PayPal po bashkëpunon me OpenAI, duke i lejuar përdoruesit të blejnë produkte direkt përmes chatbot-it të inteligjencës artificiale, ChatGPT.
Sipas marrëveshjes, përdoruesit e PayPal do të mund të kryejnë blerje nëpërmjet një sistemi të menjëhershëm pagesash, ndërsa shitësit që përdorin PayPal do të jenë në gjendje të përfundojnë transaksione brenda ChatGPT. Alex Chriss, president dhe CEO i PayPal, deklaroi se kompania synon të krijojë një eksperiencë ku përdoruesit mund të kalojnë “nga biseda te pagesa me vetëm disa klikime”. Përdoruesit do të kenë gjithashtu qasje në portofolin digjital të PayPal gjatë pagesave të menjëhershme, përfshirë llogaritë bankare, balancën dhe kartat e tyre. Përmes OpenAI, ata do të mund të ndjekin blerjet dhe të paraqesin ankesa për porositë, nëse është e nevojshme. Për shitësit e interesuar, PayPal do të menaxhojë në prapaskenë proceset e “drejtimit të tregtarëve, verifikimit të pagesave dhe orkestrimit të transaksioneve”, duke mundësuar që “miliona produkte” të jenë të disponueshme për blerje në ChatGPT.
Lexo edhe: “Teara Handmade Jewelry”, bizhuteritë që flasin për shpirtin!
OpenAI ka nisur tashmë të zgjerohet në tregtinë elektronike me iniciativën “Buy it in ChatGPT”, e cila u mundëson të gjithë përdoruesve në SHBA të blejnë drejtpërdrejt nga shitësit në Etsy. Në shtator, OpenAI njoftoi se po përgatitet të lidhë marrëveshje me “mbi një milion tregtarë të Shopify”, përfshirë marka si Glossier, SKIMS e Kim Kardashian, Spanx dhe Vuori, duke prezantuar gjithashtu funksionin e karrocës për blerje me shumë produkte. Gjithashtu, OpenAI ka publikuar në version të hapur kodin burimor të “Agentic Commerce Protocol”, teknologjia që qëndron pas funksionit të karrocës, për t’u mundësuar zhvilluesve ta përshtatin apo përmirësojnë atë.
Ndërkohë, PayPal ka njoftuar edhe bashkëpunime të ngjashme me Google dhe Perplexity gjatë muajve të fundit, me synimin për të krijuar eksperienca të reja blerjesh të mundësuara nga inteligjenca artificiale.