Tech Career Day 2025, një urë e re për talentet e teknologjisë! - Business Magazine Albania

Tech Career Day 2025, një urë e re për talentet e teknologjisë!

Më 10 shtator 2025, Piramida e Tiranës do të kthehet në epiqendrën e inovacionit dhe mundësive, ku do të mbahet Tech Career Day 2025. Aktiviteti, i organizuar nga Protik, Innovation Hub, 42 Tirana dhe AADF, do të bashkojë studentët më premtues të teknologjisë me disa prej kompanive më të njohura të tregut vendas dhe ndërkombëtar. Në këtë edicion do të jenë të pranishme emra të rëndësishëm të industrisë si: Facilization, Deloitte, Smartwork, Asystems, Vodafone, Ritech, LOGISTIQO, Lufthansa Industry Solutions, Division 5, Cardo AI, ATIS dhe Tegeria.

Eventi do të hapet me prezantimet e kompanive pjesëmarrëse, të cilat do të ndajnë kulturën e tyre të punës dhe mundësitë konkrete për punësim dhe internship. Në vijim, studentët do të kenë mundësi të marrin pjesë në sesione “speed dating” profesionale, ku do të prezantojnë veten e tyre përballë rekrutuesve dhe ekspertëve teknikë, duke shkëmbyer CV-të dhe duke krijuar kontakte të vlefshme për të ardhmen e tyre.

Një moment i veçantë do të jetë prezantimi i projekteve më të mira të studentëve të akademisë së kodimit Protik, ku aftësitë praktike dhe kreativiteti i tyre do të dalin në pah përballë ekspertëve të industrisë. Ky format do të shërbejë si një dëshmi reale e potencialit në rritje që mbart komuniteti i teknologjisë në Shqipëri.

Lexo edhe: Mbi 10 startup-e evropiane arritën statusin “unicorn” në vitin 2025

Pasditja do të rezervojë hapësirë për intervista më të detajuara, ku kompanitë do të kenë mundësi të njohin më nga afër kandidatët më premtues. Në përmbyllje, do të mbahet ceremonia e diplomimit për studentët që përfunduan programet gjatë verës, duke e kthyer ditën në një festë të dyfishtë: të arritjeve akademike dhe hapjes së dyerve të reja drejt karrierës.

Tech Career Day 2025 nuk do të jetë thjesht një aktivitet karriere; do të jetë një pikëtakim ku ëndrrat e studentëve do të gjejnë rrugën drejt realizimit, ndërsa kompanitë do të kenë mundësinë të investojnë në talentin e gjeneratës së re. Evente të kësaj natyre konfirmojnë  se e ardhmja e teknologjisë në Shqipëri është e mbushur me potencial, energji dhe vizion.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0