Sipërmarrësi Edmond Ziso, regjistroi “Aquila Group” në vitin 1992 me objekt parësor prodhim, ambalazhim dhe tregtim me shumicë e pakicë të pijeve alkoolike dhe joalkoolike. Paralelisht, fabrika prodhon edhe dezinfektues alkoolikë dhe joalkoolikë, të cilat deri në shkurt zinin pjesën e dytësore të aktivitetit. Shpërthimi i koronavirusit, që në ditët e para shkaktoi panik në gjithë ekonominë, do të kishte bllokuar tërësisht aktivitetin e kompanisë së z. Ziso, por në vend që të përfshihej në panik, vendosi të përshtatej me situatën. Fatmirësisht, biznesi i tij mund të ndryshonte menjëherë fokusin, duke lënë në plan të dytë pijet alkoolike dhe duke i dhënë përparësi prodhimit të dezinfektuesve. Falë kësaj përshtatjeje, arriti të mbante në punë të gjithë punonjësit.
“Ne prej vitesh prodhojmë paralelisht edhe pije alkoolike, edhe dezinfektues. Aktualisht nuk kam asnjë punonjës të larguar dhe po punojmë me tre turne. Gjithçka është fokusuar te prodhimi i dezinfektuesve. Tek pijet nuk ka thuajse fare kërkesë, për këtë arsye, kapaciteti prodhues është ulur në 5-10% dhe kemi manovruar me stokun që kemi pasur. Nuk ka kërkesë, pasi temperaturat janë të larta – janë pije që nuk konsumohen aq shumë kur është nxehtë. Sa i takon prodhimit të dezinfektuesve jemi me të njëjtat ritme si në fillimin e pandemisë, 24 orë. Kemi prodhim për brenda vendit dhe për eksport”, thotë Ziso. Shtetet ku ka eksportuar janë Mali i Zi dhe Kroacia dhe së fundi, listës i është shtuar Kosova.
Ai shprehet se për të përshtatur biznesin me kushtet e pandemisë dhe për të përballuar kërkesën i është dashur të bëjë investime shtesë. “Porosita që në mars, në mënyrë urgjente, nga Italia makineri shtesë. Kërkesa është e lartë për dezinfektues dhe të paktën 40% e prodhimit shkon jashtë. Kam eksportuar edhe më herët, para pandemisë, por jo në këto nivele” thekson z. Ziso.
Kur e pyesim nëse ka vështirësi për të eksportuar një produkt specifik si dezinfektuesit, ai pohon se kompania ka siguruar të gjithë certifikimet që e lejojnë të zhvillojë këtë aktivitet, por na sjell në vëmendje se produktet shqiptare, edhe pse cilësore, paragjykohen shpesh. Edhe pse ia ka dalë me sukses të përballojë situatën e pandemisë, duke përshtatur biznesin e tij, administratori i “Aquila Group”, thotë se tregu vetë ka sfida që së pari lidhen me profesionistët. Është e vështirë, sipas tij, të gjesh kapitalin human. Së dyti, situata e përgjithshme e tregut dhe konkurrenca ku Ziso thekson se duhet të vlerësohet cilësia dhe siguria. Raste si ky i “Aquila Group” mund të hasësh shpesh në sektorë të ndryshëm, ku bizneset janë përshtatur jo vetëm për të mbijetuar, por edhe për të fituar në garë me krizën që solli pas pandemia.
