Në artikullin e parë të serisë së BIRN për lidhjet e qëndrueshme të njerëzve të zhvendosur nga lufta me vendlindjen e tyre, Nik Shala tregon se si aftësitë e fituara në teknologji, gjatë kohës kur ishte refugjat adoleshent në Finlandë, sot po ndihmojnë njerëzit në Kosovë. Kur Kreshnik “Nik” Shala flet për luftën, ai nuk nis me bombat apo frikën. Ai nis me kompjuterët.
Në vitin 1999, në moshën 15-vjeçare, Shala ishte refugjat nga Kosova në Maqedoninë e Veriut. Familja e tij ishte larguar nga Prishtina, ndërsa lufta mes forcave jugosllave dhe UÇK-së po përshkallëzohej. Ndërsa shumë adoleshentë po përpiqeshin të përshtateshin me realitetin e ri, Shala po fuste të dhëna në një sistem kompjuterik që ndihmonte familje nga e gjithë bota të gjenin të afërmit me të cilët kishin humbur kontaktin për shkak të luftës.
“Isha ende fëmijë,” kujton ai. “Por papritur na telefononin njerëz nga Amerika, Kanadaja, Australia, për të pyetur nëse të afërmit e tyre ishin gjallë.”
Qendra improvizuese e informacionit për refugjatët u bë puna e tij e parë në IT dhe një përvojë formuese që i përcaktoi drejtimin e jetës. Sot, Shala është ekspert i zgjidhjeve digjitale në Finlandë, me diploma në administrim biznesi, shkenca kompjuterike dhe machine learning. Ai dizajnon faqe interneti dhe aplikacione, zhvillon projekte të tijat dhe ndërton platforma për OJF-të dhe iniciativat kulturore në Kosovë, shpesh pa pagesë, duke investuar edhe nga xhepi i vet.
Pse e bën këtë? Përgjigjja e tij është e thjeshtë: “Dopaminë. Duhet të bësh diçka të mirë që të ndihesh mirë.”
Mësimi i teknologjisë në kohë lufte
I lindur në vitin 1982, Shala u rrit në Kosovë në një kohë kur qasja në teknologji ishte e kufizuar. Ai ndoqi shkollë të mesme teknike për elektronikë dhe informatikë, duke mësuar MS-DOS, shumë përpara se Windows të bëhej standard.
“Kishim një ose dy kompjuterë në gjithë shkollën,” thotë ai. “Më shumë mësonim nga librat sesa nga praktika.”
Lufta ia ndërpreu shkollimin. Familja u largua fillimisht në Tetovë. Ndërkohë që nëna e tij merrte ushqime nga organizatat humanitare, Shala dhe motra e tij u bashkuan me një qendër informacioni të drejtuar nga refugjatët, ku digjitalizonin lista me emra dhe përgjigjeshin në telefonata nga diaspora. “Kur njerëzit merrnin vesh se familjarët e tyre ishin gjallë, qanin dhe na bekonin,” thotë ai. “Për një fëmijë, ishte shumë emocionale.”
Një episod i veçantë ishte kur kërkoi emrat e fqinjëve të tij nga Kosova dhe u lidh drejtpërdrejt me ta në telefon. Një tjetër kujtim i paharrueshëm ishte vizita e një gazetari të New York Times, i cili i dha një listë mbiemrash për t’i kërkuar në bazën e të dhënave. Kur Shala i gjeti të gjithë, gazetari u prek thellë dhe e ftoi familjen në Nju Jork. Nëna e tij refuzoi, Amerika i dukej shumë larg.
Fillimi nga e para, larg atdheut
Pas disa javësh në Maqedoninë e Veriut, familja u vendos në Finlandë. Shala filloi nga e para shkollën e mesme, pasi arsimi i Kosovës nuk iu njoh. Pa ditur fare finlandisht, mbijetoi me anglishten dhe fjalorë.
Zgjodhi lëndë si matematika dhe fizika për të shmangur barrierat gjuhësore. Më pas u diplomua në administrim biznesi dhe marketing, punoi në Nordea Bank dhe në Slush, një nga konferencat më të mëdha të teknologjisë në Europë. Për 12 vjet punoi si zhvillues në Posti, shërbimin postar kombëtar të Finlandës. Së fundmi përfundoi masterin në machine learning dhe big data në Arizona State University.
Ai flet gjashtë gjuhë: shqip, serbisht, anglisht, finlandisht, suedisht dhe pak rusisht. “E dua kodimin, por dua edhe kontaktin me njerëzit,” thotë ai. “Më pëlqen të zgjidh probleme reale për përdoruesit.”
Kthimi i dijes në Kosovë
Gjatë pandemisë COVID-19, Shala iu rikthye zhvillimit të faqeve web. Biznese të vogla nga Kosova nisën t’i kërkonin ndihmë për të dalë online. Ai ndërtoi falas faqen për filmin “Hive” të regjisores Blerta Basholli, duke blerë edhe domenin nga paratë e veta. Më pas, ndihmoi OJF-të, festivalin Banff Mountain Film Festival Kosovo dhe Reporting House të BIRN-it.
“Edhe puna falas ka kosto,” thotë ai. “Domenet dhe hostimi paguhen.”
Shala kthehet në Kosovë disa herë në vit dhe synon të hapë një akademi UX në Prishtinë për të trajnuar të rinjtë në dizajn të përvojës së përdoruesit, një fushë ende pak e zhvilluar në universitetet lokale. “UX është ura mes përdoruesit dhe teknologjisë,” shpjegon ai. “A është e dobishme? A është e lehtë për t’u përdorur?”
Një ide sociale: platformë digjitale për adoptimin e qenve endacakë
Ideja e tij më ambicioze nuk lidhet me biznesin, por me mirëqenien e kafshëve: një platformë digjitale që lidh strehët e qenve në Kosovë me adoptues në Skandinavi dhe Europë, me të dhëna shëndetësore, vaksinime dhe gjurmim.
“Në Finlandë adoptojnë qen nga Spanja. Pse jo edhe nga Kosova?” pyet ai.
Ai imagjinon ekrane publike në Prishtinë që tregojnë historitë e qenve të adoptuar që sot jetojnë të sigurt në Helsinki, një mesazh për ndryshim social dhe përgjegjësi qytetare. “Nuk mendoj se jam i suksesshëm për shkak të parave,” përfundon Shala. “Mendoj se jam i suksesshëm sepse mund të ndihmoj.”
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.