Ted Sarandos zbulon librin që i formësoi vendimet më të mëdha në Netflix - Business Magazine Albania

Ted Sarandos zbulon librin që i formësoi vendimet më të mëdha në Netflix

Dëgjo këtë artikull
AI Generated
0:00 / 0:00

Ted Sarandos, bashkë-CEO i Netflix, nuk është fans i librave klasikë të menaxhimit. Nuk i mban në çantë, në zyrë apo mbi komodinë. Në fakt, ai thotë se nuk lexon pothuajse fare libra menaxhimi. Në vend të tyre, Sarandos zgjedh romane letrarë, të cilët, sipas tij, i japin mësimet më të forta për lidershipin.

Libri i tij i preferuar? “Typhoon”, një novelë e vitit 1902 nga Joseph Conrad, që rrëfen historinë e një kapiteni anijeje me avull dhe ekuipazhit të tij, teksa përballen me një stuhi të fuqishme në det. “Në pamje të parë nuk duket si një histori menaxhimi, por për mua është historia më e fuqishme e lidershipit që kam lexuar ndonjëherë,” – tha Sarandos në një intervistë për serinë CNBC ‘Leaders Playbook’. “E lexoj vazhdimisht, sepse çdo herë zbuloj diçka të re.”

Si ndryshon kuptimi i lidershipit me kalimin e kohës

Kur Sarandos e lexoi librin për herë të parë, rreth 20 vite më parë, ai e shihte kapitenin si një figurë të pamatur, pothuajse të papërgjegjshme, që rrezikonte veten dhe familjen e tij. Sot, pas përvojës së gjatë në biznes dhe drejtim, ai sheh një mesazh krejt tjetër: “Në jetë dhe në biznes merr shumë vendime që nuk dalin ashtu siç i ke parashikuar,” – shpjegon ai. “Testi i vërtetë i lidershipit është: si e menaxhon situatën kur gjërat shkojnë ndryshe nga plani.”

Lexo edhe: Inflacioni “godet xhepat”, si u rritën qiratë, bulmeti dhe energjia gjatë festave

Mësimet nga Netflix dhe Reed Hastings

Sarandos iu bashkua Netflix-it në vitin 2000 si drejtues i operacioneve të përmbajtjes. Një pjesë e madhe e mënyrës së tij të të menduarit për lidershipin, sipas tij, është formësuar nga bashkëthemeluesi dhe ish-CEO i kompanisë, Reed Hastings. “Mësimi më i madh që kam marrë prej tij është: zgjidh njerëzit më të mirë, jepu mjetet për të bërë punën më të mirë të jetës së tyre dhe mos u bëj pengesë.”

Ai kujton një moment kyç, kur veproi me autonomi të plotë dhe mori një rrezik të madh financiar: rreth një dekadë pasi ishte bashkuar me Netflix-in, Sarandos shpenzoi 100 milionë dollarë për të prodhuar serialin e parë origjinal të kompanisë, House of Cards, duke e miratuar për dy sezone, pa kërkuar leje paraprakisht nga Hastings. “Kur më pyeti: ‘Pse do ta bëje këtë?’, i thashë: ‘Reed, është një llogari e thjeshtë risk-fitim. Nëse dështon, thjesht kemi paguar shumë për një serial – gjë që na ka ndodhur edhe herë të tjera. Por nëse ka sukses, mund të transformojë krejt biznesin.’”

Edhe liderë të tjerë frymëzohen nga letërsia

Sarandos nuk është i vetmi drejtues i madh që gjen mësime lidershipi në letërsi artistike.

  • Themeluesi i Amazon, Jeff Bezos, është frymëzuar nga romani “The Remains of the Day” i Kazuo Ishiguro, sipas librit biografik The Everything Store.
  • Bashkëthemeluesi i Microsoft, Bill Gates, ka theksuar vazhdimisht vlerën e leximit të romaneve, duke shkruar se disa prej tyre “të zbulojnë si funksionojnë realisht gjërat e rëndësishme”.

Sipas profesoreshës së lidershipit në Northwestern University, Brooke Vuckovic, çdokush mund të nxjerrë mësime praktike nga romanet, nëse i lexon në mënyrë reflektuese: duke analizuar motivimet e personazheve, konfliktet dhe paralelizmat me situata reale pune. “Liderët më të mirë kërkojnë vazhdimisht mënyra për të zhvilluar veten,” – thotë ajo. “Letërsia artistike është një mjet i nënvlerësuar, i fuqishëm, me kosto të ulët dhe madje i këndshëm për zhvillim personal, nëse lexohet siç duhet.”

cnbc

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

✨ Thënia e ditës
“Vazhdo të ecësh. Mund të pengohesh, por mos qëndro ulur.”
— Charles Kettering
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0