Krijohet binomi “fashion” dhe veshje spitalore e maska
“Ambra s.r.l” është një nga ndërmarrjet më të mëdha të prodhimit të veshjeve në vend, me kontrata të cilat janë shtuar vit pas viti, duke pasur edhe emra të rëndësishëm në tregun e modës si “Max Mara”, “Pinko”, apo “Penny Black”. Teksa kontratat me emra të tillë vijonin sipas kalendarit të programuar të dorëzimit deri në mars, shfaqja në horizont e koronavirusit e vështirësoi panoramën për të gjithë tregun e tekstileve dhe fasonëve. Administratori Julian Bërxulli vendosi të bënte një investim shtesë prej 500 mijë eurosh, për të balancuar humbjet që mund të sillte amullia e krijuar nga pandemia. Prodhimi i veshjeve të modës nuk u ndal por u bë paralel me prodhimin e maskave kirurgjikale dhe veshjeve spitalore. “Aktualisht në ‘Ambra s.r.l’, forca punëtore është rreth 460 punonjës. Që në fillim të pandemisë, vendosëm të bënim një investim 500 mijë euro që do të na mundësonte të prodhonim, ndër të tjera, produktet për të cilat tregu kishte nevojë të jashtëzakonshme, siç ishin maskat kirurgjikale dhe veshjet spitalore.
Kjo na ndihmoi që jo vetëm të mbajmë punonjësit në punë në këtë moment të vështirë, por edhe të shtojmë më shumë forcë punëtore. Kërkesa për maska dhe veshje spitalore ishte tejet e lartë, ndaj përveç kompanisë sonë, kemi bërë kontrata edhe me 15 firma të tjera në treg” – thotë Bërxulli. Por si arriti një kompani shqiptare, në kushtet e një amullie globale, të siguronte një kontratë me përmasa të tilla, që do t’i sille fitim në kohë krize? “Një nga kompanitë që ne bashkëpunojmë në Itali arriti të merrte një tender me shtetin italian dhe na kontraktuan. Deri tani janë të kënaqur me punën tonë. Kemi një kontratë fillestare për veshje spitalore, pra këmisha 3 milionë të tilla dhe prodhim maskash kirurgjikale, 22 milionë. Afati për dorëzimin e këtyre të fundit është 4 muaj, kurse për maskat 3 muaj” thotë administratori i “Ambra s.r.l”.
Një nga problematikat që po haste sektori i tekstileve dhe fasoni para krizës së pandemisë ishte forca e punës. Kjo nuk ishte shumë tipike për Tiranën dhe Durrësin, ku ka përqendrim më të lartë të popullatës dhe gjetja e punëtorëve nuk është aq sfiduese, kurse në qytete më të vogla, situata ndryshon. Bërxulli shprehet se për kontratën e veshjeve dhe maskave i është dashur të rrisë numrin e punëtorëve me rreth 100 dhe kryesisht janë studentë. “Kemi marrë në punë rreth 100 studentë dhe kjo na ka dhënë mundësi t’i përgjigjemi në kohë prodhimit të kërkuar. Janë makineri jo shumë të sofistikuara dhe proceset e punës nuk janë komplekse, ndaj mund ta bëjnë fare mirë edhe njerëzit që nuk kanë ndonjë përvojë në këtë fushë. Tek pjesa e investimeve, na është dashur që të blejmë rreth 100 makina” – nënvizon Bërxulli. Kur e pyesim nëse kjo ndodh rëndom tek fasonët dhe tekstili këto kohë, sa i takon prodhimit të maskave dhe veshjeve spitalore, ai pohon se jo të gjithë mundet të marrin të tilla sipërmarrje.
Një pjese të mirë u mungon prestaria, nuk kanë makineri të posaçme që duhen për këto procese, ndaj jo të gjithë mund t’ia dalin të sigurojnë kontrata. Lidhur me pjesën e veshjeve të modës, ai konfirmon se vazhdon kontrata me “Max Mara” dhe prodhimi, si dhe çdo gjë kryhet paralelisht me kontratën e re. Për momentin, sipas tij, kontratat janë të njëjtat si para pandemisë, ndërsa pritshmëria është që tek kontratat e reja për sezonet të vazhdim të ketë rënie të volumit. Kërkesa për maska dhe veshje spitalore ishte tejet e lartë, ndaj përveç kompanisë sonë, kemi bërë kontrata edhe me 15 firma të tjera në treg” – thotë Julian Bërxulli i Ambra srl.
Të përshtatesh me produkte të reja, rasti i xhinseve anti-COVID.
