Shqipëria pak e varur ekonomikisht nga Ukraina dhe Rusia, sipas BSH dhe Ministrisë së Financave - Business Magazine Albania

Shqipëria pak e varur ekonomikisht nga Ukraina dhe Rusia, sipas BSH dhe Ministrisë së Financave

Ukraina

Nisur nga gjendja e luftës në Ukrainë dhe pasojat e mundshme në Shqipëri, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko dhe ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, zhvilluan një takim.

Sipas burimeve zyrtare, ata vlerësuan rreziqet me të cilat mund të përballet ekonomia shqiptare, në vijim të përshkallëzimit të konfliktit Rusi-Ukrainë, si dhe masat e nevojshme për përballimin e situatës. Ndikimi i këtij konflikti në ekonominë botërore ka filluar të jetë i dukshëm, si në drejtim të rritjes së çmimeve të disa artikujve bazë, ashtu dhe në drejtim të rritjes së pasigurisë së investitorëve dhe të tregjeve financiare.

Për këtë arsye, Banka e Shqipërisë dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë theksojnë se po punojnë, me intensitet dhe përgjegjshmëri, për të vlerësuar ekspozimin ekonomik, tregtar e financiar të Shqipërisë ndaj vendeve të përfshira në konflikt, si dhe ndikimin e pritur të këtij konflikti në të ardhmen. Vlerësimet e deritanishme sugjerojnë se shëndeti ekonomik dhe financiar i vendit mbetet solid dhe impakti i pritur i tensionit gjeopolitik pritet të jetë i kufizuar dhe i administrueshëm.

Sipas Bankës së Shqipërisë, ekspozimi direkt tregtar dhe ekonomik i Shqipërisë ndaj Rusisë dhe Ukrainës është i ulët. “Sstabiliteti ekonomik dhe financiar i vendit është i konsoliduar. Kursi i këmbimit shfaqet i qëndrueshëm dhe rezerva valutore mbetet në nivel të mjaftueshëm. Veprimtaria e sektorit bankar zhvillohet në mënyrë normale, me tregues të mirë kapitalizimi, likuiditeti dhe performance, si dhe ekspozim të ulët ndaj rajonit në konflikt”, sipas BSH.

Lexo: Sejko prezanton në Komisionin e Ekonomisë platformën e tij për mandatin e dytë si Guvernator

Testet tona paraprake të rezistencës tregojnë se ekonomia shqiptare ka hapësira të mjaftueshme për t’u rezistuar goditjeve të mundshme që vijnë nga ekspozimi direkt me vendet në konflikt, vëren njoftimi. Këto goditje mund të burojnë nga reduktimi apo ndërprerja e flukseve tregtare, nga rritja e çmimeve për produkte të caktuara apo nga rritja e pasigurisë në tregjet financiare ndërkombëtare. Në rast se konflikti mbetet i përmbajtur, në dimensionet e tij kohore dhe gjeografike, këto goditje do të lenë vetëm gjurmë kalimtare në aktivitetin ekonomik dhe në inflacion.

Banka e Shqipërisë dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë ndanë opinionin se vëmendja e politikës monetare dhe fiskale duhet të orientohet drejt ruajtjes së ekuilibrave ekonomikë dhe financiarë të vendit, duke përdorur instrumentet dhe hapësirën e mjaftueshme në dispozicion për të zbutur goditjet e mundshme. Dy institucionet u shprehën të gatshme të ndërmarrin çdo veprim të nevojshëm për të minimizuar efektet negative të mundshme. Veprimi i koordinuar do të jetë vendimtar për të zbutur rreziqet dhe për të lundruar më të sigurt në periudhën sfiduese që vjen.

Sipas tyre, situata duhet të vijojë të monitorohet me kujdes, pasi përshkallëzimi i mëtejshëm i situatës dhe zgjerimi potencial i konfliktit në vende të tjera do të prodhonte një realitet të ri ekonomik dhe do të kërkonte marrjen e masave më gjithëpërfshirëse për administrimin e situatës.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0