për interesat afatgjata të pronarëve në vend.

Elvin Guri e nisi aktivitetin sipërmarrës në fillim të viteve 2000 në Bullgari, ku së bashku me ortakun e tij Ivan Hristanov, themeloi kompaninë e mikrofinancës JetFinance International. Në vitin 2007, JetFinance u ble nga grupi francez BNP Paribas. Aktualisht, Elvin Guri është drejtor i përgjithshëm i Empower Capital, fond i profilit private equity, që ka si qëllim investimin në kapitalin e kompanive private, për të mbështetur rritjen e tyre.

ATI e bleu Telekom Albania, sot One Telecommunications, për 50 milionë euro në fillim të vitit 2019, pasi qeveria shqiptare refuzoi të jepte miratimin për shitjen e aksioneve te ofertuesi më i lartë në tenderin e shpallur nga Cosmote, kompania publike serbe, Telekom Srbija. Mbështetur në të dhënat nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), në mesin e këtij viti One raportonte 757 mijë përdorues aktivë të telefonisë celulare ose 33.4% të tregut.

Shitjet e One për vitin e kaluar prekën vlerën e 8.47 miliardë lekëve, në rënie të lehtë me 3.7% krahasuar me vitin 2018. Sipas totalit të të ardhurave, One mbante rreth 31% të tregut të shërbimeve të komunikimit të lëvizshëm. Për vitin 2019, One raportoi një fitim neto në vlerën e 269 milionë lekëve, pasi në vitin e fundit si pjesë e grupit Cosmote pati pësuar një humbje rekord prej 4.7 miliardë lekësh.

MONITOR

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0