Z. Krienko Memo prodhon prej vitesh, në kompaninë e tij “Krienko Jeans”, për emra ndërkombëtarë xhinse, këmisha e veshje të ndryshme. Në kohën e shpërthimit të pandemisë, shkurt-mars, ora e modës mbeti në vend me një konsumator që u fokusua te blerjet emergjente kryesisht ushqime. Memo kishte dy alternativa. Ose të dorëzohej dhe të priste se ç’do të ndodhte në tregjet ndërkombëtare me veshjet e modës ose të investonte në mënyrë të shpejtë, për t’iu përshtatur produkteve të reja që ishin të lidhura me situatën e pandemisë. E kështu e gjeti veten me një furrë pjekjeje për veshjet që pasi procesohen me solucionet e nevojshme, piqen në 160 gradë, duke kaluar edhe një sërë procedurash të tjera. Rezultati? Veshje anti-COVID dhe bëhet fjalë kryesisht për xhinse, të cilat nuk lejojnë depërtimin e lagështirës dhe e mbajnë në formën e bulëzave në sipërfaqe.
“Aktualisht jemi në fazën e marrjes së certifikimeve të nevojshme për këto veshje anti-COVID. Të gjithë kampionët, që kemi prodhuar i kemi çuar në Itali, për të marrë miratimin. Jemi në pritje të certifikimeve për xhinset, maskat dhe bluzat mjekësore. Të gjitha duhet të përmbushin standardet e kërkuara që më pas të nisë prodhimi masiv. Për bluzat dhe xhinset, ky prodhim do të nisë masivisht në sezonin vjeshtë-dimër, pasi të kemi marrë gjithë certifikimet.
Ne kemi prodhuar gjithsesi më herët bluza antibakteriale për spitalin e Fierit, Drejtorinë e Shëndetit Publik dhe do të dhurojmë edhe disa qindra për spitalin ‘Shefqet Ndroqi’ dhe QSUT” tregon Memo. Sipas tij, furra e pjekjes ishte një investim i shpejtë në përshtatje të kërkesave. Kompania nuk kishte para pandemisë një të tillë dhe ju desh që të investonte 118 mijë euro. Është një hallkë e rëndësishme e prodhimit të veshjeve anti-COVID, ndaj nuk mund të anashkalohet. “Përdorim solucionet e nevojshme në veshje dhe më pas i pjekim në 160 gradë, ato kanë një rezistencë antibakteriale edhe pas 50 larjeve” – na tregon administratori i “Krienko Jeans”.
Kompania para pandemisë, kishte të paktën 450 punëtorë, por situata e vështirë e detyroi të largonte 120 prej tyre. Menjëherë sapo nisi përshtatja me normalitetin e ri, Memo tregon se punësoi sërish 80 punëtorë dhe është drejt normalizimit dhe shkuarjes te numri që kishte më herët kompania.
Ndryshim kursi në kohën e duhur, nga veshjet sportive te maskat
Orientimi i burimeve drejt prodhimit të maskave i mundësoi kompanisë së prodhimit të tekstileve, SAM, jo vetëm të kompensonte rënien e porosive nga partnerët pas situatës së krijuar nga COVID-19, por edhe të shënonte një rritje të konsiderueshme të aktivitetit në periudhën e karantinës. Kur të gjithë ishin të shpërqendruar dhe të çoroditur nga mbyllja e menjëhershme e ekonomisë në vend nga 10 marsi, pak ditë pas asaj të Italisë, Mimoza Vojka, administratore e SAM, kompanisë së prodhimit të veshjeve sportive, nuk mund t’ia lejonte vetes të binte në këtë grackë dhe as të përfshihej nga paniku. Me porositë që u lanë pezull nga kompanitë partnere, ajo filloi të mendonte se si jo vetëm ta kapërcente krizën, por dhe të kapte momentin dhe ta kthente atë në një mundësi. “Brenda javës filluam të prodhonim maska për përdorim të brendshëm”, pohoi ajo.
Vojka, duke parë tendencën globale, tha se i nxiti kompanitë partnere të shikonin mundësinë e prodhimit të maskave për një periudhë të përkohshme. “Vendimtare ishte shpejtësia në marrjen e vendimit dhe përgatitja për të prodhuar këtë produkt të ri”, thotë ajo. Shumë shpejt, porositë nisën të vinin nga partnerët. Bllokimi i rrugëve ishte një pengesë e vogël për sigurimin e lëndës së parë, që u arrit të merrej nga Bullgaria. Në javën e parë të prillit, puna u kthye vrullshëm dhe me shtimin e kapacitetit. Për pesë javë, SAM prodhoi 1.1 milionë maska nga Franca, Belgjika, Holanda, Anglia, me çmime të kënaqshme, duke bashkëpunuar edhe me 7 sipërmarrje të tjera në vend. Porositë ishin deri për 3 milionë maska, por një sasi e tillë ishte përtej kapacitetit të kompanisë.
Orientimi i shpejtë drejt prodhimit të maskave i mundësoi kompanisë jo vetëm të kompensojë rënien e kërkesës për produktet e tjera, por edhe të rrisë ndjeshëm aktivitetin me shpejtësi, në një periudhë kur karantina kishte paralizuar pothuajse të gjithë ekonominë. “Kjo i dha vlerë kompanisë, por dhe mundësoi pagesa të rritura për personelin”, pohon ajo. Vojka këshillon që në kohë krize, bizneset duhet të vazhdojnë sipërmarrjen, t’i përshtaten kërkesës së tregut. “Çfarë kërkon tregu do të bëhet. Industria tekstile do të ketë gjithmonë kërkesa për produkte. Se sa do të dinë kompanitë në zgjedhjen e klientit varet nga ata, por nuk ka arsye për panik. Nuk ka si rrezikohet sektori se do të ketë prodhim patjetër, çelësi është të gjesh klientin e duhur dhe të rritesh paralelisht me të”.
Tashmë kërkesa i është rikthyer normalitetit për produktet e tjera, me të cilat operonte kompania, e cila është e specializuar në prodhimin e veshjeve të gatshme sportive, teksa në shtator pritet të rifillojnë aktivitetet sportive.
Diversifikimi ishte i lehtë për fabrikën e këpucëve ProDyn
Etleva Laro e cila zotëron, ProDyn një nga fabrikat më të mëdha të prodhimit të këpucës për eksport, kryesisht në tregun Gjerman u përshtat shumë shpejt me krizën pandemike, duke transferuar një pjesë të prodhimit për veshje mjekësore në mënyrë që të mbuloheshin humbjet që erdhën nga rënia e kërkesës për veshjet e këmbës. Në ditët e para të karantinës gjatë marsit, Laro i njoftoi kontraktorët e saj gjermanë se mund të siguronte furnizime mjekësore dhe kështu siguroi porositë e para. Në të njëjtën kohe ajo përshtati një seksion të fabrikës me rreth 35 punonjës, të cilët nisën prodhimin për veshje mjekësore me një përdorim për spitalet.
Laro tha se përshtatja për të qepur maska dhe veshje mjekësore në një fabrikë këpucësh nuk kërkon investim të madh, më shumë se sa organizim. Punonjësit që qepin këpucë kanë kualifikim të lartë për shkak të vështirësive në qepje, kështu që burimet njerëzorë kishin kualifikimin e mjaftueshëm. Blerja e pajisjeve nuk është investim i kushtueshëm pasi makineritë për tekstilin kushtojnë më lirë se këpucët. Ajo tha se për pajisjen e 100 punonjësve me makina ka harxhuar rreth 50 mijë euro. Fabrika ProDyn tani prodhon 10 mijë veshje në ditë, teksa zonja Laro ka marrë porosi për prodhimin e 60 mijë copëve. 50 mijë të tilla ajo i shpërndarë në fabrikat e tjera të tekstilit në vend. “Situatat emergjente të tilla si goditja që na dha pandemia, kërkojnë veprime emergjente dhe zgjidhje të shpejta”, tha Laro e cila nuk harxhoi kohë për të përfituar nga paketat e ndihmës së qeverisë, por shfrytëzoi mundësitë e reja që nxiti kriza.
Më parë, Laro ka operuar si distributor në sektorin fason me kompaninë Efa Solution, duke koordinuar porositë nga jashtë me prodhuesit shqiptare. Më pas nisi prodhimin nëpërmjet Prodyn, por ajo po e forcon sërish krahun e shpërndarjes, duke marrë porosi nga jashtë për veshje mjekësore dhe duke i shpërndarë në fabrikat shqiptare. Laro tha se pandemia ishte një leksion i vlefshëm për diversifikimin e prodhimit dhe në afat të gjatë ajo po synon që prodhimi të jetë 85 % për këpucë dhe deri në 15 % për pajisje mjekësore.
Laro gjithashtu tha se kishte mundur të siguronte një kontratë me markën e këpucëve Clarks, i cili kishte transferuar prodhimin e 50 mijë palëve nga Azia në Europë. Për shkak të pandemisë, porositë për të prodhuar këpucë në fabrikat shqiptare kanë rënë me 30 për qind, por në vjeshtë dimër pritet një tkurrje edhe më e madhe për shkak të stoqeve të larta.
Edhe këpucë për spitale
Përshtatja ishte rruga e vetme edhe për kompanitë e prodhimit të këpucëve. Alfred Mali, administrator i “Mali Shoes”, me seli në Lezhë pohon se “gjatë kësaj kohe prodhimi i këpucëve ishte mbyllur, dyqanet ishin mbyllur dhe nuk kishte treg. Nga kërkesa e spitaleve, e farmacive unë bëra një linjë të prodhimit të maskave, por prodhova edhe këpucë për spitale. Kam shumë kërkesa edhe nga jashtë për të dërguar produktin si në Itali e Egjipt ku do të shkojë me logon ‘Made in Albania’”. Kryesisht prodhimi është i destinuar për eksport drejt Europës dhe një pjesë shumë e vogël shkon për tregun e brendshëm, i cili po dominohet nga produktet e importit nga Kina e Turqia. Sipas aktorëve të tregut kjo situatë është e ndikuar nga disa faktorë. Mali pohon se “ne po marrim punëtorë nga rruga dhe të dalësh me ta në treg europian është shumë zor, duhet një kualifikim, të paktën një vjeçar që një punëtor të bëhet i aftë për të dhënë rendiment. Unë nëse dal në treg me prodhim “Made in Albania”, edhe rrogat do të jenë shumë më të larta, dhe nuk do t’i shkojë më në mend njeriu për të ikur jashtë. Prandaj kërkojmë bashkëpunim me shtetin për të forcuar kualifikimin punëtor dhe që kjo fuqi mos të ikë jashtë vendit”, rekomandon ai.
Nxiten edhe shpikjet
Daniel Guçe, eksperti i zhvillimit të SME-ve tregon rastin e “Hey Point” një kompanie eksportuese shqiptare, që operon në sektorin e projektimit dhe prodhimit të pajisjeve inox për arredim dhe HORECA (hotele, restorant, catering). “Duke qenë së pandemia solli bllokimin e ekonomisë nga njëra anë dhe uljen e menjëhershme të konsumit të produkteve jo ushqimore dhe pasiguri për të ardhmen nga ana tjetër, për këtë kompani ishte e pritshme qe do të përballej me një tkurrje të shitjeve si në afatshkurter, ashtu e
dhe në afatgjatë”. Ai shton se në këto kushte, nisur nga urgjenca për t’i bërë ballë situatës në mënyrë të strukturuar, bazuar në kapacitetet teknike dhe ato njerëzore, mbi të cilat ishte investuar me sukses që nga themelimi, u vlerësua se kishte ardhur momenti, paçka se tejet i vështirë dhe i pasigurtë, për të vënë në jetë objektivin fiziologjik të çdo kompanie prodhimi, që eshtë nisja e rrugëtimit të prodhimit me brand-in e vet.
Pas një procesi debate, analize e kërkimesh, që zgjati 1 javë, zgjedhja ra mbi një pajisje higjienizuese, e cila mbarte mbi vete edhe vlerën e shtuar të së qeni një shpikje, një risi në llojin e saj. Pajisja është patentuar, po krijon dhe markën dhe së shpejti do të dalë në tregun vendas dhe atë eksportues.
Turizmi përshtatet me “all inclusive”, por nuk përjashton asnjë kërkesë
Viti 2020 është viti më negativ për turizmin, i cili së fundmi kishte njohur vetëm shifra entuziaste. Kufizimi i qarkullimit për shkak të pandemisë e ka lënë atë vetëm me sytë te turizmi vendas, apo ai i fqinjëve. Në dominim janë shtetasit nga Kosova, por edhe këta të fundit, sikurse raportojnë përfaqësues të strukturave akomoduese, vijnë për pak ditë, kryesisht në fundjavë ose maksimumi 5 ditë. Përballë një situate që askujt nuk i kishte shkuar nëpër mend, strukturat e mëdha të angazhuara në investime serioze viteve të fundit, janë përpara sfidës së mbijetesës. E për këtë iu është dashur të përshtaten me kërkesën e çdo klienti që, ose përmes rezervimit të mëparshëm ose në mënyrë të paralajmëruar, paraqitet në recepsion. “Ne kemi operuar me shërbime dhe fasha të përshtatura për çdo klient që do të thotë se ofrojmë fjetje dhe mëngjes; fjetje, mëngjes dhe drekë ose darkë, apo të tre vaktet të përfshira. E kemi bërë këtë që të mos ketë kufizime për askënd. Pjesa që kërkon ‘fullboard’ (mëngjes, drekë, darkë pa pije) janë polakët dhe klientët nga Kosova. Pjesa nga Ukraina zgjedh paketën vetëm me mëngjes dhe darkë. Klientë të caktuar, duan vetëm mëngjesin. Ne jemi shumë elastik tek ofrimi dhe nuk po punojmë vetëm me një lloj shërbimi.
Po përshtatemi për të gjithë klientët dhe kategoritë. Kjo na e ndërlikon pak punën, pasi në një rast normal do të kishim të programuar kërkesën, pra sa klientë do të vinin, sa do të qëndronin dhe çfarë shërbimi donin. Tani çdo gjë ndodh në moment të fundit, kur klienti paraqitet në recepsion” – thotë Blerim Norja, Drejtor i Përgjithshëm i hoteleve “Royal G”. “Fafa Group”, që prej fillimit, kur u hoqën kufizimet nisi promovimin e paketave “all inclusive”. Çmimet e paketave janë 20-30% më të ulëta sesa një vit më parë, një përpjekje për të tërhequr sa më shumë turistë në këtë kohë të vështirë.
Administratori i “Fafa Group”, Fatos Çerenishti tregon se të paktën 90% e klientëve të cilët frekuentojnë strukturat akomoduese kërkojnë shërbimin “all inclusive”. “Nga katër strukturat me të cilat operon ‘Fafa Hotels & Resort’, ne kemi hapur vetëm dy të mëdhatë, pra ‘Fafa Premium’ dhe ‘Grand Blue Fafa’, ndërsa dy më të voglat ‘Mel Holiday dhe Hotel’ dhe ‘Fafa Beach Hotel’ i kemi mbajtur mbyllur. Aktualisht po punojmë me 80% të kapacitetit. Të paktën 90% e turistëve kërkojnë ‘all inclusive’, pasi shohin se funksionon më mirë. Pra ti e paguan paketën që në fillim dhe aty i ke të garantuara ushqime e pije. Për shkak të situatës së përgjithshme, që është e vështirë për të gjithë, edhe për klientët jo vetëm për bizneset, ‘all inclusive’, shihet si një formë kursimi, pasi nuk duan të shpenzojnë shumë” pohon ai.
Nëse vite më parë, FAFA, por edhe “Royal G” kanë operuar me turizmin e organizuar dhe grupet nordike, gjermane dhe polakë, këtë vit ata janë përshtatur me situatën, duke u promovuar në tregje si Kosova apo Maqedonia e Veriut, për të plotësuar mungesën që kanë lënë grupet e tjera. Polakët që kanë nisur të vijnë nga 14 korriku janë shumë më pak sesa vitet e kaluara por janë ndër të vetmet grupe të huaja, ashtu si ukrainasit dhe bjellorusët, të cilët po frekuentojnë bregdetin shqiptar.
Supermarketet nuk braktisin shitjet online, edhe pas heqjes së karantinës
Nëse sot klikon te faqet e rrjeteve kryesore të supermarketeve në vend, ajo që të shfaqet e para është reklamimi i mundësisë së porosive online. Tendenca nisi menjëherë gjatë izolimit, si një kërkesë e “sforcuar” e tregut në kushtet kur konsumatorët nuk mundeshin të dilnin lirisht për blerje dhe supermarketet nuk po arrinin të kishin klientelën e zakonshme. Situata imponoi zgjidhje të shpejta, por duket se do të vazhdojnë të mbeten pjesë e aktivitetit të supermarketeve, si një mënyrë më shumë për të ofruar lehtësi për konsumatorin. Në fillim, blerjet nga shtëpia kishin problematikat e tyre, por u deshën fare pak ditë që të ngrihej një rrjet i tërë shërbimi që operonte nga call center e vogla të marrjes së porosisë te dorëzimi i porosisë në derën e klientit. Pothuajse të gjithë operatorët e tregut pohuan në ato ditë për “Monitor” se, ky shërbim do të qëndronte edhe pas karantinës dhe duket se ashtu po ndodh sot, teksa sheh reklamimin e tij si opsion. “Ky moment që po jetojmë e po vuajmë të gjithë bashkë mund të jetë një çast i rëndësishëm për blerjet online në vend. Thuajse të gjitha shoqëritë e tregtimit me pakicë po bëjnë një punë të mirë në edukimin e blerësve për dobitë që ka blerja online. Duke i bashkuar këta dy faktorë, mendoj se shitjet online do të rriten edhe pas periudhës së izolimit.
Ne po punojmë për të ofruar këtë shërbim sa më të plotë jo vetëm për periudhën e emergjencës, por edhe për më tej” do të pohonte për “Monitor”, Elona Hametaj, Drejtore Ekzekutive e “Spar Albania”. Pavarësisht se ky ishte hapi i parë i sforcuar drejt e-commerce, të gjithë bien dakord se ka një avantazh të madh sa i takon shpejtësisë së shërbimit. Përfaqësuesi i rrjetit të supermarketeve “Big Market”, Robert Hoxha, tha se kjo praktikë do të mbetet edhe pas pandemisë dhe do të ketë një fokus për të rritur shumëllojshmërinë e artikujve. Kjo alternativë ka si avantazh shpejtësinë e shpërndarjes, ndaj mendoj se në vijim do të ketë një orientim drejt platformave të sistemeve online.
Edhe Alessandro Rosa, administrator i “Conad Albania”, pranoi se përshtatja më e mirë e supermarketeve ishte ajo e porosive përmes telefonit që pas heqjes së kufizimeve sigurisht që do të bien, por nuk do të zhduken. “Në parim është e qartë se kur të përfundojë periudha e krizës, numri i porosive nëpërmjet telefonit do të ulet përsëri, por besoj se disa klientë të rinj, që e kanë testuar këtë shërbim pozitivisht, me siguri do të vazhdojnë të përfitojnë nga kjo mundësi.
Në çdo rast, në të ardhmen ne do të vazhdojmë të përcaktojmë disa sisteme alternative të blerjeve online (e-commerce) që do të na lejojnë të kombinojmë më mirë aspektin e efikasitetit për të dhënë një shërbim sa më të plotë për klientët tanë, nevojat e të cilëve ndryshojnë në bazë të evolucionit të përgjithshëm të shoqërisë” do të shprehej Rossa.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.